Mickoski dhe nacionalizmi që rrezikon Maqedoninë e Veriut

    Urim Hasipi

    Është rast unik që një vend anëtar i NATO-s, seriozisht dhe pa asnjë drojë, po rrëshqet drejt rrezikimit të paqes në një humnerë, fundi i së cilës nuk dihet se ku ndodhet. Faktet janë të dukshme. Përtej përplasjeve ditore politike, të cilat deri diku mund të kuptohen, mbetet problem serioz qasja joserioze e qeverisë ndaj zhvillimeve, si në aspektin gjeopolitik, ashtu edhe në atë të brendshëm.

    Një vend anëtar i NATO-s duhet të prodhojë paqe, jo situata konfliktuoze. Për këtë, përgjegjësia bie mbi qeverinë, sepse opozita nuk ka faj kur qeveria merr orientim në kundërshtim me vullnetin e popullit.
    Vullneti i popullit është zhvillimi ekonomik, dhe kjo qeveri ka dështuar. Pra, njëri aspekt i rrezikimit të sigurisë sociale është përmbushur. Kur ky aspekt nuk përmbushet — sepse faktet flasin qartë që populli nuk jeton më mirë ekonomikisht — rritja e pakontrollueshme e çmimeve tentohet të mbulohet me tema etnike.

    Këtë e bën një qeveri që është pjesë e NATO-s dhe që çdo ditë merr pjesë në forumet e sigurisë në kuadër të Aleancës Veri-Atlantike. Popullit i ka ardhur në majë të hundës që mungesa e zhvillimit ekonomik të mbulohet me tema etnike. Më e keqja është se “shigjetat” janë drejtuar ndaj popullatës shqiptare, e cila në shtet është e dyta për nga numri i banorëve dhe përbën shtyllën kryesore të sigurisë në shtet. Këtë nuk mund ta mohojë askush. Aktualisht, shtylla kryesore e sigurisë dhe paqes në Ballkan janë shqiptarët e Maqedonisë.

    Në fjalimin e fundit, në një lagje të Shkupit, kryeministri Mickoski, përveç toneve kërcënuese dhe “edukative” ndaj shqiptarëve, tejkaloi çdo pritshmëri të atyre që mendonin se ai thjesht po fliste në kuadër të fushatës dhe nuk duhej marrë seriozisht.

    Mickoski kishte edhe një shqetësim tjetër: ai kërkoi që të votohet edhe LSDM-ja. Pse? Ai iu lut maqedonasve që të dalin të votojnë dhe të mos rrinë në shtëpi, pavarësisht se për cilin kandidat votojnë. Ai kishte hallin se, me këtë trend të rënies së votave për LSDM-në — parti të cilën më herët e quante “oazë të krimit”, por tani e cilëson “shtetformuese” — ajo mund të mos jetë më partia e dytë në shtet.

    Rrjedhimisht, partia e dytë më e madhe në shtet do të ishte ose BDI, ose VLEN. Pikërisht kjo është ajo që e shqetëson Mickoskin: fakti që partia e dytë më e madhe mund të jetë shqiptare. (Dëgjojeni tërësisht tubimin e VMRO-së në lagjen Aerodrom.) Kjo e tejkalon çdo imagjinatë, madje edhe të diktatorëve më të mëdhenj, sepse Mickoski haptas po tregon nacionalizmin e pakontrolluar ndaj shqiptarëve.

    Më tej, në një paraqitje tjetër publike, ai deklaroi se edhe faktori ndërkombëtar është i shqetësuar me “nacionalizmin e shqiptarëve” në Tetovë, Bërvenicë, Kërçovë, etj. Kjo nuk është për të qeshur, por për t’u vajtuar. Mickoski kurrë nuk i ka dëgjuar thirrjet e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, por sot pretendon se po i dëgjon për “nacionalizmin e shqiptarëve”. Kjo është një kontradiktë e plotë, një diskurs pa lidhje.

    Maqedonia nuk rrezikohet nga nacionalizmi i shqiptarëve, por nga nacionalizmi absurd i Mickoskit.
    Maqedonasit nuk janë shkelur e as kanë vuajtur kur në krye të komunës së Bërvenicës ka qenë shqiptar — shembull i tillë është edhe Kërçova. Prej kur qenkan në rrezik maqedonasit në këto komuna?

    Fjalor i tillë publik, pa asnjë bazë logjike, nuk reflekton realitetin në Çashkë. Pse atje Mickoski po tenton me çdo kusht të prishë zgjedhjet? Sepse atje është zgjedhur një kryetar shqiptar. Ky është nacionalizëm, shovinizëm dhe politikë e shekullit të kaluar — mosnjohja e realitetit në Çashkë, jo zgjedhja e shqiptarëve në krye të Kërçovës apo Bërvenicës.

    Për këtë lloj diskursi, në opinion janë të njohur vetëm Dodiku dhe bashkëmendimtarët e tij në Kosovë e Maqedoni. Mickoski e ka humbur rrugën në oborrin e vet, dhe kjo qasje — që për mua është irelevante nëse do ta ndryshojë apo jo — do të ketë pasoja. Po e përsëris: temat etnike i fillove ti, dhe faturën do ta paguash ti. Nuk mund të jesh me shqiptarët në tavolinë, të hash e të pish bashkë, dhe njëkohësisht të jesh kundër shqiptarëve. Kjo nuk gëlltitet. E vërteta për ty mund të jetë ndryshe, por për ne nuk mund të pranohet.

    Fundja, një vend anëtar i NATO-s po rrëshqet seriozisht drejt problemeve të brendshme etnike, dhe për këtë fajtor je vetëm ti. Që nga ardhja jote në krye të qeverisë, flet vetëm për tema etnike. Ti po e mban shtetin të izoluar dhe të uzurpuar në emër të një kauze që vetëm koka jote di ta prodhojë.

    E vërteta e madhe nuk mund të fshihet: shqiptarët kanë fuqi, qoftë për stabilitet, qoftë për jostabilitet. Dhe mjafton ta mendosh këtë, që të mos nisesh në një “konflikt” të kamufluar kundër shqiptarëve. Po të duash, krijo qeveri etnike, po të duash përjashto shqiptarët nga puna — kjo nuk na frikëson. Fatet individuale janë pak të rëndësishme, por fati i një populli varet nga vullneti i tij.

    Prandaj, rruga që ke nisur, një ditë do të ndalet aty ku nuk e pret. Në këtë drejtim, duhet të reagojnë publikisht NATO dhe Bashkimi Evropian — qoftë për nacionalizmin shqiptar, qoftë për nacionalizmin e Mickoskit. Njërën anë duhet ta zgjedhin. Këtu nuk ka “mes të artë”, por vetëm muskuj të shfaqur kundër një populli që asnjëherë nuk e ka rrezikuar shtetin.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Asnjë shqiptar në listën e bashkëpunëtorëve të jashtëm të presidentes Siljanovska

    Lajmi i rradhës

    Kurti paralajmëron zgjedhje parlamentare edhe në dhjetor, edhe në pranverë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë