Gjithnjë e më pak iftare në shtëpi, gjithnjë e më shumë në restorante

    Dikur, darkat e iftarit në muajin e shenjtë të Ramazanit përbënin një nga momentet më të shenjta dhe më të ngrohta familjare. Familjarët mblidheshin rreth sofrës në shtëpi, ndërsa nënat dhe gjyshet përgatisnin ushqimet tradicionale. Besimtarët prisnin me padurim ezanin për të çelur iftarin, ndërsa atmosfera në shtëpi mbushej me qetësi, falënderim dhe bashkim familjar. Ato çaste ishin jo vetëm ushqim për trupin, por edhe për shpirtin, një kohë afrimi mes brezave, bisedash të gjata dhe ruajtjeje të traditave fetare. Në shumë familje, tryezat e Ramazanit nuk mund të imagjinoheshin pa qepën tradicionale të këtij muaji, e cila ishte pothuajse simbol i iftarit.

    Sot, megjithatë, kjo traditë po ndryshon gradualisht. Një pjesë e konsiderueshme e familjeve në Dibër po i zhvendosin darkat e iftarit nga shtëpia në restorante. Gjatë muajit të Ramazanit, restorantet dhe lokalet në qytet shënojnë rritje të madhe të rezervimeve, pasi shumë qytetarë zgjedhin ta kalojnë iftarin jashtë, në ambiente publike. Sipas pronarëve të restoranteve lokale, gjatë mbrëmjeve të Ramazanit kërkesa për rezervime është shumë e lartë dhe shpeshherë vendet rezervohen disa ditë më herët. Familjet, shoqëritë, madje edhe kolektivat e punës organizojnë iftare të përbashkëta në restorante, duke e kthyer këtë traditë fetare në një formë të re të shoqërimit gjatë muajit të shenjtë.

    Besimtarët myslimanë thonë se ky ndryshim lidhet me disa faktorë. Ritmi i shpejtë i jetës, angazhimet e shumta të përditshme, mungesa e kohës për përgatitjen e ushqimit, por edhe dëshira për rehati dhe shërbim të gatshëm kanë bërë që shumë familje të mos e organizojnë më iftarin në shtëpi. Po ashtu, migrimi i të rinjve ka bërë që shumë familje të mbeten me më pak anëtarë, duke e vështirësuar organizimin e darkave tradicionale familjare.

    Nga ana tjetër, restorantet e shohin këtë si një mundësi për zhvillim dhe rritje të biznesit. Menytë e posaçme për iftar, ku nuk mungon qepa tradicionale dibrane e Ramazanit me vezë, sheqerparet dhe kabunia, si dhe ambientet e dekoruara sipas atmosferës së Ramazanit, kanë shtuar interesimin e qytetarëve. Ofertat për familje dhe grupe miqsh kanë sjellë gjallërim në sektorin e shërbimeve, veçanërisht në mbrëmjet e Ramazanit, duke rritur edhe të ardhurat e bizneseve lokale.

    Megjithatë, disa organizata të grave në Dibër, të cilat merren me ruajtjen e traditave të gatimit, qëndisjes dhe të recetave tradicionale, shprehin shqetësimin se kjo prirje po e zbeh gradualisht traditën e iftareve familjare në shtëpi. Anife T., 68 vjeçe, kujton me nostalgji atmosferën e dikurshme të Ramazanit. “Kishin shumë lezet darkat e iftarit që i shtronim më parë në shtëpi. Sot shumica e grave punojnë dhe nuk kanë kohë të përgatisin ushqimet në shtëpi, prandaj shumë familje po i organizojnë iftaret në restorante. Sofra e shtëpisë kishte një domethënie të veçantë emocionale dhe kulturore, ku brezat takoheshin, ndanin histori dhe forconin lidhjet familjare. Kur iftari zhvendoset në restorant, ekziston rreziku që ai të kthehet vetëm në një aktivitet konsumator dhe të humbasë ngrohtësinë familjare. Megjithatë, më e rëndësishmja është që iftaret të ruhen dhe familjarët të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit, duke vizituar e duke ftuar mysafirë”, thotë ajo.

    Ndryshimi i mënyrës së organizimit të iftareve pasqyron edhe transformimet shoqërore që po përjeton Dibra. Nga një traditë e mbështetur fort te familja dhe shtëpia, sot po kalojmë drejt një modeli më modern dhe urban të jetesës. Sfida mbetet ruajtja e vlerave shpirtërore dhe familjare të Ramazanit, pavarësisht nëse iftari shtrohet në sofrën e shtëpisë apo në tavolinën e një restoranti. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    EShS: çmimet në restorante dhe kafene në rritje

    Lajmi i rradhës

    Ekspertët paralajmërojnë: lufta në Lindjen e Mesme mund të nxisë inflacion të ri

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë