Dibra, si qytet i vjetër, para Luftës së Dytë Botërore furnizimin e banorëve me ujë e ka realizuar kryesisht përmes çezmave publike, të cilat kanë burimet e tyre. Këto çezma edhe sot kanë sasi të mëdha uji. Në vitet ’50 u ndërtua ujësjellësi i parë, duke shfrytëzuar disa burime nga mali më i afërt i qytetit. Por edhe në ato vite në përdorim kanë qenë çezmat e vjetra, pasi popullata nuk kishte ujë të mjaftueshëm. Komuna e Dibrës në vitin 1986 ndërtoi ujësjellësin Rosok–Dibër, i cili furnizon dibranët me ujë edhe sot. Por, duke marrë parasysh faktin se uji shpesh keqpërdoret edhe për vaditjen e sipërfaqeve të gjelbra, ndodh që Ndërmarrja Publike Komunale “Standardi” të vendosë restrikcione të ujit.
Pikërisht për shkak të këtyre restrikcioneve, banorët e pjesës së vjetër të Dibrës, si ujë teknik, përdorin edhe ujin e çezmave publike të vjetra, të cilat gjenden kryesisht në këtë pjesë të qytetit. Ky ujë përdoret kryesisht për nevoja teknike, pasi institucionet potencojnë se nuk mund të përdoret për pije.
Aktualisht, restrikcionet e ujit nga ujësjellësi Rosok–Dibër janë nga ora 13:00 deri në orën 16:00. Drejtori i Ndërmarrjes “Standardi”, Nertil Osmani, thotë se restrikcionet janë pasojë e keqpërdorimit të ujit, si edhe e rritjes së konsumit për shkak të temperaturave të larta. Për shkak të temperaturave të larta, në oraret kur Dibra mbetet pa ujë, një pjesë e madhe e popullatës shfrytëzon ujin e çezmave tradicionale të Dibrës, të cilat ndodhen në pjesën e vjetër të qytetit. Dibranët që jetojnë në këto lagje të vjetra thonë se çezmat tradicionale i përdorin kryesisht për mirëmbajtjen e higjienës, në mënyrë që të përballojnë periudhat kur ujësjellësi nuk funksionon. Në Institutin për Shëndet Publik në Ohër thonë se uji nga çezmat tradicionale nuk duhet të përdoret për pije, por vetëm si ujë teknik.
Këto ditë të nxehta, ujë nga çezmat tradicionale, si ajo e Budulecit, Demçes, Shavecit, çezma e Popit dhe ajo e Muravecit, përdorin banorët e lagjeve të vjetra të qytetit. Bedri F. është banor i lagjes ku ndodhet çezma e Shavecit. Ai për gazetën KOHA thotë se jeton me familjen e tij në afërsi të çezmës tradicionale dhe, për shkak të restrikcioneve disorëshe të ujësjellësit, higjiena e shtëpisë mbahet me ujin e kësaj çezme. “Jemi të informuar se uji i kësaj çezme nuk është për pije, por mund të shfrytëzohet si ujë teknik”, u shpreh ai.
Familja Klloboçishta jeton në lagjen e Budulecit, një nga lagjet më të vjetra të Dibrës. Në afërsi të shtëpisë së tyre ndodhet çezma e Budulecit, e cila karakterizohet me sasi të madhe uji. Në këtë familje thonë se nuk kanë probleme me sigurimin e ujit për mirëmbajtjen e higjienës, por edhe për ujitjen e lulishtes së bukur që kanë në oborrin e tyre. Asan V., një dibran 85-vjeçar, thotë se uji i çezmave tradicionale ka një domethënie shumë të madhe për dibranët, jo vetëm dikur, por edhe sot.
“Dibranët e lagjeve të vjetra të qytetit, edhe sot, me ujin e këtyre çezmave mbajnë higjienën në shtëpi, por edhe freskinë e oborreve të pasura me gjelbërim dhe lule. Kjo është një ndihmë e madhe për furnizimin me ujë të dibranëve. Shpesh shohim që edhe bashkëqytetarë të tjerë nga pjesa e re e qytetit mbushin ujë në çezmat tradicionale”, thotë ai. /Koha/






