Forumi për Ndryshime në Arsim ka publikuar Indeksin e Transparencës së universiteteve publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i realizuar nga janari deri në gusht 2025.
Hulumtimi tregon se shumica e universiteteve nuk i publikojnë as dokumentet që janë të detyruara me ligj t’i publikojnë, sidomos ato që lidhen me financat dhe shpenzimin e parasë publike. Asnjë universitet nuk ka arritur transparencë të plotë.
- Universiteti më transparent në vend ka dalë Universiteti i Evropës Juglindore, me 19.3 pikë nga maksimumi prej 21.
- Vendi i dytë, me rezultate pothuajse të njëjta dhe nivel të lartë transparence, ndahet nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup dhe Universiteti “Goce Dellçev” – Shtip, të dy me 18.1 pikë.
- Pas tyre renditet Universiteti “Shën Apostull Pali” – Ohër, i cili ka arritur 15.3 pikë, duke hyrë në kategorinë e transparencës mesatare.
- Më poshtë, me transparencë të ulët, vlerësohen Universiteti “Shën Klimenti i Ohrit” – Manastir me 14.3 pikë, si dhe Universiteti “Nënë Tereza” – Shkup, që ka marrë 11.1 pikë.
- Universiteti më pak transparent në vend mbetet Universiteti i Tetovës, me vetëm 9.1 pikë, duke mos publikuar pothuajse asnjë informacion financiar apo dokumente të tjera të detyrueshme.
Indeksi mat transparencën formale të universiteteve përmes publikimit të dokumenteve në ueb-faqet e tyre dhe qasjes në informacione përmes kërkesave zyrtare. FNA rekomandon rritje të transparencës financiare, publikim të rregullt të dokumenteve dhe përditësim të vazhdueshëm të ueb-faqeve në formate të qasshme për publikun.
Këto institucione janë vlerësuar nga 0 deri në 21 pikë: 0–10 pikë nënkupton jotransparencë, 11–14 pikë transparencë të ulët/pjesërisht transparente, 15–19 pikë transparencë mesatare dhe 20–21 pikë transparencë të plotë.
Hulumtimi i plotë: https://shorturl.at/qFV0W






