Gjykata e Tetovës vendosi që Taravari të jetë kryetar legjitim i ASh-së

    Gjykata Themelore e Tetovës ka vendosur në lidhje me përplasjet brenda Aleancës për Shqiptarët, duke i dhënë të drejtë krahut të udhëhequr nga Arben Taravari dhe duke refuzuar kërkesat e paraqitura nga Zijadin Sela.

    Sipas vendimit të marrë pas seancës dëgjimore të mbajtur më 3 mars 2026, gjykata ka pranuar kërkesën e Taravarit për ndryshime në statutin e partisë. Me këtë vendim, shfuqizohet statuti i miratuar në Kongresin e jashtëzakonshëm të 24 dhjetorit 2022, ndërsa në fuqi rikthehet statuti i miratuar më 27 mars 2022, në përputhje me vendimin e Kongresit të jashtëzakonshëm të mbajtur më 16 shkurt 2024 në Shkup.

    Në të njëjtën kohë, gjykata ka refuzuar si të pabazuara kërkesat e paraqitura nga Ziadin Sela, i cili kishte kërkuar që të regjistrohej si kryetar i ri i partisë në vend të Arben Taravarit, si dhe të miratoheshin ndryshime të reja në statut.

    “Miratohet kërkesa e partisë politike Aleanca për Shqiptarët Tetovë e paraqitur nga Arben Taravari (e datës 07.03.2024) për regjistrim në Regjistrin gjyqësor të partive politike që mbahet në Gjykatën Themelore të Tetovës, duke ndryshuar statutin e Aleancës për Shqiptarët, si  vijon: Statuti i miratuar në Kongresin e 3-të të jashtëzakonshëm të mbajtur më 24.12.2022 shfuqizohet dhe Statuti i miratuar në Kongresin e 2-të të partisë politike Aleanca për Shqiptarët të datës 27.03.2022 regjistrohet në Regjistrin gjyqësor të partive politike në përputhje me vendimin nr. 86-02/2024 të Kongresit të 4-t të jashtëzakonshëm të mbajtur më 16.02.2024 në Shkup. Kërkesa për regjistrim në Regjistrin gjyqësor të partive politike që mbahet nga Gjykata Themelore e Tetovës për ndryshimin e kryetarit të partisë politike Aleanca për Shqiptarët me seli në Tetovë në rrugën V.S.Bato nr. 1, e paraqitur nga Zijaden Sela, dhe kërkesa për ndryshimin e Statutit të partisë Aleanca për Shqiptarët e paraqitur nga Zijaden Sela, REFUZOHEN SI E PABAZUARA”, thuhet në vendim.

    Lajmi Paraprak

    Konflikti në Lindjen e Mesme rrezikon çmimet e prodhimeve bujqësore në RMV

    Lajmi i rradhës

    Si po përpiqet media shtetërore iraniane të ndikojë në Bosnje dhe Hercegovinë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë