Hekurudhat në Maqedoninë e Veriut me modernizim të vonuar

    Qytetarëve nga Draçeva do t’u duhen afër 11 minuta për të arritur në qendër të Shkupit me trenin e shpejtë të qytetit. Një projekt që duhet të lehtësojë ndjeshëm udhëtimin e përditshëm dhe të lehtësojë trafikun. Nëse afatet e paralajmëruara përmbushen, treni i qytetit do të fillojë të funksionojë në shtator të këtij viti.

    Në podkastin për Kurir, Ministri i Transportit, Aleksandër Nikolloski theksoi se ky është një nga projektet më të rëndësishme në të cilin po punohet, megjithëse nuk është edhe aq i madh.

    “Së pari, do të ndihmojë shumë në uljen e ndotjes në Shkup, së dyti, do të ndryshojë sistemin e jetës në vendbanimet periferike dhe, së treti, do të prezantojë një kulturë të përdorimit të më pak automjeteve dhe më shumë trenave. Dhe gjëja më e rëndësishme – këto janë projekte që kanë qytetet më të mëdha evropiane. Ne po e përdorim infrastrukturën ekzistuese që kemi me mençuri, thjesht po e përmirësojmë atë. Tashmë jemi në një fazë të avancuar të linjës që shkon nga Zelenikovë – Draçevë – Lisiçe – Kisella Vodë – Aerodrom deri te stacioni i hekurudhës së re në Shkup. Ajo duhet të përfundojë deri në fund të qershorit në mënyrë që kjo linjë të mund të funksionojë nga 1 shtatori”, njoftoi Nikolloski.

    Paralelisht me këtë, shtoi zëvendëskryeministri, po punohet në projektim me Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe në gjysmën e dytë të këtij viti do të shpallet tender për dy linjat e mbetura – nga Stacioni i ri i trenit nëpërmjet Butel – Shkup Veri deri në Gjorçe Petrov dhe Vollkovë dhe e dyta nga Stacioni i trenit nëpërmjet Avtokomandës deri Maxhari dhe që përfundon në Ilinden. Faza e parë e trenit të qytetit nga Zelenikovë në Qendër është 24.5 kilometra e gjatë dhe kushton 5.7 milionë euro. Seksioni i dytë nga Draçevë në Ilinden është 7.7 kilometra i gjatë dhe kushton 3 milionë euro.

    Nikolloski pret që këto linja të përfundojnë në fund të vitit 2027, apo fillim të vitit 2028. Përskaj kësaj në vjeshtë Shkupi do të marrë 100 autobusë elektrikë, që do të thotë shumë në uljen e ndotjes në qytet.

    Njëherësh Ndërmarrja e Hekurudhës – Transporti nënshkroi një marrëveshje me BERZH-in apo Bankën Evropiane për Zhvillim për të paktën pesë lokomotiva të reja mallrash, dhe po punohet gjithashtu me Bankën Botërore për prokurimin e trenave të rinj. Deri në fund të vitit 2027, pritet që të tre linjat e trenit të qytetit të jenë plotësisht funksionale. Së bashku me prokurimin e 100 autobusëve të rinj dhe sistemin e paralajmëruar BRT, kjo pritet të jetë një hap serioz përpara në cilësinë e transportit publik dhe do të sjellë lehtësim të konsiderueshëm për trafikun në Shkup. Seksioni i parë prej 25 kilometrash po i nënshtrohet një rindërtimi të plotë, duke përfshirë zëvendësimin e traversave të rrënuara prej druri me traversa betoni.

    Këto punime do të mundësojnë drejtimin e automjeteve me shpejtësi deri në 80-90 kilometra në orë, krahasuar me 20 deri në 30 kilometra në orë që është aktualisht. Paralelisht, po punohet për modernizimin e kalimeve rrugore, veçanërisht në Draçevë.

    Treni i qytetit është planifikuar të operojë çdo orë, me përjashtim të orëve të vona të mbrëmjes, dhe orari do të koordinohet me autobusët e ndërmarrjes së autobusit urban për një pritje të lehtë të pasagjerëve. Paralajmërohet që çmimi i biletës të mos jetë më i lartë se çmimi aktual i NQP për linjat më të largëta. Transporti publik në Shkup mund të mbështetet vetëm te autobusët, por nuk ka mjaftueshëm prej tyre. Kryeqyteti është ende duke pritur zbatimin e projektit të Transportit të Shpejtë të Autobusëve (BRT). Projekti i shpallur me ambicie u përball me një sërë kritikash dhe bllokimesh të ashpra në vitet në vijim. Ai u ndalua gjatë mandatit (2021-2025) të ish-kryetares së bashkisë së Shkupit, Danella Arsovska, dhe u bllokua nga disa këshilltarë. Për këtë projekt, qeveria e udhëhequr ish qeveria siguroi një kredi prej 70 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

    Tani, deri në fund të vitit pritet të shpallet një procedurë tenderimi mbi dy baza. Njëra për realizimin e itinerarit nga depoja në Gjorçe Petrov deri në depo në Komunën e Aerodromit. Do ketë edhe tri linjat: Butel – Draçevë, Çento – Saraj dhe Gjorçe Petrov – Novo Lisiçe. Një muaj më parë Qeveria e Republikës së Maqedonisë miratoi Marrëveshjen për zbatimin e projektit “Futja e Transportit të Shpejtë me Autobus në Qytetin e Shkupit”, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për modernizimin e transportit publik dhe përmirësimin e lëvizshmërisë në kryeqytet. Fondet nga kredia e BERZH-it, në shumën prej 70 milionë eurosh, do t’i transferohen Qytetit të Shkupit si fonde të pakthyeshme dhe do të përdoren ekskluzivisht për zbatimin e projektit.

    Marrëveshja parashikon procedura të qarta për tërheqjen e fondeve, menaxhimin e llogarive speciale, si dhe sigurimin e të gjitha lejeve, miratimeve dhe dokumentacionit të nevojshëm për zbatimin e qetë të aktiviteteve. Marrëveshja e zbatimit është miratuar tashmë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Pritet që projekti të lëshohet në përdorim deri në fund të vitit 2029. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Mexhiti: ekziston mundësia që Sela t’i bashkohet qeverisë, jemi në komunikim

    Lajmi i rradhës

    Filipçe: qeveria po terrorizon shtetin dhe po instalon urdhra politikë në gjyqësor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë