Mos blini ushqime të ngrira nëse ka shenja se kanë filluar të shkrihen dhe mos blini produkte me ambalazh të dëmtuar, si dhe kanaçe të fryra, të dëmtuara ose të ndryshkura, thuhet në rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik (IShP), përcjell Nistori.
Temperaturat e larta krijojnë kushte të favorshme për shumimin e shpejtë të mikroorganizmave në ushqim dhe rrisin rrezikun e sëmundjeve të shkaktuara nga ushqimi i pasigurt. Gjatë valëve të të nxehtit, duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë përzgjedhjes, transportit dhe ruajtjes së duhur të ushqimeve.
“Blini ushqime nga operatorë të regjistruar të ushqimit dhe kontrolloni datën e skadimit, gjendjen e ambalazhit dhe kushtet në të cilat ruhen. Mishin, peshkun, qumështin dhe produktet e qumështit, vezët dhe ushqimet e tjera që prishen shpejt, blijini në fund, pak para se të dilni nga dyqani. Mos blini ushqime të ngrira nëse ka shenja se kanë filluar të shkrihen. Mos blini produkte me ambalazh të dëmtuar, si dhe kanaçe të fryra, të dëmtuara ose të ndryshkura”, thuhet në rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik (IShP) për sigurinë ushqimore gjatë valëve të të nxehtit.
IShP-ja rikujton se ushqimet që prishen shpejt dhe ato të ngrira duhet të transportohen në shtëpi sa më shpejt që të jetë e mundur, ndërsa për transport më të gjatë duhet të përdoret një çantë termike ose frigorifer portativ.
“Pas blerjes, vendosni menjëherë në frigorifer ushqimet që duhet të ruhen në të, ndërsa ushqimet e ngrira vendosini në ngrirës. Ushqimet e përgatitura dhe ato që prishen shpejt ruajini në frigorifer, në temperaturë prej -1 deri në 4 °C, ndërsa ushqimet e ngrira në -18 °C ose më të ulët. Mos i lini ushqimet e përgatitura ose ato që prishen shpejt në temperaturën e ambientit për më shumë se dy orë, ndërsa në temperatura të larta përpiquni që këtë kohë ta shkurtoni sa më shumë. Mos i shkrini ushqimet e ngrira në temperaturën e ambientit”, thuhet në rekomandime.
Sa i përket ushqimit gjatë qëndrimit jashtë, IShP-ja rekomandon që ushqimet që prishen shpejt të mos lihen të ekspozuara ndaj rrezeve të diellit ose brenda një automjeti të nxehur.
“Kur dilni, udhëtoni ose qëndroni jashtë për periudha të gjata, ushqimet që duhet të ruhen në frigorifer mbajini në një çantë frigoriferike ose termike me mjete ftohëse. Përdorni ujë të sigurt për pije dhe për përgatitjen e ushqimit, ndërsa frutat dhe perimet lajini mirë para përdorimit. Gjatë periudhave me temperatura të larta, ruajtja e zinxhirit të ftohtë dhe ruajtja e duhur e ushqimeve janë veçanërisht të rëndësishme për parandalimin e sëmundjeve që shkaktohen nga ushqimi”, thuhet më tej në rekomandimet e IShP-së.






