Kërkesa e studentëve që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe ka hapur një debat të ashpër institucional brenda Qeverisë, duke prodhuar reagime të njëpasnjëshme nga zëvendëskryeministrat, Ministria e Drejtësisë dhe opozita, shkruan Nistori.
Debati u aktualizua pas paraqitjes së peticionit të studentëve, të cilët kërkojnë respektimin e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe, duke u thirrur në Kushtetutë dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Sali: kërkesa ka bazë kushtetuese, refuzimi është mungesë vullneti
Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, në Click Plus theksoi se të drejtat e garantuara me Kushtetutë nuk kanë nevojë të përsëriten në çdo ligj apo rregullore, pasi institucionet janë të obliguara t’i zbatojnë ato automatikisht.
“Ne themi se duhet të respektohet Kushtetuta dhe nuk duhet të futemi në çdo ligj apo rregullore ta shkruajmë gjithandej të njëjtën gjë. Nëse diçka është e shkruar në Kushtetutë, ajo duhet të zbatohet në praktikë nga institucionet”, deklaroi Sali, duke shtuar se studentët do ta kenë “përkrahjen maksimale”.
Ai bëri të ditur se ka komunikuar me ministrin e Drejtësisë më 26 gusht, ditën kur kërkesa e studentëve ka arritur në institucionet përkatëse, por sipas tij, nga ana e ministrit nuk ka pasur mirëkuptim.
“Mes fjalëve e vërejta se nuk ka vullnet. Kjo nuk ka të bëjë me mungesë argumentesh juridike”, tha Sali, duke theksuar se çështja nuk është politike, por thjesht juridike dhe nuk kërkon negociata.
Filkov i përgjigjet Salit: provimi i jurisprudencës nuk rregullohet nga vullneti politik, por nga Kushtetuta dhe ligji
Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, reagoi publikisht ndaj deklaratave të zëvendëskryeministrit Bekim Sali lidhur me dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke theksuar se çështja nuk mund të trajtohet përmes interpretimeve politike apo qëndrimeve personale.
“Shteti nuk funksionon mbi parimin e vlerësimit personal apo vullnetit politik. Vendimet merren ekskluzivisht mbi bazë të Kushtetutës, ligjeve dhe procedurave institucionale,” deklaroi Filkov.
Ai theksoi se Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut e përcakton qartë gjuhën maqedonase dhe shkrimin cirilik si gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e shtetit, ndërsa përdorimi i gjuhëve të tjera zyrtare bëhet vetëm sipas kushteve të përcaktuara shprehimisht me ligj.
Sipas Filkovit, Ligji për Provimin e Jurisprudencës nuk parasheh mundësi për zhvillimin e provimit në gjuhë tjetër përveç gjuhës maqedonase, ndërsa vetë provimi shërben si test i drejtpërdrejtë i gatishmërisë profesionale dhe gjuhësore për hyrje në sistemin gjyqësor.
“Provimi i jurisprudencës është parakusht për gjyqtarë, prokurorë, avokatë, noterë dhe përmbarues. Të gjitha këto profesione kërkojnë njohuri aktive të gjuhës maqedonase, sepse procedurat dhe aktet zyrtare zhvillohen kryesisht në këtë gjuhë,” theksoi ministri.
Filkov bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë e ka shqyrtuar peticionin e studentëve dhe ka analizuar të gjitha dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore, duke marrë parasysh edhe vërejtjet e Komisionit të Venecias dhe faktin se në Gjykatën Kushtetuese janë dorëzuar 13 nisma për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
“Teza se Ministria nuk ka argumente është e pasaktë dhe e motivuar politikisht. Argumentet janë kushtetuese dhe ligjore. Ajo që mungon në këtë debat është respekti për sistemin juridik si tërësi,” tha Filkov.
Në fund, ministri dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë politik, duke theksuar se Kushtetuta nuk duhet të përdoret për narrativa mediatike dhe se gjyqësori nuk do të jetë peng i asnjë axhende politike.
“Çdo gjë tjetër është presion. Dhe kjo nuk do të kalojë,” përfundoi Filkov.
Fetai: vendimi i Ministrisë është arbitrar dhe juridikisht i pambështetur
Në vijim, reagoi edhe zëvendëskryeministri për politika dhe sundim të mirë, Arben Fetai, i cili njoftoi se Qeveria po pret vlerësimin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve dhe Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve.
“Nëse konstatohet shkelje, do të kërkohet përgjegjësi ligjore dhe institucionale nga Ministri i Drejtësisë, sipas ligjit”, tha Fetai.
Ai e cilësoi refuzimin e Ministrisë si “vendim arbitrar, juridikisht të pambështetur dhe institucionalisht të rrezikshëm”, duke theksuar se Ligji për përdorimin e gjuhëve është në fuqi dhe obligues, pavarësisht mangësive që mund të ketë.
“Ligji për provimin e jurisprudencës nuk përmban asnjë ndalim që provimi të zhvillohet në gjuhën shqipe. Kjo është fakt juridik, jo interpretim politik”, tha Fetai.
Reagime politike: krahasime dhe akuza
Nga opozita, Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët e quajti paradoks faktin që provimet shtetërore në Mjekësi dhe Stomatologji lejohen në shqip, ndërsa ai i jurisprudencës jo.
“Provimi që flet për Drejtësi nuk ua jep të drejtën studentëve shqiptarë të shprehen në gjuhën e tyre amtare”, deklaroi Taravari, duke shtuar se Sali ka të drejtë “moralisht dhe ligjërisht”.
Ndërkohë, nga BDI, Arbër Ademi u rreshtua në mbështetje të qëndrimit të Salit, duke argumentuar se Ligji për përdorimin e gjuhëve është lex specialis dhe ka përparësi ndaj ligjeve të tjera, përfshirë atë për provimin e jurisprudencës.
“Ligji për përdorimin e gjuhëve është i qartë dhe obligues. Çdo përpjekje për ta anashkaluar përmes interpretimeve të tjera është e gabuar”, tha Ademi.
Ditë më parë, ambasadori i Shqipërisë më Shkup, Denion Meidani, pas problemit që hasën studentët shqiptarë për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, nisma e tij e fundit “Fol shqip o taj”, ka ngjallur reagime në opinion.
Ndryshe, kryeparlamentari Afrim Gashi gjatë një brifingu me gazetarët, i pyetur nëse ndonjë nga grupet parlamentare ka paraqitur iniciativë për interpelancë ndaj Ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, Gashi u përgjigj se deri më tani një iniciativë e tillë nuk është dorëzuar. Ai theksoi se, nëse të paktën pesë deputetë paraqesin kërkesë për interpelancë, ajo do të futet në rend dite për seancë. /Nistori/






