Aktivisti dhe njëri nga organizatorët e protestave së studentëve të jurisprudencës, Mevlan Ademi sot është ftuar në stacionin policor në Bit Pazar për të dhënë deklaratë lidhur me organizimin e protestave të fundit.
Ademi në deklaratë për Fakti ditor deklaroi se para tij në stacion policor është marrë në pyetje edhe kolegu i tij, Jon Selimi, bashkëorganizator i protestave studentore.
“Me të nisur në stacion policor njoftimin për protestën e së hënës, kolegu Jon Selimi është mbajtur për një kohë ndërsa është marrë në pyetje. Po mbrëmë, policia më çoi ftesë që të paraqitem në stacion për bisedë, konkretisht ti përgjigjem pyetjeve që i ka policia për mbarëvejtjen e protestës. Pyetjet dje drejtuar kolegut Jon Selimi kanë qenë nëse do ketë megafonë, pankarta si do shkoj protesta…, ndërsa sot pres unë të shohë çfarë pyetje do më bëjnë”, tha Ademi.
Ndryshe, protesta është paralajmëruar për më 6 prill, në orën 12:30, në Shkup, me nisje nga Ura e Gurit. Studentët kanë ftuar përfaqësitë diplomatike që të monitorojnë zhvillimet lidhur me këtë çështje.
Sipas njoftimit, protesta synon të adresojë, siç thuhet, mohimin në praktikë të së drejtës për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, e drejtë kjo që studentët theksojnë se është e garantuar me Kushtetutë dhe me ligj. /Nistori/






