una e Strugës njofton se realizimi i Korridorit VIII konsiderohet i domosdoshëm, duke u fokusuar veçanërisht në segmentin Trebenishtë – Qafë Thanë. Kryetari i komunës, Mendi Qyra, thotë se institucionet duhet të veprojnë në mënyrë të koordinuar dhe të përgjegjshme, duke u përpjekur të harmonizojnë nevojat zhvillimore me rekomandimet e UNESCO-s, çështje e trajtuar edhe në takimin e nivelit të lartë në Paris gjatë muajit shkurt, shkruan Nistori.
“Realizimi i Korridorit VIII nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri për zhvillimin e Strugës, Maqedonisë së Veriut dhe gjithë rajonit. Ky projekt strategjik ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, ndërlidhjen infrastrukturore dhe perspektivën evropiane të vendit, dhe si i tillë paraqet prioritet të lartë. Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, është i vendosur se realizimi i segmentit Trebenishtë – Qafë Thanë është i domosdoshëm dhe duhet të vazhdojë. Ai thekson se institucionet duhet të veprojnë në mënyrë të koordinuar dhe të përgjegjshme, duke siguruar një zgjidhje që harmonizon nevojat zhvillimore me rekomandimet e UNESCO-s, çështje e trajtuar edhe në takimin e nivelit të lartë në Paris gjatë muajit shkurt”, thuhet në njoftim.
Komuna thotë se ka dhënë mendim pozitiv për projektin në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe ka mirëpritur iniciativën e kompanisë Bechtel Enka për organizimin e një takimi publik konsultativ që do të mbahet nesër në sallën e Këshillit të Komunës së Strugës në ora 12:00.
“Në funksion të transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve, Komuna mirëpret iniciativën e kompanisë Bechtel Enka për organizimin e një takimi publik konsultativ. Takimi publik do të mbahet nesër (e martë) në ora 12:00, në sallën e Këshillit të Komunës së Strugës”, thuhet në njoftim.
Qasje të ndryshme për Korridorin 8: Mickoski apo Zekolli garanton realizimin e projektit?
Deklaratat e fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe zëvendësministres së Transportit Kaltrina Zekolli Shaqiri tregojnë një dinamikë të ndryshme në qasjen e ekzekutivit ndaj projekteve infrastrukturore dhe sfidave ndërkombëtare që lidhen me to.
Mickoski konfirmoi se segmenti Trebenishtë–Qafë Thanë i autostradës Ohër–Kërçovë mund të mos realizohet në formën e planifikuar fillimisht, duke e lidhur këtë me kufizimet që burojnë nga mbrojtja e zonave të përfshira në listën e UNESCO.
“Ky segment me shumë gjasë nuk do të mbetet në plan, sepse kjo nuk varet nga ne, por varet nga UNESCO,” deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se vendimi përfundimtar ende nuk është marrë, por diskutimet janë në zhvillim, ndërsa qëllimi mbetet sigurimi i një lidhjeje funksionale ndërmjet dy pjesëve të rrugës.
“Po kërkohet mënyra se si të përmbyllet edhe kjo tërësi… në mënyrë që përsëri të kemi komunikacion të sigurt,” theksoi ai.
Ky qëndrim vjen në një moment kur projekti i autostradës Kërçovë–Ohër përballet me sfida financiare dhe vonesa. Mickoski njoftoi se financimi nga China Exim Bank është ndërprerë, dhe se qeveria po kërkon burime alternative përmes bankave vendore.
“Financimin për përfundimin e autostradës… po e vazhdojmë me fonde që… do t’i marrë hua nga bankat vendore.”
Në të njëjtën kohë, ai u shpreh optimist se projekti mund të përfundojë brenda afatit të ri, deri në mesin e majit 2027, ndërsa theksoi se pjesa më e madhe e punimeve tashmë është realizuar.
Nga ana tjetër, zëvendësministrja Kaltrina Zekolli Shaqiri sa i përket Korridorit 8, duke insistuar se lidhja me Shqipërinë nuk është e rrezikuar, por vetëm në proces përshtatjeje teknike.
“Lidhja e autostradës Strugë – Qafë Thanë do të realizohet,” deklaroi ajo.
Sipas saj, sfida kryesore lidhet me faktin se në fazën fillestare të projektimit nuk është kërkuar mendim nga UNESCO, gjë që ka sjellë nevojën për rishikim të planit.
“Po zgjidhet modaliteti më i përshtatshëm në koordinim me UNESCO-n,.. në mënyrë që ky projekt të mos pengohet,” theksoi Zekolli-Shaqiri.
Ajo e paraqet këtë proces si pjesë të një qasjeje më të gjerë institucionale për të shmangur rreziqet ndaj statusit ndërkombëtar të vendit dhe për të siguruar përputhshmëri me standardet globale.
Nga ana tjetër, kryetari i degës së BDI-së në Strugë, Faton Pollozhani, ka reaguar pas deklaratës së fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski, duke ngritur shqetësime serioze për realizimin e plotë të Korridori 8.
Edhe Ziadin Sela justifikimet e qeverisë për ndërprerjen e ndërtimit të segmentit Strugë-Qafë Thanë i ka quajtur boshe dhe banale, në kuadër të projektit për Korridorin 8. Ai tha se nëse duhet të flitet për standardet e UNESCO, atëherë duhet të flitet për ndërtimet pa leje në rajonin e liqenit të Ohrit. /Nistori/






