Filipçe: qeveria po terrorizon shtetin dhe po instalon urdhra politikë në gjyqësor

    Kreu i LSDM-së Venko Filipçe, në intervistë për Alsat, tha se partia e tij për momentin ka në fuqi vetëm vendimin për bojkotimin e grupit të punës për Kodin zgjedhor, në rast se miratohet shfuqizimi i qeverisë teknike. Ai tha se nuk ka vendim për masa të tjera, duke hedhur poshtë zërat për bojkotimin e mundshëm të Kuvendit. Filipçe shtoi se pretendimet e kryeministrit se LSDM-ja mund të bojkotoi edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë gënjeshtër dhe manipulim, përcjell Nistori.

    Filipçe, akuzoi deputetët e shumicës për “patriotizëm të rremë”, duke pretenduar se shumë prej tyre posedojnë shtetësi bullgare. Filipçe kërkoi që ndalimi i shtetësisë së dyfishtë për zyrtarët e lartë të hyjë në fuqi menjëherë, dhe jo të lihet për mandatin e ardhshëm siç propozon VMRO-DPMNE-ja.

    “Deputetët e VMRO-DPMNE-së e dhanë atë propozim dhe në propozim-ligjin e tyre qëndron kërkesa që kjo të vlejë nga përbërja e ardhshme parlamentare,ata ikin nga përgjegjësia. Ne kemi dorëzuar amendamente që ai ligj të vlejë që nga kjo përbërje aktuale parlamentare, pa le të shohim se sa patriotë janë. Le ta dinë qytetarët se janë patriotë të rremë dhe se gjysma e tyre kanë shtetësi bullgare; kanë atdhe rezervë. Dhe kjo duhet të vlejë edhe për ministrat në qeveri, sepse kush mund të garantojë që këta njerëz që kanë shtetësi tjetër nuk punojnë për interesat e atij shteti tjetër? Këtë askush nuk mund ta garantojë. Në përbërjen tonë parlamentare nuk ka deputetë me shtetësi të dytë. Konsideroj se nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi është shumë e nevojshme në këtë situatë kur njerëz që kanë atdhe rezervë udhëheqin shtetin, që ne të sigurohemi që njerëzit në funksionet më të larta shtetërore të mos kenë atdhe rezervë”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

    Filipçe, vlerëson se qeveria e udhëhequr nga VMRO DPMNE dhe ZNAM nuk ka as vullnet e as kapacitet për reforma, por po fokusohet në kontrollin e drejtësisë dhe urdhërat politikë. Filipçe alarmoi për gjendjen ekonomike, duke theksuar se deficiti buxhetor ka arritur shifra shqetësuese brenda një kohe shumë të shkurtër. Një pjesë të veçantë të reagimit, ai ia kushtoi edhe të drejtave gjuhësore, duke e quajtur vendimin për provimin e jurisprudencës si një akt antievropian që cenon marrëdhëniet ndëretnike në vend.

    “Kjo qeveri nuk punon, as nuk ka ndërmend të ndryshojë asgjë. Ky pushtet i VMRO-së dhe ZNAM-it thjesht po terrorizon shtetin, po terrorizon gjyqësorin, po vendosin njerëzit e tyre partiakë, ndërsa kryeministri nga foltorja e Kuvendit apo në publik u jep urdhra me ndjenja se si të punojnë. Po terrorizohet ekonomia, deficiti i paraparë për këtë vit, këtë muaj ka arritur në 60%. Nga 650 milionë, rreth 400 milionë është tashmë deficiti në buxhet, ndërsa arkëtimi i të hyrave është vetëm 20%. Po terrorizohet demokracia. Shumica qeverisëse voton deklaratë në Kuvend me të cilën ia ndalon opozitës të flasë për një temë të caktuar. Po terrorizohen marrëdhëniet ndëretnike, po rrezikohet një nga postulatet e shtetit. Pse nuk lejohen juristët e rinj të japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare? Kjo nuk ekziston askund në Evropë. Kjo është sjellje antishtetërore, antipopullore dhe antievropiane. E tillë është kjo qeveri”, theksoi lideri i opozitës, Filipçe. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Hekurudhat në Maqedoninë e Veriut me modernizim të vonuar

    Lajmi i rradhës

    Vendi rrezikon të humbasë miliona euro nga BE-ja

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë