FATOS LUBONJA
A janë “përballur”, a i kanë “mbyllur llogaritë”, a kanë “bërë paqe”, shqiptarët me të kaluarën e tyre komuniste? Janë pyetje që i kam dëgjuar apo lexuar shpesh nga gazetarë, studiues, por edhe vizitorë të huaj, ndërkohë që në shoqërinë shqiptare ato mungojnë thuajse krejtësisht. Qoftë nga termat “përballje”, “mbyllje llogarish”, “paqe”, qoftë nga gjuhët e përdorura, por edhe nga përvoja e vendeve prej nga vijnë të huajt ato përmbajnë sfumatura të ndryshme kuptimore e emocionale.
Gjithsesi, përtej këtyre sfumaturve, ideja që të sugjerojnë, ashtu siç i rreshtova, është se “përballja” konsiderohet si faza e parë, kushti për fillimin e një procesi që do të na çonte te fazat e mëtejshme: të “mbylljes së llogarive” dhe të arritjes së “paqes”. Duke kërkuar t’u jap përgjigje pyetjeve mbi raportin e shqiptarëve me të kaluarën e tyre komuniste, ideja e parë që më ka ardhur në mendje ka qenë në formën e pyetjes: pse shqiptarët ia kanë shtruar pak ose aspak vetes këto pyetje dhe ç’kuptim ka fakti që këto i bëjnë të huajt? Pra, reflektimi im është nisur nga nevoja për të kuptuar e shpjeguar shkaqet e heshtjes së shoqërisë ndaj këtyre pyetjeve.
Një heshtje që mban në barkun e vet edhe shkaqet e dështimit të lindjes së një debati mbi çështjet që shtrojnë këto pyetje. Në editorialin e këtij dynumërshi të përpjekjes kushtuar raportit të shqiptarëve me të kaluarën komuniste, duke iu bashkuar autorëve të tij të shumtë, do përpiqem të hedh disa reflektime që synojnë të kuptojnë se në ç’gjendje është deri më sot faza e parë: ajo e përballjes me të kaluarën, si është bërë ajo, dhe më tej: për aq sa ç’është bërë, a është nisur nga qëllimi për ta na çuar drejt “mbylljes së llogarive” dhe “paqes”, apo na ka çuar në drejtime të tjera, të gabuara – siç më rezulton. Do të përpiqem të hulumtoj gjithashtu shkaqet e marrjes së këtyre drejtimeve të gabuara, dhe, më në fund, të sugjeroj se ç’duhet bërë dhe si duhet bërë një kthesë drejt një përballjeje/debati mbi të kaluarën, që do të na çonte vërtet në mbyllje llogarish dhe në paqe sociale, gjithë pa i konsideruar këto të dyja si arritje përfundimtare, por si synime orientuese të shoqërinë përdrejt të vërtetës dhe lirisë të konceptuara këto si produkte të dialogut të pandërprerë mes njerëzve.
KOMENT I NJË STUDIMI SI VËSHTRIM I PARË
Nuk mohohet se në botën shqiptare kanë qarkulluar e qarkullojnë disa tema të rëndësishme që evokojnë përballjen me të kaluarën, të tilla si: dënimi moral e politik i krimeve të komunizmit, dënimi ligjor i autorëve të këtyre krimeve, roli i popullit dhe roli i inteligjencës në promovimin e atij regjimi, roli i të kaluarës historike, kërkimi ndjesë, falja, integrimi në shoqëri i viktimave, hapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, lustracioni, gjetja e varreve të të vdekurve nëpër burgje dhe të të dënuarve me vdekje, përkujtimi dhe përkujtimoret mbi atë kohë, dëmshpërblimi moral dhe material i viktimave, etj.
Janë tema të cekura andej këtej nga politika, mediat, shoqëria civile apo individë të ndryshëm, më së shumti duke u instrumentalizuar për qëllime politike nëpërmjet prekjes së anëve emocionale të problemit, por pa u trajtuar në mënyrë të përthelluar në emër të ndërgjegjësimit mbi nevojën e përballjes me të kaluarën. Me këtë përthellim kuptoj një kombinim metodash studimore objektive dhe subjektive, ku me të parat kam parasysh kërkimin e të dhënave të matshme me numra apo shifra, si psh. numri i atyre që janë dënuar për krimet e asaj kohe, numri i varreve të gjetura, i atyre që kanë kërkuar ndjesë, i atyre që kanë falur, i shifrave të dëmshpërblimeve, të objekteve muzeale apo përkujtimoreve që ftojnë për reflektim, e të tjera; kurse me të dytat intervista njerëzish mbi temat në fjalë apo mbi pyetjen më të përgjithshme se në çfarë mase e ndjejnë ata se ka pasur një ballafaqim me të kaluarën në emër të mbylljes së hesapeve të shoqërisë me të, nëse kanë bërë ata paqe me të apo se sa ata ndiejnë se e kaluara rëndon mbi të tashmen e tyre – qoftë për viktimat kjo, qoftë edhe për persekutorët. Siç e thashë, nuk mungojnë sprova aty-këtu për t’i prekur këto tema, por ato kanë mbetur si shtigje qorre, që nuk kanë çuar dot në një hapësirë dialogu publik mes palëve të ndryshme me të cilat kam parasysh si brezat e ndryshëm, ashtu edhe zgjedhjet dhe fateve e tyre të ndryshme në atë kohë.
Një prej këtyre sprovave të mbetura në mes të rrugës është edhe një studim i kryer nga organizata jofitimprurëse IDRA në vitin 2015 me titull: “Njohuritë dhe perceptimet e publikut për të shkuarën komuniste” dhe nëntitull: “Në kuadrin e ndërtimit të një platforme të dialogut kombëtar rreth shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë regjimit të mëparshëm komunist në Shqipëri” (kryer me iniciativën dhe sponsorizimin e OSBE dhe Ambasadës Gjermane.) Këtu tërheq edhe një herë vëmendjen për një fenomen që do t’i rikthehem edhe herë të tjera: fakti se janë të huajt që e ngacmojnë këtë tematikë. Studimi i IDRA-s është bazuar në anketimin e tre grup-moshave: 16-35 vjeç, 35-55 vjeç dhe mbi 55 vjeç, të ndara edhe sipas gjinisë edhe sipas tri zonash gjeografike. Të anketuarve (rreth 1000) u janë drejtuar pyetje të tilla si: a është problem e kaluara komuniste për ju?; sa e njihni atë?; sa të interesuar jeni ta njihni?; çfarë perceptimi keni për atë regjim? etj.
Përshtypja e përgjithshme që të le studimi, qoftë nëpërmjet përgjigjeve, qoftë edhe nëpërmjet disa nga pyetjet e formuluara nga studiuesit, është se shoqëria shqiptare ka mbetur në një gjendje foshnjore në përballjen me të kaluarën, çka shpjegon edhe pse procesi, që siç shihet nga nëntitulli është konceptuar si një ndihmesë për të nxitur një dialog kombëtar mbi këto tema: pra për t’i dhënë nismën kalimit nga përballja te mbyllja e llogarive dhe nga kjo te paqja sociale – nuk ka vazhduar, madje edhe pse nuk ka filluar më herët nga aktorë shqiptarë.
LE TË KOMENTOJ DISA MOMENTE TË KËTIJ STUDIMI:
Të pyetur se sa u intereson njohja e së kaluarës komuniste, vetëm 8% e shqiptarëve shfaqen “shumë të interesuar”, 20% “pak a shumë të interesuar”, 21% “pak a shumë të painteresuar” dhe 50 % “aspak të interesuar”. Ata konsiderojnë si më të rëndësishme se sa njohjen e të shkuarës komuniste arsimin, shëndetësinë, korrupsionin/ keqqeverisjen, mosndëshkueshmërinë, ekonominë, ndotjen e mjedisit, rendin dhe sigurinë. Të pyetur mbi burimet se nga marrin informacion mbi të kaluarën komuniste (pa u bërë dallimi nëse flitet për aspekte pozitive apo negative të saj) vetëm 7% pohojnë se i marrin këto nga shkolla. Kur u kërkohet të bëjnë krahasimin midis të kaluarës komuniste dhe të sotmes (rikujtoj se studimi është kryer në vitin 2015) shumica dërmuese ose “pajtohen plotësisht” ose “pajtohen” (këta bëhen mbi 80%), me përgjigjen e ofruar nga anketuesit sipas së cilës në atë kohë kishte “siguri jete shumë më të madhe, arsimim më cilësor, mundësi punësimi më të mëdha, kishte më shumë siguri të punës, më shumë qëndrueshmëri politike, më pak korrupsion”.
Të pyetur mbi rolin e Enver Hoxhës në historinë e Shqipërisë, nëse ka qenë pozitiv apo negativ 45% përgjigjen se ka qenë pozitiv dhe 42% se ka qenë negativ. Kur u është shtruar pyetja nëse duhet lejuar një kompani private të rihapë e shfrytëzojë një minierë ku kanë vuajtur dënimin në formën e punës së detyruar të burgosurit politikë (duket se kanë parasysh minierën e Spaçit që ka shërbyer si vend vuajtje dënimi që nga viti 1968 deri në 1990 dhe ku punon sot një kompani private e huaj) 24% kanë thënë se “përfitimet ekonomike janë prioriteti i vendit, prandaj kompania duhet lejuar të punojë në zonën e ish kampit, kudo dhe pa kufizime”; 58% kanë thënë se “duhet lejuar me disa kufizime” dhe vetëm 10% janë shprehur në emër të ruajtjes tërësisht të atij vendi si memorial i së kaluarës.
QASJA E STUDIUESVE
Për sa i përket qasjes së studiuesve po veçoj një moment kur ata, pasi kanë shtruar pyetjen: “Pse kemi nevojë ta njohim të shkuarën komuniste?”, kanë formuluar tri përgjigjet e mëposhtme, mbi njërën prej të cilave duhet të verë kryq çdo i anketuar:
1. “Ka disa aspekte të së shkuarës komuniste që duhen të njihen nga brezat e rinj.”
2. “E shkuara komuniste duhet të shërbejë si një shembull i barazisë shoqërore, vullnetarizmit civil dhe sensit të komunitetit për brezat e rinj.”
3. “E shkuara komuniste është një periudhë e tmerrshme, e cila duhet të harrohet tërësisht dhe të mos i mësohet gjeneratës së re.” Vlen të komentohet ky moment i studimit, në kontekstin e gjithë përgjigjeve që kanë dhënë të anketuarit, për dy arsye: Së pari, për faktin se 22% “pajtohen plotësisht” dhe 56% “pajtohen” (së bashku 78%) me përgjigjen e dytë: pra se e shkuara komuniste duhet të shërbejë për brezat e rinj si shembull i “barazisë shoqërore”, “vullnetarizmit civil” dhe “sensit të komunitetit”.
Së dyti, pasi në formulimin e përgjigjeve nga anketuesit mungon përgjigja se periudha komuniste duhet të njihet dhe jo të harrohet pasi njohja dhe kuptimi i shkaqeve që e kanë prodhuar atë “periudhë të tmerrshme”, jo vetëm na shërben për t’u përballur me traumën që ajo na ka shkaktuar, nisur nga ideja e kurimit të saj për të arritur paqen individuale dhe shoqërore, por edhe sepse njohja e së keqes na duhet për të ndërtuar instrumente institucionalë, mendorë dhe shpirtërorë për të mos lejuar përsëritjen e saj. Le të përpiqem të bëj një kategorizim të shoqërisë shqiptare nisur si nga analiza e përgjigjeve të të anketuarve, ashtu dhe nga mungesa e përgjigjes që formulova më sipër, që sipas meje është tejet domethënëse. Vë në dukje se kur kategorizojmë, gjithmonë kryejmë një operacion semplifikikimi, duke reduktuar kompleksitetin e individëve, në disa karakteristika të përbashkëta nisur nga ajo më kryesorja tek ato dytësoret.
E përbashkëta më e madhe e shumicës së shqiptarëve të intervistuar – që janë një shabllon i shoqërisë shqiptare – është fakti se ata i trajtojnë këto dy periudha si të ndara, pa lidhje organike me njëra-tjetrën, gati si të përkundërta. Pra, kur ata shprehen se konsiderojnë si më të rëndësishme se sa njohja e të shkuarës komuniste arsimin, shëndetësinë, korrupsionin/keqqeverisjen, mosndëshkueshmërinë, ekonominë, ndotjen e mjedisit, rendin dhe sigurinë, nuk arrijnë të mendojnë se këto kanë ndonjë lidhje edhe me të shkuarën dhe se ndërgjegjësimi për këtë të shkuar mund të ndihmojë edhe në përmirësimin e së tashmes. Brenda kësaj kategorie, le ta quaj “të pavetëdijshmit”, do të dalloja këto nënkategori: Të pavetëdijshmit “e pavuajtur” Në këtë nënkategori do të fusja individët që kanë të përbashkët faktin se nuk e kanë vuajtur drejtpërdrejt apo familjarisht persekutimin e regjimit në formën e burgimeve, internimeve, dëbimeve, duke mbajtur mbi shpinë damkën e “armikut të klasës”.
Në spektrin e kësaj kategorie, që i vura në thonjëza epitetin “e pavuajtur”, do të fusja që nga aktorët e këtij persekutimi dhe familjarë të tyre deri tek ajo shtresë që rëndom quhet zona gri, e cila ka edhe ajo larmitë e veta. Brenda kësaj nënkategorie do të dalloja tri ndarje kryesore:
E para: ata që nuk janë të vetëdijshëm për traumën jo vetëm të të vuajturve, por edhe atë të vetes, për shkak të indoktrinimit, cektësisë së mendimit, apo për shkak se e kanë fshirë nga kujtesa të keqen e asaj kohe për të mos mbajtur përgjegjësi para vetes dhe të tjerëve. Duke iu referuar studimit, kam parasysh ata që çmojnë “arritjet” e atij regjimi, që e konsiderojnë periudhën e komunizmit si “shembull i barazisë shoqërore”, “vullnetarizmit civil”, “sensit të komunitetit”, që rolin e Enver Hoxhës e cilësojnë si pozitiv. Në këtë kategori mund të hyjnë edhe një pjesë të rinjsh që nuk e kanë jetuar atë kohë, por që janë indoktrinuar nga ky diskurs.
E dyta: ata, që kryesisht kanë qenë fëmijë ose të rinj kur ra regjimi, apo që kanë lindur pas rënies së tij, që shfaqen të painteresuar për njohjen e së kaluarës sepse kanë vështruar/vështrojnë drejt së ardhmes, pa e ditur se e kaluara i ndjek pas. Te kjo ndarje do të fusja jo vetëm ata që rrjedhin nga familje të privilegjuara në atë kohë, si dhe ata që rrjedhin nga zona gri, por edhe një pjesë jo të vogël të rinjsh që, pikërisht pse e u janë persekutuar familjarët, kanë zgjedhur t’i ikin asaj të kaluare.
E treta: ata që megjithëse janë të vetëdijshëm për traumat e asaj kohe, ndihen ashtu dhe aq të zhgënjyer me të tashmen përsa i përket sigurisë së jetës, gjendjes së arsimit, mundësisë së punësimit, korrupsionit, pabarazisë, saqë parapëlqejnë atë kohë përpara kësaj.
*Doli dynumërshi 38-39 i Revistës Përpjekja i titulluar Shqiptarët dhe Diktatura Komuniste.
– Ky numër është i ndarë në dy pjesë të veçanta:
– Nr. 38 Studime mbi Diktaturën Komuniste Shqiptare, hartuar nga Holta Vrioni dhe Fatos Lubonja;
– N. 39 Qasje Metodologjike dhe Teorike mbi Komunizmin, hartuar nga Idrit Idrizi






