Uji që “turbulloi” edhe skenën politike!

    Kriza me ujin e ndotur në Gostivar po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një përplasje të ashpër politike mes pushtetit dhe opozitës. Derisa institucionet vazhdojnë përpjekjet për normalizimin e gjendjes dhe rikthimin e ujit të pijshëm, LSDM dhe VMRO-DPMNE shkëmbyen akuza të ndërsjella për përgjegjësinë politike dhe institucionale. Opozita akuzon për fshehje të informacionit dhe reagim të vonuar ndaj rrezikut shëndetësor, ndërsa partia në pushtet ia faturon përgjegjësinë pushtetit lokal në Gostivar, duke theksuar se ndërhyrja e institucioneve shtetërore ishte e domosdoshme për menaxhimin e krizës.

    Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) vlerëson se institucionet shtetërore kanë pranuar me vonesë ekzistencën e rrezikut nga hepatiti A dhe E, si dhe nga sëmundje të tjera infektive, duke theksuar se pikërisht për këtë kishte paralajmëruar edhe lideri i partisë, Venko Filipçe. “Në fillim institucioneve iu ndezën me vonesë ‘dritat e kuqe’. Derisa qytetarët e Gostivarit pinin ujë të kontaminuar me fekale, nuk u ndërmor asnjë veprim. Më pas u fshehën të dhënat nga opinioni publik, ndërsa tani, kur kriza është përshkallëzuar, pranohet se ekziston rrezik nga verdhëza dhe sëmundje të tjera ngjitëse”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

    Nga kjo parti vlerësojnë se qytetarët e Gostivarit po paguajnë çmimin e, siç thonë, mungesës së profesionalizmit, masave parandaluese dhe reagimit në kohë, ndërsa në vend të mbrojtjes së shëndetit publik kanë dominuar kalkulimet politike dhe fshehja e informacioneve. LSDM kërkon që opinioni të informohet me raportin zyrtar dhe të nënshkruar mbi analizat e të ashtuquajturit “ujë teknik”, duke kërkuar përgjigje se cili institut i ka kryer analizat, kush e ka nënshkruar raportin dhe mbi cilat parametra është konstatuar se uji është i sigurt për përdorim.

    Partia opozitare kërkon gjithashtu analiza të menjëhershme të ujit në të gjitha vendbanimet e vendit dhe publikimin e plotë të rezultateve, ndërsa për rastin në Gostivar kërkon përgjegjësi jo vetëm politike, por edhe penale. “Nuk duhet të ketë vetëm përgjegjësi politike, por edhe penale për Sasho Klekovskin, Andonovskën, drejtorët e qendrave lokale të shëndetit publik dhe të gjithë ata që kanë ditur, kanë heshtur dhe nuk kanë ndërmarrë masa për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.

    Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE hodhi poshtë akuzat e opozitës dhe përgjegjësinë për situatën ia atribuoi pushtetit lokal në Gostivar. Partia në pushtet akuzoi kryetarin e LSDM-së, Venko Filipçe, se po hesht për mënyrën se si është menaxhuar kriza nga autoritetet lokale, duke rikujtuar se ai kishte mbështetur publikisht Valbon Limanin në zgjedhjet lokale të përsëritura në Gostivar. Sipas VMRO-DPMNE-së, pushteti lokal, i mbështetur nga LSDM, BDI dhe blloku politik i Arben Taravarit, nuk ka reaguar në kohë për zgjidhjen e problemit me furnizimin me ujë të pijshëm, gjë që detyroi Qeverinë dhe institucionet shtetërore të ndërhyjnë. “Nga institucionet shtetërore u sigurua ujë i ambalazhuar për qytetarët dhe u organizua furnizimi me ujë për përdorim teknik. Paralelisht, institucionet po punojnë për krijimin e kushteve që uji të jetë sërish i sigurt për konsum”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

    Partia vlerëson se LSDM nuk ka kredibilitet të kërkojë përgjegjësi politike, ndërkohë që, sipas saj, nuk kërkon llogari nga funksionarët që vetë i ka mbështetur. “Filipçe hesht dhe nuk kërkon përgjegjësi nga kandidati i tij, Valbon Limani, i cili drejton komunën”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së, duke shtuar se ligji, morali dhe përgjegjësia politike duhet të vlejnë njësoj për të gjithë. -Koha-

    Lajmi Paraprak

    Shteti i shkollon, Europa i merr – Pse po ikin mjekët?

    Lajmi i rradhës

    Kthesa e Ramës: nga “manipulimi” te “Besa”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë