Totaj i Prizrenit thotë se mungon transparenca, ndërsa Kasami flet për progres në rrugën Tetovë–Prizren

    Kryetari i Komunës së Prizren, Shaqir Totaj, deklaroi se mungojnë informacionet dhe transparenca lidhur me punimet në rrugën Prizren–Tetovë, një projekt i rëndësishëm ndërkufitar, përcjell Nistori.

    “Kjo rrugë nuk mund të ndërtohet pa pasur bashkëpunim mes dy qeverive! Nuk e di sa ka bashkëpunim, nuk e di sa ka nënshkrim të marrëveshjeve,” tha Totaj gjatë takimit të së premtes të Asamblesë së Unionit të Bashkive Shqiptare në Tetovë. Ai akuzoi qeverinë e Kosovës për mungesë transparence në këtë projekt.

    “Në Kosovë ka punime që po realizohen. Ne po ballafaqohemi me mungesë të transparencës dhe me mungesë të informacioneve të sakta se çka po punohet, në çfarë drejtimi po punohet edhe shumë informacione të tjera që do të duhej të ishin publike, që ne nuk i kemi. Por projekti si i tillë, ideja për një projekt të tillë gjithsesi duhet të përshëndetet dhe duhet të besojmë se do të realizohet”, shtoi Totaj.

    Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkomunal në kuadër të Unionit të Bashkive Shqiptare, duke e cilësuar projektin si të rëndësishëm për rritjen e komunikimit mes shqiptarëve në rajon.

    Ndërkohë, pavarësisht zvarritjes së procedurave në nivel qendror për tenderimin e rrugës Tetovë–Prizren, Kasami në brifingun e fundit me gazetarët në Tetovë, tha se në terren kanë nisur punimet për një segment lokal në Malësinë e Tetovës, që pritet të lidhet me projektin kryesor dhe tunelin e planifikuar.

    Kasami sqaroi gjithashtu detajet e trasës së projektit, duke bërë të ditur se rruga e re do të nisë nga aksi Tetovë–Kodra e Diellit, mbi fshatin Shipkovicë, dhe do të vazhdojë deri te ura në dalje të fshatit, në drejtim të rrugës për Brodec, ndërsa pjesa tjetër do të bazohet në zgjerimin e rrugës ekzistuese.

    “Do të jetë nga rruga Tetovë-Kodra e Diellit, kthesa mbi Shipkpovicë që është deri në dalje të Shipkovicës më konkretisht lumi që është në dalje të Shipkovicës. Ura që është aty në atë pjesën andej urës do dalë dhe pjesa tjetër e rrugës Tetovë-Prizren do të jetë pjesa e rrugës ekzistuese vetëm do të bëhet zgjerimi i rrugës. Punimet kanë filluar në terren, informatat që kemi është bërë identifikimi i trasenë dhe do të vazhdojnë punimet në terren për depërtimin e të njëjtës”, pohoi Bilall Kasami – kryetar i Komunës së Tetovës.

    Edhe deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, në TV21 deklaroi se projekti po avancon dhe se punimet tashmë kanë filluar në një pjesë të tij.

    “Komuna e Tetovës ka ndarë mjete konkrete në këshill, 18 milionë denarë për segmentin Shipkovicë – Bozovcës dhe është duke u punuar për segmentin i cili do të vijë para tunelit. Atë që e ka thënë edhe kryetari edhe ne, ju jeni dëshmitarë që ne e bëjmë realitet. Shumë shpejt do të bëhet tenderimi për projektimin e tunelit dhe do të nisin hapat për realizimin e tij”, tha Adnan Azizi – deputet i VLEN.

    Projekti i rrugës Tetovë–Prizren konsiderohet një nga lidhjet kyçe infrastrukturore ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa realizimi i tij mbetet i varur nga koordinimi institucional dhe procedurat në nivel qendror. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Ryshfet, favore e kaos institucional! | Akuza të rënda për vendin

    Lajmi i rradhës

    Pendarovski: LSDM-ja rrezikon një rezultat edhe më të keq në zgjedhjet e ardhshme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë