Deri në fillim të javës së ardhshme pritet të kompletohet përbërja parlamentare, pas zgjedhjes së disa deputetëve për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale të mbajtura më 19 tetor dhe 2 nëntor.
Komisioni Parlamentar për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit në seancën e sotme konstatoi mandatet e tre deputetëve të rinj: Aleksandra Nikollovska, Martin Stojanovski dhe Mito Andonov. Stojanovski zëvendëson Igor Nikovskin, i cili paraprakisht kishte njoftuar KSHZ-në se nuk e pranon mandatin.
Këta tre deputetë vijnë në vend të Beti Stamenkoska-Trajkoska, Jane Micevski dhe Dejan Prodanoski, të cilët u zgjodhën kryetarë të komunave Kisella Vodë, Sopishtë dhe Prilep.
Verifikimi i mandateve të tyre pritet të bëhet në seancën e ardhshme plenare të Kuvendit, që sipas kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, do të mbahet më 10 ose 11 nëntor./Nistori/






