Shoqata Maqedonase e Avokatëve të Rinj (ShMAR) dhe Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut njoftojnë se më 26.02.2026, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut nxori një vendim përmes një deklarate të njëanshme në rastin Fitim Musliu kundër Maqedonisë së Veriut (nr. i kërkesës 43315/22), i paraqitur më 30 gusht 2022, shkruan Meta, përcjell Nistori.
Çështja lidhet me një ngjarje të ndodhur më 3 gusht 2020, kur një person i dënuar u sulmua fizikisht dhe u rrah nga një anëtar i policisë së burgut përpara mensës në Qendrën Korrektuese Idrizovo. Si pasojë e sulmit, aplikanti pësoi lëndime trupore.
Lidhur me incidentin, në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm u ngrit një kallëzim penal kundër komandantit të policisë së burgut në Idrizovo për veprat penale “Torturë dhe trajtime ose ndëshkime të tjera mizore, çnjerëzore ose poshtëruese” (neni 142, paragrafi 1 i Kodit Penal), “Ngacmim gjatë kryerjes së detyrës” (neni 143 i Kodit Penal) dhe “Diskriminim racor dhe të tjera” (neni 417, paragrafi 1 i Kodit Penal). Kallëzimi penal u rrëzua, pas së cilës u ngrit një ankesë në Prokurorinë e Lartë Publike, e cila mbështeti vendimin e Zyrës.
Para Gjykatës së Strasburgut, aplikanti u ankua për shkelje të nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke pretenduar se i ishte nënshtruar trajtimit çnjerëzor nga një oficer burgu dhe se autoritetet vendase nuk kishin kryer një hetim efektiv mbi akuzat.
Në deklaratën e njëanshme të paraqitur, Qeveria pranoi se kishte pasur shkelje të të drejtave të aplikantit të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Aplikanti vuri në dukje se nuk ishin marrë masa sigurie në përputhje me Konventën, as nuk u parashikuan aktivitete për të kapërcyer problemet strukturore që lidhen me trajtimin çnjerëzor dhe hetimet joefektive në burgje. Gjykata theksoi se ky vendim nuk e lironte Shtetin nga detyrimi për të kryer një hetim në përputhje me kërkesat e Konventës, duke marrë parasysh njohjen e shkeljes së të drejtave të mbrojtura nga Neni 3 i Konventës për të Drejtat e Njeriut.
Pala e dëmtuar u përfaqësua nga avokati Dime Gjorçevski nga Shkupi, anëtar i ekipit të avokatëve të ShMAR. Çështja u zhvillua në kuadër të projekteve “Eliminimi i torturës dhe trajtimit çnjerëzor në burgje dhe institucione për privim nga liria” dhe “Luftimi kundër torturës dhe trajtimit çnjerëzor”, të mbështetura nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuara nga Shoqata Maqedonase e Avokatëve të Rinj dhe Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.






