Të rritësh një fëmijë është si të rrafshosh një mal të tërë

    Enisa Elezi Hamiti
    Psikologe / psikoterapiste në edukim

    Është një shprehje që e kam dëgjuar shpesh nga më të moshuarit. Dikur nuk më dukej plotësisht e saktë, sepse mendoja se i referohej vetëm aspekteve të jashtme të prindërimit, si ushqimi, veshmbathja, higjiena etj. Mirëpo, që kur jam bërë vetë prind dhe po lexoj çdo ditë e më shumë për prindërimin, e kam kuptuar se kjo shprehje është më se e vërtetë.

    Po çfarë përmbledh në të vërtetë ajo? Çfarë e bën prindërimin një proces kaq të vështirë?

    Mendoj se pas kësaj qëndrojnë shumë faktorë. Ose, ndoshta pyetja më e mirë do të ishte: cilët janë faktorët që e lehtësojnë prindërimin, pa ia zbehur përgjegjësinë që ai ngërthen në vetvete?

    Së pari, do të përmendja vetëdijesimin e çdo të rrituri për rolin që vendos të marrë në momentin kur bëhet prind. Sa të gatshëm jemi të përballemi me sfidat që sjell kjo etapë e jetës? A i bëjmë padrejtësi fëmijës kur thjesht e lindim dhe edukimin e tij apo të saj e lëmë në dorë të rastësisë dhe neglizhencës? Nga ana tjetër, a bëhemi prindër vetëm për të pasur pasardhës, apo sepse duam t’i shtojmë shoqërisë njerëz me vlera?

    Prindërimi është një proces që zgjat gjatë gjithë jetës dhe nuk ka aspak të bëjë me garën për të qenë “prindi perfekt”, një garë që vitet e fundit po ushqehet gjithnjë e më shumë nga rrjetet sociale. Miti i prindit perfekt lidhet ngushtë me materializmin: a vishet fëmija me marka të njohura, me çfarë veture shkon në shkollë, çfarë telefoni inteligjent përdor etj. Në të vërtetë, ky model i “prindit perfekt” nuk është aspak në dobi të fëmijës. Një prind i tillë nuk mund të jetë modeli më i mirë për të. Ai nuk mund t’i mësojë ndjeshmërinë, mirënjohjen dhe mirësjelljen, vlera themelore për funksionimin e shëndetshëm në shoqëri dhe për mirëqenien mendore.

    Një tjetër faktor kyç që e lehtëson procesin e prindërimit është vetëdijesimi për modelin e prindërimit me të cilin jemi rritur. Duke qenë se më parë ka mbizotëruar kryesisht prindërimi autoritar, i karakterizuar nga kufizime dhe rregulla të rrepta, ai ka lënë gjurmë në psikikën e brezave që sot janë prindër. Shpesh dëgjojmë: “Unë nuk kam mundur ta bëj këtë, prandaj fëmija im është i lirë të bëjë çfarë të dojë.” Këtu nuk kemi të bëjmë me përgjegjësi prindërore, por me përpjekjen për të plotësuar nevoja të papërmbushura nga fëmijëria.

    Për të dalë nga ky model nevojitet një proces vetëdijesimi, qoftë edhe përmes psikoterapisë, në mënyrë që të identifikohen boshllëqet e mbetura nga fëmijëria, të rishikohet marrëdhënia e hershme prind-fëmijë, të kuptohet konteksti kulturor dhe të integrohen të gjitha këto përvoja. Vetëm kështu mund të ndërtohen rrugë të reja drejt një prindërimi të përgjegjshëm dhe një marrëdhënieje cilësore me fëmijën.

    Në këtë kontekst dëgjojmë shpesh komente se dikur mbizotëronte respekti, duke u justifikuar sjellja e rreptë apo edhe e dhunshme, madje me shprehje si: “Mjaftonte një shikim me bisht të syrit dhe gjithçka vihej në rregull.” Personalisht, nuk e mbështes prindërimin autoritar. Jam për prindërimin autoritativ, ku kufijtë ekzistojnë, por vendosen me respekt, me dashuri dhe me mirëkuptim për ndjenjat e fëmijës. Fëmija duhet ndihmuar që që në moshë të hershme të njohë dhe të artikulojë emocionet e tij. Vetëm duke e respektuar atë si individ më vete, mund të fitojmë respektin e tij, jo nga frika, por nga dashuria.

    Sa u përket sjelljeve të papërshtatshme apo sfiduese që fëmijët shfaqin në situata të caktuara, psikoterapistja Philippa Perry i përshkruan ato si përpjekje për të njohur kufijtë dhe për të kuptuar mënyrat e duhura të reagimit. Këto sjellje nuk duhet t’i shohim si kërcënim ndaj nesh, si inat apo manipulim. Fëmija nuk di të manipulojë; është i rrituri ai që, shpesh pa vetëdije, ia mëson manipulimin, për shembull duke e shpërblyer vazhdimisht për sjelljen e mirë. Perry sugjeron që vlerat t’u mësohen fëmijëve përmes shembullit personal dhe jo përmes shpërblimeve apo nxitjeve të vazhdueshme. Për të, parimi më i rëndësishëm në prindërim është sinqeriteti me fëmijën dhe vlerësimi i tij si individ.

    Nëse dikur mbizotëronte frika e fëmijës nga prindi, sot shpesh hasim të kundërtën: frikën e prindit nga fëmija, nga emocionet e tij dhe nga vendosja e kufijve, me bindjen e gabuar se kufijtë janë shenjë mungese dashurie. Në fakt, është krejt e kundërta. Vendosja e kufijve ndihmon në ndërtimin dhe ruajtjen e një marrëdhënieje të shëndetshme si me fëmijën, ashtu edhe me veten. Fëmijët dhe adoleshentët ende nuk i kanë të zhvilluara plotësisht mekanizmat mendorë për të dalluar çfarë është e dobishme dhe çfarë është e dëmshme. Pikërisht për këtë arsye, prindi duhet të vendosë kufij të qartë, duke shpjeguar edhe arsyet dhe ndjesitë e veta. Kjo kontribuon njëkohësisht në mbrojtjen e shëndetit mendor të prindit dhe të fëmijës.

    Së fundi, si faktor lehtësues në këtë proces kompleks do të veçoja gatishmërinë për të mësuar vazhdimisht mbi prindërimin dhe për të kërkuar ndihmë profesionale kur ndiejmë se kemi ngecur. Kjo ndjenjë është krejtësisht normale, sepse as fëmijët dhe as prindërit nuk janë të programuar për këtë rrugëtim. Ne mësojmë dhe rritemi së bashku. Siç thekson Philippa Perry, duhet ta kujtojmë vazhdimisht se prindërit dhe fëmijët janë në të njëjtën skuadër. Nuk kemi pse të hyjmë në garë me njëri-tjetrin; këtu nuk duhet të ketë vetëm një fitues.

    Ne, si prindër, fitojmë kur bëhemi të vetëdijshëm për veprimet, ndjenjat dhe sjelljet tona, si edhe për mënyrën se si ato reflektohen në marrëdhënien me fëmijët. Ndërsa fëmijët fitojnë kur në personalitetin e tyre rrënjosen përgjegjësia, ndjeshmëria dhe toleranca. Vetëm kështu mund të arrijmë fitoren e përbashkët: ndërtimin e një shoqërie të shëndetshme.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Nga Nili, në Ballkan

    Lajmi i rradhës

    LEGJITIMITETI KUSHTETUES: MËSIMI AMERIKAN I VITIT 1776

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë