Ligji për punësimin sezonal dhe të përkohshëm, i cili hyri në fuqi më 1 janar, synon të formalizojë një segment të madh të tregut të punës që prej vitesh funksionon jashtë kornizës ligjore, duke lejuar angazhimin e studentëve, pensionistëve, të papunëve dhe kategorive të tjera në punë të përkohshme ose sezonale me pagesë të kontributeve për sigurim shëndetësor dhe pensional, pa humbur të drejtat që këto kategori i gëzojnë tashmë.
Ligji u promovua si një mekanizëm që do të zvogëlonte punën në të zezë dhe do të krijonte një formë më fleksibile punësimi, veçanërisht në sektorët ku kërkesa për fuqi punëtore rritet gjatë muajve të verës. Megjithatë, ndonëse ligji është në fuqi dhe infrastruktura digjitale është funksionale, deri më tani nuk është regjistruar asnjë aplikim nga punëdhënësit. Nga Agjencia e Punësimit konfirmojnë se sistemi është plotësisht elektronik dhe operacional, duke theksuar se dyshimet e fundit të vitit të kaluar lidhur me përgatitjen teknike janë tejkaluar.
“Sistemi është gati. Gjithçka është elektronike. Presim aplikime”, thonë nga Agjencia, por mungesa e interesimit ngre pikëpyetje serioze mbi gatishmërinë e tregut për të kaluar nga puna informale në punësim të rregulluar ligjërisht.
Ligji përcakton qartë sektorët ku lejohet punësimi sezonal dhe i përkohshëm, përkatësisht bujqësia, pylltaria dhe peshkimi, aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, si dhe aktivitetet shtëpiake ku punëdhënësi është individ. Punëdhënësit mund të angazhojnë punëtorë për periudha nga 60 deri në 180 ditë, megjithëse kufiri maksimal vlen vetëm për sektorin e bujqësisë, ndërsa për sektorët e tjerë afatet janë më të shkurtra. Duke qenë se këto aktivitete lidhen drejtpërdrejt me sezonin veror, pritshmëritë janë që kërkesa për punëtorë të tillë të rritet në muajt në vijim, megjithëse realiteti aktual nuk reflekton ende këtë nevojë.
Ndërkaq, një nga arsyet kryesore për miratimin e këtij ligji lidhet me shkallën e lartë të informalitetit në tregun e punës. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), mbi 100 mijë persona në vend punojnë në sektorin informal, ndërsa punësimi sezonal është një nga format më të shpeshta të kësaj praktike. Për këtë arsye, ligji parashikon edhe masa ndëshkuese për punëdhënësit që angazhojnë punëtorë pa i regjistruar, me gjoba që, në varësi të shkeljes dhe madhësisë së subjektit, arrijnë deri në 3 mijë euro për punëdhënësit e mëdhenj.
Nga ana e punëtorëve, ligji parasheh ruajtjen e të drejtave ekzistuese, duke garantuar se personat e papunë të regjistruar që angazhohen në punë sezonale nuk e humbin të drejtën për kompensim financiar nga sigurimi i papunësisë dhe nuk fshihen nga evidencat zyrtare. E njëjta gjë vlen edhe për pensionistët, përfituesit e sigurimeve shoqërore, studentët dhe nxënësit, ndërsa kushtet e punës përcaktojnë një angazhim maksimal prej 12 orësh në ditë ose 48 orësh në javë, me të drejtë për pushim ditor dhe javor, në përputhje me rregulloret e përgjithshme të marrëdhënieve të punës.
Ndër të tjera, për të shmangur keqpërdorimet dhe krijimin e kategorisë së ashtuquajtur të “punëtorëve sezonal të përjetshëm”, ligji vendos kufizime të qarta edhe për punëdhënësit, duke përcaktuar se brenda të njëjtit vit mund të angazhohen persona vetëm për një periudhë të caktuar kohore dhe se në të njëjtën kohë nuk mund të angazhohen më shumë se 10 persona sezonal ose më shumë se 10 për qind e numrit të përgjithshëm të të punësuarve në një ndërmarrje. /Koha/






