LEGJITIMITETI KUSHTETUES: MËSIMI AMERIKAN I VITIT 1776

    Emir Kurtishi

    Më 4 korrik të këtij viti, SHBA-ja feston 250-vjetorin e pavarësisë së saj. Atë ditë nuk u shpall vetëm pavarësia e trembëdhjetë kolonive britanike në Amerikën e Veriut, por u hodhën edhe themelet e një koncepti të ri për burimin e pushtetit politik dhe legjitimitetin kushtetues, koncept që do të ndikonte thellësisht në zhvillimin e konstitucionalizmit modern.

    Në prapavijë të kësaj ngjarjeje të madhe historike, vlen të theksohet se vendi nuk ishte i bashkuar rreth idesë se si duhej të dukej shteti i përbashkët i amerikanëve. Sipas Xhon Adamsit, shoqëria ishte e ndarë në tri grupe: një e treta ishin patriotë të zjarrtë; një e treta ishte besnike ndaj Britanisë së Madhe; ndërsa pjesa tjetër ishte neutrale ose tentonte të mbështeste palën që dukej se do të fitonte. Me një fjalë, këta ishin konformistë. Tom Peini i quante “patriotë në kohë me diell” (sunshine patriots), pra njerëz që mbështesnin kauzën vetëm kur rrethanat ishin të favorshme.

    Në Konventën Kushtetuese të SHBA-së, pothuajse çdo delegat kishte ardhur me planin e vet për mënyrën se si duhej të organizohej shteti. Debatet qenë aq të gjata dhe të zjarrta, saqë shpesh pjesëmarrësit mendonin se ishte e pamundur të arrihej një marrëveshje, sidomos kur u diskutua çështja e përfaqësimit të shteteve në parlamentin kombëtar.

    Në këtë pikë u përballën dy koncepte: Plani i Virxhinias dhe Plani i Nju Xhersit. Sipas Planit të Virxhinias, kërkohej që shtetet të përfaqësoheshin në parlament në përpjesëtim me numrin e banorëve. Këtë plan e mbështetnin shtetet e mëdha. Ndërkaq, Planin e Nju Xhersit, të udhëhequr nga Uilliam Patersoni, e mbështetnin shtetet e vogla, sepse ai ruante sistemin ekzistues të përfaqësimit të barabartë të çdo shteti, pavarësisht madhësisë së popullsisë.

    Në vapën mbytëse të asaj vere, Xhejms Medisonit iu desh të përdorte çdo argument të mundshëm për ta mbajtur gjallë punën e Konventës, e cila ende nuk po arrinte të gjente një gjuhë të përbashkët.

    Zgjidhja erdhi me Kompromisin e Madh. Në dhomën e ulët të legjislaturës së re, Dhomën e Përfaqësuesve, numri i vendeve do të përcaktohej sipas popullsisë dhe përfaqësuesit do të zgjidheshin me votë popullore. Ndërkaq, në dhomën e sipërme, Senatin, çdo shtet do të kishte nga dy senatorë, të zgjedhur nga legjislatura e vet.

    Mbase pikërisht këtu qëndron sekreti i suksesit të SHBA-së: te fjala “kompromis”. Nuk është rastësi që ndërmjetësuesi evropian Metju Nimic, i angazhuar për zgjidhjen e kontestit të emrit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, pati vënë në dukje se në Ballkan fjala “kompromis” shpesh bart një konotacion negativ.

    Me Kompromisin e Madh, etërit themelues e shndërruan revolucionin në rend kushtetues. Të rrëzosh një pushtet përmes revolucionit është më e lehtë sesa të ndërtosh një shtet dhe një rend kushtetues të qëndrueshëm. Prandaj, kompromisi nuk u perceptua nga amerikanët si shenjë dobësie politike, por si kusht i domosdoshëm për krijimin e një rendi kushtetues që do të gëzonte legjitimitet dhe do t’i rezistonte kohës.

    Dhe kështu ndodhi. Sot, në 250-vjetorin e pavarësisë së saj, Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara vazhdon të jetë në fuqi. Për më shumë se dy shekuj, ajo nuk është zëvendësuar asnjëherë me një kushtetutë të re, por është ndryshuar vetëm përmes 27 amendamenteve. Ky është një nga mësimet më të rëndësishme që historia amerikane i ka dhënë konstitucionalizmit modern: kushtetutat demokratike nuk ndërtohen mbi uniformitetin e mendimeve, por mbi aftësinë për të arritur konsensus rreth parimeve themelore të bashkëjetesës politike.

    Në kontrast me këtë filozofi kushtetuese që buron nga konsensusi, historia njeh edhe modele të imponimit kushtetues. Një shembull është Kushtetuta e Bajonës, të cilën Napoleon Bonaparti ia imponoi popullit spanjoll. Ajo nuk arriti të fitonte legjitimitet, pikërisht sepse nuk ishte produkt i vullnetit të qytetarëve. Siç na shpjegonte profesori im i së drejtës kushtetuese, kushtetuta i ngjan një kostumi: secilit i rri më mirë kostumi i qepur sipas masës së tij.

    Vlen të theksohet se ekzistojnë edhe mendime sipas të cilave Kushtetuta e SHBA-së është frymëzuar, të paktën pjesërisht, nga Karta e Medinës, e cila nga shumë studiues konsiderohet si një nga dokumentet më të hershme kushtetuese në histori. Ndërkohë, Kushtetuta e SHBA-së njihet gjerësisht si kushtetuta e parë moderne e shkruar që vazhdon të jetë në fuqi.

    Përpiluesi kryesor i Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së, Tomas Xhefersoni, thuhet se, njëmbëdhjetë vjet përpara Konventës Kushtetuese, kur ishte 22-vjeçar dhe student i drejtësisë, kishte blerë një kopje të Kuranit. Nisur nga ky fakt, disa autorë dhe juristë kanë argumentuar se njohja e traditës juridike islame mund të ketë ndikuar në disa prej pikëpamjeve të tij mbi organizimin e shtetit dhe lirinë fetare.

    Sipas këtyre autorëve, një shtet që përmbush standardet islame duhet të mbështetet mbi dy parime themelore: së pari, procesi politik duhet të bazohet në bej’ah, pra në pëlqimin ose pranimin e qeverisjes nga komuniteti; së dyti, vendimmarrja duhet të mbështetet në shura, domethënë në konsultimin dhe diskutimin e gjerë. Në këtë këndvështrim, liria fetare, të cilën Xhefersoni e mbrojti vazhdimisht, dhe parimi i konsultimit janë parë nga disa studiues si elemente që paraqesin ngjashmëri me disa prej ideve mbi të cilat u ndërtua sistemi kushtetues amerikan.

    Megjithatë, duhet theksuar se këto mbeten interpretime të një pjese të literaturës dhe jo një qëndrim unanim i historiografisë kushtetuese.

    Trashëgimia e 4 Korrikut nuk kufizohet vetëm në shpalljen e pavarësisë. Ajo qëndron edhe në lindjen e një filozofie kushtetuese që e vendosi popullin në qendër të rendit juridik, zëvendësoi privilegjin me parimin e sovranitetit popullor dhe dëshmoi se legjitimiteti i një kushtetute nuk fitohet përmes imponimit, por përmes pranimit të saj nga qytetarët, në emër të të cilëve ajo miratohet.

    Sot, kur përkujtohet 4 Korriku, nuk festohet vetëm lindja e një shteti të ri. Përkujtohet edhe triumfi i një ideje që vazhdon të frymëzojë botën: se liria nuk mjafton pa institucione, revolucioni nuk mjafton pa kushtetutë dhe demokracia nuk mund të mbijetojë pa kompromis. Ky është, ndoshta, mësimi më i vyer që historia amerikane vazhdon t’i ofrojë botës edhe pas 250 vjetësh.

    Ky ishte, në thelb, edhe mesazhi i zëvendësambasadores së Shteteve të Bashkuara në Shkup, e cila u shpreh: “Historia amerikane nuk i ka përkitur kurrë një brezi të vetëm, një udhëheqësi të vetëm apo një institucioni të vetëm…”

    (Autori është doktorant në Fakultetin Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL). Qëndrimet dhe opinionet e shprehura në këtë shkrim janë tërësisht personale dhe nuk përfaqësojnë qëndrimet e asnjë institucioni me të cilin autori është i lidhur.)

    Lajmi Paraprak

    Të rritësh një fëmijë është si të rrafshosh një mal të tërë

    Lajmi i rradhës

    Tetova përballë zgjedhjeve të parakohshme? Votimi i së hënës mund të shpërndajë Këshillin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë