Komuna Qendër Zhupë, e krijuar pas ndarjes territoriale të viteve ’90, e cila deri atëherë ishte pjesë e Komunës së Dibrës dhe njihet si një komunë me shumicë të popullsisë së etnisë turke, sot përballet me një nga sfidat më të mëdha demografike në vend, emigrimin masiv të banorëve.
Sipas të dhënave zyrtare, mbi 70 për qind e popullsisë së kësaj komune jeton dhe punon jashtë vendit, kryesisht në Itali, por edhe në shtete të tjera evropiane. Megjithëse ky fenomen vazhdon të zbrazë fshatrat, pushteti lokal ka vazhduar investimet në infrastrukturë, duke bërë që sot pothuajse çdo vendbanim të ketë rrugë të asfaltuar.
Kryetari i Komunës së Qendër Zhupës, Arjan Ibraim, për gazetën Koha thotë se emigrimi mbetet problemi më i madh me të cilin përballet komuna. “Situata është shumë shqetësuese. Pas viteve ’90, sidomos të rinjtë filluan të largohen për shkak të papunësisë dhe gjendjes së rëndë ekonomike. Shumica e banorëve tanë jetojnë në Itali, veçanërisht në rajonin Veneto, ku është e përqendruar industria italiane. Emigrimi ka prekur të gjitha 15 fshatrat e komunës. Në shumë prej tyre kanë mbetur vetëm të moshuarit, ndërsa ne, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, kemi siguruar mbi 20 kujdestarë që ofrojnë shërbime për personat e moshuar që jetojnë vetëm. Fshatrat kanë shtëpi të reja e moderne, por fatkeqësisht me shumë pak banorë”, thotë Ibraim.
Megjithatë, ai thekson se komuna nuk ka ndalur investimet në infrastrukturën rrugore. “Sot nuk ka asnjë fshat në komunën tonë pa rrugë të asfaltuar. Janë realizuar dhjetëra projekte infrastrukturore dhe rrjeti rrugor është në nivel të kënaqshëm. Edhe në fshatrat e Zhupës së Epërme, ku jetojnë vetëm dy ose tre banorë, kemi investuar në asfaltimin e rrugëve. Synimi ynë është t’u krijojmë qytetarëve kushte më të mira për jetesë dhe të mbajmë gjallë shpresën se një ditë mërgimtarët do të kthehen në vendlindje. Ata vijnë kryesisht gjatë verës dhe më pas rikthehen në Itali, Gjermani, Zvicër, Slloveni, Kroaci dhe vende të tjera ku jetojnë e punojnë”, shton kryetari.
Gjatë vizitës në këtë komunë, gazeta KOHA bisedoi edhe me banorë të moshuar, të cilët jetojnë të vetmuar në fshatrat e Zhupës. Banori Bedri G., nga fshati Papranik i Madh, thotë se të tre fëmijët e tij jetojnë në Itali. “Jetoj vetëm me bashkëshorten. Në fshat kanë mbetur shumë pak banorë, kryesisht të moshuar. Nuk besoj se ka familje këtu që nuk i ka fëmijët në Itali”, shprehet ai.
Edhe në fshatin Ballancë, ku jeton një komunitet shqiptar, pamja është e ngjashme. Anëtarët e familjes Iseni tregojnë se fshati është pothuajse i boshatisur. “Të rinjtë janë të gjithë në kurbet. Kanë mbetur vetëm të moshuarit”, thonë ata.
Në qendrën administrative të komunës takuam edhe Asanin dhe Islamin, banorë të fshatit Koxhaxhik në Zhupën e Epërme. “Fëmijët tanë kanë ndërtuar shtëpi të bukura, por jetojnë larg nesh. Komuna ka ndërtuar rrugë cilësore, por ato shfrytëzohen kryesisht gjatë verës, kur mërgimtarët vijnë për pushime. Jemi një komunë ku shpesh zgjedhjet parlamentare dhe lokale përsëriten për shkak të mosarritjes së censusit zgjedhor. Kjo tregon më së miri sa është zvogëluar numri i banorëve”, thonë ata.
Megjithëse emigrimi vazhdon të zbrazë fshatrat e Qendër Zhupës, pushteti lokal beson se investimet në infrastrukturë dhe përmirësimi i kushteve të jetesës do të jenë një motiv më shumë që një ditë mërgimtarët të rikthehen në vendlindjen e tyre.






