Projekt-Strategji për Zhvillimin e Kulturës për periudhën 2026–2030 është gati. Përmes një njoftimi Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka bërë me dije se këto ditë dokumenti fillimisht do të publikohet në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve dhe e më pas do të do të vihet në konsultim të gjerë publik.
Strategjia identifikon pesë fusha prioritare përmes të cilave do të zbatohen reformat kulturore në periudhën e ardhshme pesëvjeçare, si inkurajimi dhe kultivimi i cilësisë dhe diversitetit të shprehjeve krijuese në arte, mbrojtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të trashëgimisë kulturore, riformësimin e modeleve të menaxhimit kulturor me autonomi më të madhe institucionale, digjitalizimin dhe transformimin digjital në kulturë, si dhe promovimin e kulturës si një burim për zhvillim krijues, shoqëror dhe ekonomik.
“MKT është e përkushtuar të sigurojë që procesi i hartimit dhe miratimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Kulturës të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent, përmes dialogut konstruktiv me të gjithë palët e interesuara në sektorin kulturor”, njofton MKT.
Strategjia u hartua nga një grup pune i formuar nga MKT, drejtuar nga Ganka Cvetanova, si edhe në konsultim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve, si dhe me më shumë se 50 përfaqësues nga institucione, institucione shkencore, sektori civil dhe privat, shoqata profesionale, autorë, artistë dhe profesorë nga institucionet e arsimit të lartë.
Si pjesë e përgatitjes, u bënë analiza për periudhën 2019-2024, dhe dokumenti u shqyrtua edhe nga ekspertë të UNESCO-s.
Strategjia Kombëtare për Zhvillimin e Kulturës është një dokument strategjik kyç përmes të cilit shteti përcakton kornizat e nevojshme institucionale, mjetet dhe masat administrative, si dhe qëllimet dhe aktivitetet prioritare në fushën e kulturës për një periudhë prej pesë vitesh.
Por si të tilla strategjitë e kulturës nuk e kanë kryer misionin e tyre, nuk janë implementuar në tërësi, apo brenda afateve katërvjeçare.
Vetë Ministria e Kulturës në dokumentin Strategjia nacionale dhe plani aksional 2023-2027 vëren se nga Strategjia 2018-2022 janë realizuar vetëm një pjesë e vogël e masave të planifikuara, ndërsa strategjia nuk është zbatuar aspak. Në ndërkohë në fuqi vazhdon të mbetet ligji i vjetër i kulturës, i miratuar në vitin 1998, i cili për gjatë kësaj periudhe ka pësuar 16 ndryshime dhe plotësime. I riu ende nuk është gati nga MKT. /Koha/






