Vendimi i Ministrisë së Drejtësisë, e udhëhequr nga Igor Filkov, për të zhvilluar provimin e jurisprudencës vetëm në gjuhën maqedonase ka shkaktuar reagime të forta nga partitë shqiptare opozitare në Maqedoninë e Veriut, përcjell Nistori.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e konsideron vendimin “një hap serioz prapa në respektimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve” dhe një barrierë për përfaqësimin e barabartë në sistemin gjyqësor. Sipas BDI-së, arsyetimet e Ministrisë mbështeten në interpretime selektive të ligjeve dhe janë në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe standardet evropiane për barazi dhe mosdiskriminim.
BDI kërkon përgjigje të qartë nga Qeveria: nëse vendimi reflekton qëndrimin individual të ministrit Filkov apo qëndrim të plotë të Qeverisë, nëse ministrat shqiptarë janë pajtuar dhe nëse do të respektohet dygjuhësia e garantuar me ligj dhe Kushtetutë. “Barazia gjuhësore nuk është privilegj, është e drejtë kushtetuese dhe ligjore”, thekson BDI.
“Arsyetimet e dhëna nga Ministria, të mbështetura në interpretime selektive të ligjeve dhe në hierarki të njëanshme ligjore, janë në kundërshtim me frymën e Kushtetutës, me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe me standardet evropiane të barazisë dhe mosdiskriminimit. Ky vendim nuk është vetëm një çështje teknike apo administrative, por ka pasoja të drejtpërdrejta politike, shoqërore dhe institucionale, duke e kthyer gjuhën në filtër për profesionin e juristit dhe duke pamundësuar avancimin e kuadrove shqiptare në sistemin e drejtësisë.”, thonë nga BDI.
Edhe Aleanca për Shqiptarët e cilëson vendimin si “diskriminim institucional”. Sipas saj, refuzimi i kërkesës së 385 studentëve shqiptarë që provimi të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe tregon mungesë vullneti politik për barazi reale. Deputetët Sadik Sulejmani, Halil Snopçe dhe Rijad Shaqiri mbështesin nismën e studentit Mevlan Ademi për zhvillimin e provimit në gjuhën shqipe, pa cenuar përdorimin e gjuhës maqedonase.
“Ky vendim përbën një akt të qartë diskriminues ndaj studentëve shqiptarë dhe dëshmon mungesën e vullnetit politik për barazi reale. Shtrohet pyetja: kush frikësohet nga gjuha shqipe dhe pse? A është frika nga barazia, nga pjesëmarrja e shqiptarëve në sistemin e drejtësisë, apo nga fuqia e gjuhës amtare për të garantuar drejtësi dhe dinjitet? Nisma e studentit Mevlan Ademi po mbështetet fuqishëm nga deputetët e Aleancës për Shqiptarët: Sadik Sulejmani, Halil Snopçe dhe Rijad Shaqiri. Studentët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, pa cenuar aspak njohjen dhe përdorimin e gjuhës maqedonase. Refuzimi i Ministrisë së Drejtësisë dërgon një mesazh të rrezikshëm: mohimi i gjuhës shqipe nuk është thjesht një vendim administrativ, por një alarm serioz për drejtësinë, barazinë dhe frymën demokratike në vend.”, kumtojnë nga ASh e Taravarit.
Aleanca për Shqiptarët paralajmëron se mohimi i gjuhës shqipe nuk është thjesht vendim administrativ, por alarm serioz për drejtësinë, barazinë dhe frymën demokratike në vend. Studentët shqiptarë, sipas partisë, kërkojnë të drejtat që u takojnë: respekt, trajtim të barabartë dhe dinjitet, jo privilegje.
Ndërkaq, Ministria thekson për Portalb se sipas Ligjit për gjykatat, Ligjit për prokurorinë publike, Ligjit për avokatinë, Ligjit për Akademinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë, Ligjit për përmbarimin dhe Ligjit për noterinë duhet të zotërohet gjuha maqedonase. /Nistori/






