Konflikti në Lindjen e Mesme mund të rëndojë ekonominë në Maqedoni

    Konflikti në Lindjen e Mesme mund të ketë pasoja serioze edhe për ekonominë në Maqedoni në rast të zgjatjes për më shumë se një 30 ditë. Për më tepër edhe shtrenjtimet e fundit të karburanteve ku nafta u shtrenjtua me 14.5 denarë, dhe benzina me pesë denarë, gjithnjë nëse ekzekutivi nuk reagon me anulimin e një pjese të tatimeve siç janë akcizat mund të thellojë edhe më tej shtrenjtimet duke filluar nga transporti, prodhimet, shërbimet…

    Vlerësohet se nëse kriza zgjat për më shumë se një muaj edhe pasojat do të jenë më të mëdha. Nëse kriza është me afat të shkurtër, si sulmi i parë ndaj impiantit të pasurimit të uraniumit vitin e kaluar, çmimet mund të stabilizohen. Por nëse tensionet thellohen, efektet do të jenë serioze. Me fjalë tjera, për shkak të rritjes së çmimit të naftës, çmimet e të gjitha produkteve do të rriten, domethënë do të jetë baza për rritjen e inflacionit. Disa nga masat janë tashmë të njohura, dhe ajo është ulja e TVSH-së dhe akcizës për importet e energjisë. Megjithatë, që kjo të ndodhë, sipas rregulloreve, duhet të shpallet gjendja e krizës.

    Njëherësh një problem i madh për vendet importuese të energjisë, përfshirë Maqedoninë, është se do të ishin të ekspozuara ndaj një rritjeje të çmimeve dhe presionit mbi inflacionin vendas.

    Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, tha se ngjarjet po monitorohen çdo ditë dhe qeveria është e përgatitur të reagojë nëse kriza thellohet. “Lidhur me luftën aktuale në Iran, dua të them se po e monitorojmë situatën çdo ditë. Krizat globale me siguri do të ndikojnë në vendin tonë dhe ne jemi gati të reagojmë. Është shumë herët për të parashikuar se sa do të zgjasë kriza dhe çili do të jetë ndikimi ekonomik. Nëse kriza thellohet, qeveria do të marrë masa për të zbutur ndikimin tek qytetarët. Një nga opsionet është kufizimi i marzheve tregtare në 10 dhe 5 për qind, dhe nëse kriza zgjat më shumë, është e mundur edhe një ngrirje e çmimeve të produkteve ushqimore bazë. Nëse kriza thellohet, ne do të përdorim të gjitha mekanizmat administrativë për të përmbushur nevojat e qytetarëve”, tha Durmishi për TV 21.

    Megjithatë, rritja e papritur e çmimeve të naftës mund të shkaktojë tronditje në pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë maqedonase, vlerëson eksperti i energjisë Mitko Andreevski.

    Sipas tij, nëse situata nuk përfundon shpejt, më të goditurat do të jenë transporti dhe logjistika, bujqësia, ndërtimi, si dhe industria metalurgjike, të cilat varen kryesisht nga derivatet e naftës dhe kostot e transportit. Nga LSDM opozitare i kanë bërë thirrje Qeverisë të ulë menjëherë çmimet e karburanteve dhe të pranojë masat e LSDM-së për uljen e TVSH-së për karburantet nga 18% në 5%, uljen e akcizës me 4 denarë dhe uljen e TVSH-së për produktet bazë ushqimore në zero për qind.

    Njëherësh në krizat globale të energjisë, ekonomitë e vogla si Maqedonia shpesh ndiejnë një goditje më të fortë inflacioniste sesa ekonomitë e mëdha, sepse ato kanë më pak mekanizma mbrojtës.

    Shtrohet edhe pyetja se sa hapësirë fiskale ka për huamarrje të re, nëse lind një nevojë e tillë, në një situatë kur borxhi publik është afër limitit psikologjik prej 60 për qind të PBB-së, kur deficiti buxhetor parashikohet në 3.5 për qind të PBB-së dhe kur miliarda euro borxh duhet të paguhen në vitet e ardhshme.

    Sektori i bujqësisë do të ndiejë një kosto jashtëzakonisht të madhe, pasi çdo rritje e çmimit të naftës ndikon drejtpërdrejt në koston e përpunimit dhe transportit të ushqimit. Meqenëse ushqimi në Maqedoni ka arritur një nivel të lartë çmimesh, rritja shtesë e produkteve të energjisë do të thotë që prodhuesit vështirë se do të jenë në gjendje të mbulojnë kostot bazë të prodhimit pa rritje të çmimeve. Në sektorin e transportit, rritja e çmimeve të karburantit vepron si katalizator për inflacionin e përgjithshëm. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Kolektori që duhet të mbrojë Liqenin e Ohrit është i paligjshëm

    Lajmi i rradhës

    Përdorimi i ilaçeve për dobësim, mund të rrisë rrezikun e osteoporozës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë