Shqiptarët dhe maqedonasit në udhëkryq

    Sead Zimeri
    Filozof

    Në Maqedoni ekzistojnë de facto dy shoqëri që nuk dinë si të flasin me njëra-tjetrën. Shqiptarët dhe maqedonasit nuk i ndajnë shkollat, nuk banojnë në të njëjtat vende, nuk shkëmbejnë mendime dhe kulturë përmes seminareve apo shkëmbimeve universitare, nuk frekuentojnë teatrot dhe objektet e kulturës së njëri-tjetrit. Jemi plotësisht të huaj për njëri-tjetrin. Krejt marrëdhënia jonë me maqedonasit, dhe marrëdhënia e tyre me neve, është dhe bëhet përmes politikanëve, që nuk janë as përfaqësuesit më të mirë që kemi. Politikanët tanë dinë vetëm t’i manipulojnë paragjykimet tona kundër njëri-tjetrit, andaj edhe situata sa vjen e përkeqësohet. Komunikimi i vetëm ndërmjet nesh është nëpër komentet që i bëjmë politikanëve të palës tjetër. Dy shoqëri të traumatizuara, të lodhura e të rraskapitura nga urrejtja dhe frika, jetojnë në getot e tyre pa asnjë kontakt thelbësor me njëra-tjetrën.

    Kjo gjendje është e pamundur të vazhdojë përgjithmonë. Një shtet i përbashkët që funksionon mbi bazën e izolimit të plotë të komuniteteve të veta është një kontradiktë; pa e zgjidhur këtë kontradiktë, shteti ose do të thyhet ose do të vazhdojë të mos funksionojë për askënd. Dhe megjithatë, gjithë këto energji që konsumohen nga të dyja palët nuk japin asnjë frut konkret, sepse i kemi kapur gjërat mbrapsht. Të dyja komuniteteve u duhet një dialog i mirëfilltë me njëri-tjetrin, një dialog ndërkulturor që përfshin gati të gjitha shtresat e shoqërisë, nga të dyja palët. Ky dialog është i domosdoshëm për çfarëdo koncepti qytetar të shtetit të Maqedonisë, edhe pse përfaqëson formën më të thjeshtë, më bazike, të një koncepti të tillë. Një lloj nacionalizmi civik kërkon që qytetarët, pavarësisht dallimeve të tyre, t’i tejkalojnë ndasitë jopolitike dhe të angazhohen në politikat që janë të mira për shtetin dhe qytetarët në përgjithësi. Kjo është larg realitetit tonë, ndonëse duhet të jetë ideali drejt të cilit drejtohemi, përderisa kemi vendosur të jetojmë në një shtet të përbashkët.

    Unë nuk i kuptoj politikat irracionale që i kemi bërë deri më tani dhe që fatkeqësisht ende vazhdojmë t’i bëjmë. Nuk është e arsyeshme që ne nuk e mendojmë këtë çështje më seriozisht, që asnjëra palë nuk e merr përsipër, sidomos ajo maqedonase që është shumicë në këtë vend, të krijojnë kushte për njohje të ndërsjellët, në mënyrë që bashkëekzistenca e drejtë dhe e barabartë të bëhet e mundur dhe në mënyrë që shteti të mund të fokusohet në ngritjen e vet dhe të qytetarëve të saj.

    Ekziston një mosmarrëveshje fundamentale në raportet mes shqiptarëve dhe maqedonasve për mënyrën se si duhet të jetojnë bashkarisht. Unë e kuptoj tundimin por edhe frikën e maqedonasve që ta konsiderojnë shtetin si vetëm të tyren. Arsyetimi i tyre mbështetet zakonisht në faktin që shqiptarët kanë dy shtete tjera, prandaj Maqedonia duhet të mbetet maqedonase. Por ky arsyetim nuk qëndron, dhe ia vlen ta shqyrtojmë me kujdes, sepse pikërisht ai u jep nacionalistëve maqedonas lejen morale për ta trajtuar këtë shtet si pronë ekskluzive të tyre. Ekzistenca e Shqipërisë dhe e Kosovës nuk e ndryshon asnjë të drejtë të shqiptarëve të Maqedonisë ndaj vendit ku jetojnë, punojnë, paguajnë taksa, rrisin fëmijët e tyre, dhe ku janë vendosur prej brezash. Të drejtat qytetare nuk burojnë nga fakti nëse kombësia jote ka apo nuk ka një shtet tjetër diku; ato burojnë nga fakti që je qytetar i këtij shteti. Askund në botë nuk pranohet parimi që të drejtat e një qytetari zvogëlohen ngaqë kombësia e tij ka shtet tjetër. Të pretendosh të kundërtën do të thotë të mohosh thelbin e qytetarisë si koncept. Prandaj ky argument, përveç se është i dobët, është edhe dashakeqës; nuk u do të mirën shqiptarëve në të, por kërkon ta legjitimojë shtypjen e tyre.

    Shqiptarët e Maqedonisë janë të këtij vendi, janë në vendin e tyre, dhe fakti që ka dy apo njëzet shtete shqiptare nuk përbën asnjë arsye që ata, nëse nuk u pëlqen sistemi aktual në të cilin jetojnë, e që është plotësisht i padrejtë sepse favorizon një komb në dëm të gjithë të tjerëve, të strehohen tek shtetet shqiptare. Kushdo që e mendon këtë, ka probleme shumë të mëdha, sepse shqiptarët janë këtu, dëshën apo nuk dëshën nacionalistët dhe shovinistët maqedonas, sikur që maqedonasit janë këtu, dëshën apo nuk dëshën nacionalistët dhe shovinistët shqiptare. Kjo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet, në mënyrë që qytetarët e këtij shteti të mund të jetojnë të lirë nga presionet paragjykuese që i kemi kundër njëri-tjetrit.

    Rritja e numrit të shqiptarëve përbën shqetësim për maqedonasit, sepse mendojnë që shqiptarët do t’ua bëjnë sikur që ata po ua bëjnë shqiptarëve sot, dhe që shteti i “tyre” do të marrë një karakter krejtësisht të ndryshëm, dhe maqedonasit do të humbin identitetin e tyre. Unë mendoj që kjo frikë është e pabazë, dhe duhet sa më shpejt të çlirohet nga ajo, aq më tepër kur ajo përbën arsyetimin e shtypjes së shqiptarëve, trajtimin e tyre si qytetarë të rangut të dytë. Problemi më i madh, megjithatë, më duket mua, është që maqedonasit kanë mbetur aty ku ishin, dhe duke i parë marrëdhëniet vetëm nga perspektiva e tyre armiqësore, duket sikur nuk mund ta imagjinojnë një realitet tjetër përpos atij aktual, ku ose do jesh shtypës ose do të shtypesh. Kjo dikotomi përbën thelbin e marrëdhënieve armiqësore mes nesh, dhe ajo është e mundur pikërisht sepse maqedonasit nuk kanë evoluuar në mënyrën se si i perceptojnë shqiptarët.

    Dëgjova disa deklarata të kryetares së shtetit, profesoreshë e dalë nga Universiteti Kiril dhe Metodi, e që më shqetësuan thellë. Ajo dukej fare e pavetëdijshme që shqiptarët për të cilët ajo fliste nuk ekzistojnë më pos në imagjinatën e saj, që refuzon të shqyrtojë veten në mënyrë realistike. Kjo nuk është thjesht çështje e një politikaneje të vetme; ajo ilustron pikërisht problemin strukturor që e përmenda: shumica e elitës maqedonase vazhdon t’i perceptojë shqiptarët përmes një imazhi të vjetruar, të formuar para dy dekadash, pa marrë mundimin ta përditësojë atë imazh përballë realitetit. Ajo nuk ka idenë kush janë shqiptarët sot, çfarë duan, ndoshta ngaqë ka njohur vetëm politikanët shqiptare dhe është zhgënjyer, njëjtë sikur unë zhgënjehem kur i dëgjoj politikanët dhe analistët maqedonas.

    Nëse ne duam të jetojmë në këtë shtet, atëherë duhet të fillojmë të mendojmë për alternativa më të mira, por asgjë nuk mund të arrihet nëse këto dy komunitete nuk vendosin të flasin me njëri-tjetrin, t’i thyejnë paragjykimet që kanë për njëri-tjetrin, së paku ato më të rrezikshmet. Asgjë nuk mund të bëhet pa një hap të tillë. Tani, nëse ky izolim i ndërsjellët është qëllimi i tyre, atëherë le të vazhdojmë kështu, por nëse duan që Maqedonia të vazhdojë të ekzistojë si shtet funksional, atëherë duhet ndryshuar marrëdhëniet tona mes vete.

    Ndryshimi nuk fillon me deklarata politike, por me veprime konkrete që e thyejnë izolimin. Na duhen shkolla të përbashkëta ku fëmijët shqiptarë dhe maqedonas mësojnë së bashku, së paku në disa lëndë apo projekte. Na duhen programe shkëmbimi universitare mes universiteteve shqiptare dhe maqedonase brenda vendit, seminare të përbashkëta ku intelektualë, studentë, dhe qytetarë të zakonshëm diskutojnë çështje që i prekin të gjithëve. Na duhen nisma kulturore ku teatrot, festivalet, dhe institucionet e kulturës së njërit komunitet hapen për tjetrin. Na duhen media që raportojnë jo vetëm për krizat, por edhe për jetën e përditshme të komunitetit tjetër, në mënyrë që maqedonasi i zakonshëm të dijë diçka për shqiptarët përtej stereotipave, dhe anasjelltas. Këto nuk janë ide utopike; janë praktika të zakonshme në çdo shoqëri shumetnike që funksionon. Deri sa të mos i ndërmarrim, do të vazhdojmë të jetojmë si të huaj në të njëjtin shtet, duke pritur që politikanët ta zgjidhin një problem që ata vetëm e thellojnë.

    Lajmi Paraprak

    Cilësia e debatit në Kuvendin e RMV-së mbetet e dobët, deputetët debatojnë pa argumente

    Lajmi i rradhës

    Profesori Ziberi: shumë pak nga vërejtjet tona janë përfshirë në Ligjin për Arsimin e Lartë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë