Në hapje të Konferencës së Sigurisë në Mynih, kryetari i saj, Ischinger, paralajmëron për një koncentrim historik të krizave. Europa duhet të marrë përgjegjësi dhe Gjermania duhet të luajë një rol udhëheqës.
Sipas drejtorit të Konferencës së Sigurisë në Mynih (MSC), Wolfgang Ischinger, nga sot e tutje, kryetarët e shteteve, politikanët e sigurisë dhe ekspertët që marrin pjesë në konferencë do të përballen me “sfida të jashtëzakonshme”. Ish-diplomati tha në programin e mëngjesit të televizionit publik ARD, se nuk i kujtohet që në 20 vitet e fundit të ketë pasur kaq shumë kriza të përgjakshme që ndodhin njëkohësisht. Konferenca e Sigurisë luan një rol të rëndësishëm në këtë drejtim: “Ajo që do të përjetojmë gjatë dy ditëve të ardhshme është shumë e rëndësishme.”
Wolfgang Ischinger theksoi se pritjet nga Gjermania janë shumë të mëdha. Kjo ka të bëjë me udhëheqje nga Gjermania , por edhe me vetëafirmimin e Evropës. Ukraina është një nga temat qendrore. “Ne do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë Ukrainës,” tha Ischinger. Konferenca synon t’ia japë Çmimin Ewald von Kleist të këtij viti popullit të guximshëm ukrainas.
Më shumë përgjegjësi për Ukrainën
Duke pasur parasysh ngecjen në mbështetjen e SHBA për Ukrainën e sulmuar, Ischinger-i bëri thirrje për një angazhim më të madh nga Europa. “Ne duhet të bëjmë më shumë për të mbushur boshllëkun e krijuar nga mungesa e furnizimeve me armë, pajisje ushtarake dhe municion nga Shtetet e Bashkuara për Ukrainën.” Një zgjidhje paqësore do të jetë e mundur vetëm nëse Ukraina mund të mbrojë veten me sukses. Gjermania tashmë luan një rol kryesor në këtë drejtim dhe prej kohësh është furnizuesi kryesor i mbështetjes ushtarake dhe financiare.
Në të njëjtën kohë, Ischinger-i bëri thirrje për më shumë unitet brenda BE. Nëse 27 shtete ndjekin politikë vetjake të jashtme, nuk duhet të habitesh nëse Kina, Rusia dhe gjithashtu Shtetet e Bashkuara na ndajnë. Sipas drejtorit të MSC-së, Europa duhet të flasë me një zë, veçanërisht për çështjet strategjike.
Një mbrojtje e përbashkët më e fortë është e rëndësishme
Ischinger e hodhi poshtë qartë riarmatimin bërthamor kombëtar. “Nuk mendoj fare se një bombë atomike gjermane është një ide e mirë” tha ai në programin e lajmeve të mëngjesit të ARD. Një vendim i tillë do të rrezikonte seriozisht sistemin ndërkombëtar për parandalimin e armatimit bërthamor. Megjithatë, një integrim më i madh evropian në strukturat ekzistuese të frikësimit bërthamor, për shembull duke përfshirë arsenalet franceze dhe britanike, do të ishte i mundur.
Më shumë se 1000 pjesëmarrës pritet të marrin pjesë në Konferencën e 62-të të Sigurisë në Mynih në kryeqytetin bavarez, përfshirë më shumë se 60 kryetarë shtetesh dhe qeverish. Për tre ditë, politikanë të lartë, udhëheqës ushtarakë dhe përfaqësues nga biznesi dhe shoqëria civile do të diskutojnë krizat më urgjente të kohës sonë. Ndër ata që pritet të marrin pjesë janë Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski dhe përfaqësues të shumtë politikë amerikanë, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe anëtarë të Kongresit. /DW/






