Ziadin Sela thotë se do të vazhdojë betejën në Gjykatën e Apelit për të marrë emrin e partisë Aleanca për Shqiptarët. Sela tha se ka krijuar një parti rezervë, që pavarësisht vendimit gjyqësor, të mund të garojë në zgjedhje pa u varur nga, siç thotë ai, vulat e partive të tjera, përcjell Nistori.
“Nuk kam dashur t’ia lë rastësisë asgjë dhe kam krijuar parti politike, në mëynrë që mos të varem kur të vijnë zgjedhjet, nga vulat e partive të tjera, por të mund të garojë i vetëm në zgjedhje. Ndërsa do të vazhdojmë betejën në Apel”, tha Sela.
Sela justifikimet e qeverisë për ndërprerjen e ndërtimit të segmentit Strugë-Qafë Thanë i ka quajtur boshe dhe banale, në kuadër të projektit për Korridorin 8. Ai tha se nëse duhet të flitet për standardet e UNESCO, atëherë duhet të flitet për ndërtimet pa leje në rajonin e liqenit të Ohrit.
“Nëse duhet të flasim për UNESCO-n, duhet të flasim duhet të flasim për objektet pa leje, të cilat janë me mijëra në Liqenin e Ohrit, në qytetin e Ohrit dhe Strugës. Nëse flasim për zonën e UNESCO-s, ku në kontekst më tepër vendoset Struga sesa Ohrit, duhet thënë një e vërtet se Korridorit 8, nga Trebenishta në Qafë Thanë, në të gjithë këtë trajektore, nga Liqeni i Ohrit është së paku në vijë ajrore larg 1 km, nëse flasim për segmentin e autostradës Kërçovë-Ohër dhe Ohrin, ky segment, kjo linjë ajrore e afërsisë së autostradës me Liqenin e Ohrit, ka vende ku kjo distancë nuk është as edhe dhjetëra metra. Kështu që është e qartë, është vazhdimësi i një politikëbërje të sëmurë”, tha Sela, duke i bërë thirrje faktorit politik shqiptar në pushtet dhe faktorit ndërkombëtar që të reagojnë për këtë vendim. /Nistori/






