Nga Hëna te jurisprudenca: kontrasti ynë real

    Belkis Latifi

    Këto ditë ishim dëshmitarë të dy ngjarjeve, edhe pse pa ndonjë sinkronizim gjeopolitik dhe demografik mes tyre. Dua të tërheq një paralele për të vënë në pah dy nivele dhe dy qasje.

    Astronautët e Artemis II bënë udhëtimin më të largët nga planeti Tokë. Rekordi që arritën është 252,757 milje apo 406,772 kilometra. Ata u nisën më 01.04.2026 dhe misioni i tyre do të zgjasë 10 ditë, me qëllim që të fluturojnë rreth Hënës.

    Ndërkohë, më 06.04.2026, në Republikën e Maqedonisë së Veriut kishim protestën studentore për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

    Eh po, secili me hallet e veta. Përderisa bota e zhvilluar merret me udhëtime qindra e mijëra kilometra larg planetit Tokë, shteti ynë, pretendent për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ende nuk gjen gatishmëri për të përmbushur një të drejtë e cila rrjedh nga Kushtetuta dhe ligji.

    Disa herë, nëpër prononcimet e tyre, eksponentë të ndryshëm thonë se kjo çështje do të rregullohet. “Jemi duke punuar që t’u mundësojmë studentëve që provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën shqipe.”

    Dhe, krejt në fillim, qëndron problemi. Pra, themeli i problemit qëndron në atë se nuk kemi çfarë të rregullojmë në këtë rast. Debati nuk duhet të zhvillohet mbi atë se ne duhet të rregullojmë diçka, sepse nuk kemi çfarë të rregullojmë; thjesht duhet të implementojmë.

    Ligji për përdorimin e gjuhëve është miratuar në vitin 2018, me të cilin u bë operacionalizimi i normës kushtetuese si normë e përgjithshme, për dallim prej ligjit të miratuar në vitin 2008, i cili nuk ishte kurrfarë solucioni për Amendamentin V.

    Në Ligjin për përdorimin e gjuhëve, në nenin 1, paragrafi 3, thuhet: “Në të gjitha organet e qeverisjes shtetërore në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, institucionet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë që ushtrojnë autorizime publike në përputhje me ligjin dhe institucionet e tjera, gjuhë zyrtare, përveç gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj, është edhe gjuha që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe shkrimi i saj, në mënyrë të përcaktuar me këtë ligj.”

    Nënvizoj: më sipër përmenden edhe komisionet. Rrjedhimisht, edhe te Komisioni për provimin e jurisprudencës, gjuhë zyrtare është edhe gjuha që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, përkatësisht gjuha shqipe. Pra, baza qëndron te dispozitat e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

    Këtu kemi lex specialis (ligj special), dhe kjo çështje rregullohet dhe zgjidhet me Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe jo me ligjin për provimin e jurisprudencës, sepse ligji për përdorimin e gjuhëve zbatohet në këtë rast në raport me të gjitha aktet e tjera normative.

    Kjo do të thotë se në këtë rast nuk kërkohet rregullim, por zbatim pragmatik i dispozitave ligjore. Argumenti se përse nuk është rregulluar kjo çështje për dy dekada nuk qëndron, për shkak se për t’u implementuar gjuha shqipe në komisione si Komisioni për provimin e jurisprudencës nuk ka mjaftuar vetëm ligji i miratuar në vitin 2008, por është dashur të miratohet Ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili është miratuar në vitin 2018. Mbi interpretimin e dispozitave të tij kërkohet thjesht mundësia e implementimit për dhënien e provimit në gjuhën shqipe dhe kurrfarë rregullimi tjetër.

    Një poet mistik, Rumi, thotë: “Ne nuk kuptohemi, për shkak se nuk ndjehemi.” Rrjedhimisht, moslejimin e dhënies së provimit në gjuhën shqipe nuk e shoh ndryshe, veçse si ndjesi të supremacisë etnike.

    Një qytetar kishte shkuar te kadiu (gjykatësi) dhe i kishte thënë: “Z. gjykatës, lopa jote e kishte lënduar lopën time!” Gjykatësi i kthehet: “Po kafshë janë, ndodh; çka të bëjmë?” Pas kësaj, qytetari i thotë: “Jo, gabova, z. gjykatës, në fakt lopa ime e kishte lënduar lopën tënde.” “Eh,” tha ai, “pasi qenka kështu, atëherë duhet ta çelim qitapin (librin, ligjin) dhe ta shohim se ç’thotë për këtë rast!”

    Studentët nuk kërkojnë privilegje; ata thjesht kërkojnë të drejtën e tyre që rrjedh nga Kushtetuta dhe ligji.

    Ejvallah.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Dezinformimi, sfidë globale që nuk e anashkalon as RMV-në

    Lajmi i rradhës

    Interpretimi i Dautit për zyrtarizimin e gjuhës shqipe në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë