Pas presionit të LSDM-së, Mickoski: këmbëngul në publikimin e raportit për ujin në Gostivar

    Lidhur me kallëzimet penale që LSDM-ja ka ngritur kundër ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski, dhe drejtuesve të disa institucioneve shëndetësore, kryeministri Hristijan Mickoski tha se kjo është e drejtë demokratike e çdo partie politike. Megjithatë, ai u shpreh i befasuar që LSDM-ja, sipas tij, nuk e përmend askund personin e parë që duhet të mbajë përgjegjësi në këtë rast – kryetarin e Komunës së Gostivarit, përcjell Nistori.

    “Unë këmbëngul që raporti të publikohet”, ishte përgjigjja që kryeministri Hristijan Mickoski dha sot, i pyetur nga gazetarët lidhur me kërkesën e LSDM-së opozitare që të bëhet publik raporti që konfirmon se uji nga sistemi i furnizimit të Gostivarit është i sigurt për t’u pirë.

    Duke folur për kallëzimet penale që LSDM-ja ka ngritur kundër ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski, dhe drejtuesve të disa institucioneve shëndetësore, të cilët i akuzon për përgjegjësi lidhur me situatën e ujit në Gostivar, Mickoski tha se çdo parti politike ka të drejtën demokratike të ndërmarrë një veprim të tillë, nëse e konsideron atë strategji të dobishme për veprimtarinë e saj politike.

    Nga ana tjetër, ai tha se është i befasuar që LSDM-ja nuk e përmend askund në deklaratat e saj, siç u shpreh ai, personin e parë që duhet të mbajë përgjegjësi në këtë rast – kryetarin e Komunës së Gostivarit.

    “Kur them se jam i befasuar, këtë e them, sigurisht, me ironi, sepse është normale që e njëjta parti politike të mos e përmendë atë, pasi e mbështeti gjatë zgjedhjeve lokale në Gostivar. Dhe të gjithë e dinë se ndërmarrja komunale e shërbimeve publike ka kompetencë dhe përgjegjësi në këtë rast”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

    Ai shtoi se hetimi i Prokurorisë për rastin e Gostivarit, në kuadër të të cilit janë ndaluar tre persona, është ende në vazhdim dhe, sipas tij, mund të çojë në identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në këtë rast.

    “Jam i habitur pse të njëjtët socialdemokratë, të cilët në të kaluarën ngrinin zërin, kishin, le të themi, raporte të tjera për ujë me cilësi të dobët në Gostivar, por edhe në komuna të tjera në të gjithë Maqedoninë, si Prilepi, Krusheva e të tjera, kur ministra dhe drejtorë ishin persona të tjerë. Pse nuk ngrenë kallëzime penale kundër tyre, sepse nuk bënë asgjë? Kjo Qeveri ndërmori veprime që në momentin e parë kur mori një raport të tillë. Ndërmori masa të fuqishme, pastroi sistemin dhe e riktheu atë nën administrimin e Komunës së Gostivarit dhe të ndërmarrjes së shërbimeve publike që e ofron këtë shërbim. Mendoj se strategjia e tyre është e gabuar, por kjo është në rregull, ata e dinë më mirë”, shtoi Mickoski.

    Pasi autoritetet njoftuan të premten se uji nga ujësjellësi i qytetit të Gostivarit është i sigurt për t’u pirë, LSDM-ja opozitare kërkoi nga Qeveria publikimin e raportit të plotë dhe të analizave të ujit. Sipas partisë opozitare, pas gjithë asaj që ka ndodhur me furnizimin me ujë në Gostivar, është e papërgjegjshme që qytetarëve t’u kërkohet sërish t’u besojnë vetëm deklaratave të autoriteteve. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    “Starlink-u rus” po shndërrohet në realitet, por ka vetëm një problem për Kremlinin

    Lajmi i rradhës

    Diabeti i tipit 2 bëhet gjithnjë e më i zakonshëm te gratë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë