
Në kuadër të nismës së Qendrës për Kulturë Tetovë për zhvillimin e jetës kulturore dhe artistike në qytet, së shpejti do të formohet Kori i Fëmijëve të Qytetit të Tetovës, një projekt që synon të bashkojë zërat e pastër e të sinqertë të fëmijëve nga shkollat fillore të Tetovës dhe rrethinës, përcjell Nistori.
Në këtë kor do të marrin pjesë nxënës të klasave të 3-ta, 4-ta dhe 5-ta, të cilët do të kenë mundësinë të shprehin talentin e tyre muzikor dhe të përfaqësojnë shkollën e tyre në një ansambël të përbashkët qytetar. Kori do të udhëhiqet nga dirigjentia Anita Alii.
“Qëllimi ynë është të kultivojmë dashurinë për muzikën, të zhvillojmë ndjenjën e harmonisë, bashkëpunimit dhe përgjegjësisë kolektive, por edhe të krijojmë hapësira të reja për afirmimin e fëmijëve në fushën e artit dhe kulturës,” – theksoi drejtoresha e Qendrës për Kulturë, Dr. Njomza Imeri Ismaili.
Muzika, si gjuha më universale, do t’i bashkojë këta fëmijë në një përvojë të paharrueshme, duke i mësuar se bukuria qëndron në unitet, përkushtim dhe frymë të përbashkët.
Ky projekt është një ftesë për të gjithë fëmijët që duan të këndojnë, të mësojnë dhe të bëhen pjesë e diçkaje më të madhe se vetvetja, një përpjekje e përbashkët për ta bërë Tetovën një qytet që kumbon edhe me zërin e fëmijëve.
Përmes realizimit të këtij projekti, Qendra për Kulturë Tetovë synon të zbulojë talentet e rinj që në të ardhmen do të jenë figura të njohura të kulturës dhe artit tetovar. /Nistori/






