Maqedonia e Veriut vazhdon të prodhojë mjekë, por nuk di sa prej tyre i humb çdo vit. Në një kohë kur spitalet përballen me mungesë anesteziologësh, pediatërsh, patologësh, radiologësh dhe onkologësh, shteti ende nuk ka një regjistër unik që do të tregonte se sa mjekë punësohen, sa largohen jashtë vendit, sa kalojnë në sektorin privat dhe sa e braktisin sistemin publik, raporton gazeta KOHA. Ndërkohë që pacientët presin më gjatë për diagnozë dhe trajtim, sistemi shëndetësor vazhdon të humbasë qindra profesionistë, ndërsa vendet evropiane përfitojnë kuadro të shkolluara me paratë e taksapaguesve të Maqedonisë.
Oda e Mjekëve disponon regjistër të licencave dhe lëshon certifikata për status profesional, por edhe vetë ka pranuar se nuk mund të përcaktojë me saktësi numrin e mjekëve që kanë emigruar. Për këtë arsye, në opinion shpesh ngatërrohen tri kategori të ndryshme: mjekët që kërkojnë certifikatë për punësim ose specializim jashtë vendit, mjekët që largohen nga sistemi publik dhe ata që në një periudhë të caktuar nuk kanë licencë aktive. Asnjëra prej këtyre shifrave nuk e pasqyron realisht emigrimin e kuadrit mjekësor.
QINDRA MJEKË LARGOHEN ÇDO VIT NGA SISTEMI PUBLIK
Një nga treguesit e rrallë afatgjatë janë certifikatat e reputacionit profesional që lëshon Oda e Mjekëve, dokument i nevojshëm për punësim ose specializim jashtë vendit. Nga viti 2015 deri në vitin 2019 janë lëshuar gjithsej 794 certifikata, ose mesatarisht 159 në vit. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se të gjithë këta mjekë janë larguar përfundimisht nga vendi, pasi një pjesë kanë shkuar vetëm për trajnim profesional.
Nga ana tjetër, kryetari i Shoqatës së Mjekëve të Maqedonisë gjatë vitit 2024 vlerësoi se sistemi publik humb çdo vit nga 200 deri në 250 mjekë, përfshirë mjekë të përgjithshëm dhe specialistë. Kjo shifër nuk nënkupton vetëm emigrim, pasi një pjesë kalojnë në spitalet private, kompanitë farmaceutike ose largohen krejtësisht nga profesioni.
MË PAK LICENCA AKTIVE
Në fund të vitit 2024 ishin regjistruar 9.777 licenca aktive. Deri më 15 shtator 2025 ky numër kishte rënë në 9.268, ndërsa sipas regjistrit të publikuar më 2 korrik 2026 numri ka arritur në 9.341 licenca aktive. Edhe pse, krahasuar me shtatorin e vitit 2025, ka një rritje prej 73 licencash, sistemi ende ka 436 licenca aktive më pak se në fund të vitit 2024. Oda e Mjekëve thekson se kjo diferencë nuk mund të interpretohet automatikisht si numri i mjekëve të emigruar, pasi në të ndikojnë pensionimet, mosrinovimi i licencave dhe faktorë të tjerë administrativë. Megjithatë, shqetësimi më i madh nuk është vetëm numri i mjekëve, por profili i specialistëve që mbeten në sistem.
Të dhënat tregojnë se në vitin 2025 kishte 242 anesteziologë, kundrejt 276 një vit më parë; 382 pediatër, krahasuar me 469; SI DHE 49 patologë, ndërsa një vit më parë ishin 53. Vetëm në këto tri specialitete sistemi humbi 125 licenca aktive. Edhe radiologjia dhe onkologjia evidentohen si fusha me mungesë serioze të kuadrit.
Mungesa e anesteziologëve kufizon kryerjen e operacioneve dhe trajtimin intensiv. Numri më i vogël i pediatërve e vështirëson qasjen e fëmijëve në kujdes shëndetësor, veçanërisht jashtë Shkupit, ndërsa mungesa e patologëve, radiologëve dhe onkologëve nënkupton pritje më të gjata për diagnozë dhe terapi. Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron për shpërndarje të pabarabartë të kuadrit, me shumicën e specialistëve të përqendruar në Shkup, ndërsa qytetet më të vogla dhe zonat rurale përballen me mungesa serioze.
SPECIALIZANTËT PRESIN PUNË
Edhe pse Qeveria paralajmëroi punësimin e 600 specializantëve privatë në dy faza, procesi gjatë vitit 2025 u zhvillua shumë më ngadalë sesa ishte premtuar. Deri te Fondi për Sigurim Shëndetësor ishin dorëzuar kërkesa për financimin e vetëm 290 vendeve të punës. Për vite me radhë, një pjesë e specializantëve privatë kanë punuar me honorar prej rreth 26.000 denarësh në muaj, pa sigurim të rregullt pensional dhe shëndetësor, ndërsa në të njëjtën kohë kanë financuar vetë specializimin, i cili për specializimet gjashtëvjeçare kushton rreth 1.500 euro në vit. Në këto kushte, të rinjtë trajtojnë pacientë, kryejnë kujdestari dhe specializohen, por pa garanci se, pas përfundimit të specializimit, do të punësohen në sistemin publik.
PSE LARGOHEN MJEKËT?
Paga nuk është arsyeja e vetme. Largimi nis me pritjen e gjatë për punësim, qasjen e pasigurt në specializim, mungesën e sigurimeve sociale, mundësitë e kufizuara për zhvillim profesional dhe bindjen se avancimi nuk varet gjithmonë nga merita. Oda e Mjekëve kërkon punësim të menjëhershëm pas diplomimit, arsimim të vazhdueshëm, paga dinjitoze dhe një plan dhjetëvjeçar për zhvillimin e kuadrit shëndetësor, me specializime të përcaktuara sipas nevojave reale të sistemit.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Observatorit Evropian për Sistemet Shëndetësore, Maqedonia në vitin 2023 kishte rreth 3,2 mjekë aktivë për 1.000 banorë, më pak se Kroacia dhe Sllovenia dhe dukshëm nën mesataren e Bashkimit Evropian prej rreth 4,2 mjekësh për 1.000 banorë. Ekspertët vlerësojnë se emigrimi i mjekëve nuk mund të ndalet me masa administrative, por shteti mund të krijojë kushte që ata të mos detyrohen të largohen. Kjo nënkupton krijimin e një regjistri unik kombëtar të kuadrit mjekësor, planifikim afatgjatë sipas nevojave të spitaleve, punësim të menjëhershëm pas diplomimit, specializime të financuara plotësisht dhe investime serioze në spitalet rajonale.
Sot, Maqedonia vazhdon të investojë në arsimimin e mjekëve, por ende nuk di me saktësi se ku përfundojnë ata. Ndërsa sistemi vendas i lë të presin për një vend pune ose i detyron të financojnë vetë specializimet, vendet evropiane fitojnë profesionistë të gatshëm, për shkollimin e të cilëve pjesën më të madhe të kostos e ka mbuluar vetë Maqedonia. –Koha-






