Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius e vëzhgon mosmarrëveshjen për Groenlandën me një lloj qetësie. Ai thotë se nuk pret “më të keqen” dhe se dërgimi tani i ushtarëve gjermanë atje është “rastësi kohore”.
Ndërsa Presidenti amerikan, Donald Trump, vazhdon të kërcënojë se synon të marrë kontrollin mbi Groenlandën, Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, thotë se po i ndjek zhvillimet me qetësi, sepse sipas tij kemi të bëjmë me një lojë force dhe pushteti se cili do të fitojë ç’lloj ndikimi në Groenlandë.
“Por në fund të fundit gjithmonë bëhet fjalë për të njëjtën gjë: Groenlanda duhet të sigurohet nga qasja dhe ndikimi i të tjerëve”, tha politikani socialdemokrat në emisionin televiziv “Tagesthemen”. Kjo vlen sidomos duke pasur parasysh praninë në rritje të nëndetëseve ruse dhe kineze në Groendlandë.
Pistorius: Nuk pres të ndodhë më e keqja
Ai nuk pret që SHBA-ja të ndërhyjnë, tha Pistorius. “Jam disi i relaksuar, sepse nuk besoj se do të ndodhë më e keqja” – tha ministri.
SHBA-ja nuk përbëhet vetëm nga administrata e Trumpit, por edhe nga Kongresi dhe Senati. Për më tepër për përpjekjet e Trumpit për të aneksuar Groenlandën ka pak mbështetje publike. Sipas ministrit Pistorius nuk ka shumë kuptim të “spekulosh se çfarë do të ndodhte nëse Trumpi do të bënte këtë apo atë”.
Dërgimi i ushtarëve gjermanë koincidencë rastësore
Lidhur mepraninë ushtarake gjermane në Groenlandë Pistorius deklaroi se bëhet fjalë për “përmbushjen e përbashkët të detyrimeve tona për të mbrojtur territorin e NATO-s“.
Arktiku është zhvilluar në një rajon “në të cilin Rusia, dhe gjithnjë e më shumë edhe Kina me marinën e saj në rritje, luajnë një rol të rëndësishëm”. Rusia po e rimilitarizon këtë rajon, tha Pistorius.
Misioni aktual ushtarëve gjermanë të Bundeswehrit në Groendlandë është mision inspektimi për të parë “se si mund të kryejmë atje stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë atje”. Është thjesht një “koincidencë rastësore” që ushtarët gjermanë shkuan në Groenlandë pikërisht në këtë kohë. Qëllimi është “të shihen se si janë kushtet dhe të mblidhen fakte”. /DW/






