Lia godet blegtorinë: deri në 10 mijë dele kanë ngordhur, kërkohet vaksinim urgjent

    Përveç vaksinimit të deleve, Shoqata e Mbarështuesve të Deleve kërkon krijimin e një fondi të posaçëm për kompensimin e blegtorëve të cilëve u kanë ngordhur bagëtitë. Ndër kërkesat e Shoqatës është edhe hapja e tregjeve të reja nga autoritetet, nëse arsyeja e mosvaksinimit është ndalimi i mundshëm i eksporteve drejt Bashkimit Evropian, përcjell Nistori.

    Situata me bagëtitë e imta është alarmante, thonë nga Shoqata e Mbarështuesve të Deleve, duke kërkuar që shteti të organizojë vaksinimin e deleve sa më shpejt që të jetë e mundur. Deri më tani, siç u tha në konferencën e sotme për shtyp para Qeverisë, kanë ngordhur nga 7.000 deri në 10.000 dele, janë shkatërruar 40 deri në 50 tufa, ndërsa çdo ditë shfaqen vatra të reja të sëmundjes. Sipas Shoqatës, disa blegtorë i çojnë bagëtitë e tyre në tregje pa e ditur nëse ato janë të sëmura.

    Situata më kritike është në Rajonin Lindor të vendit, tha kryetari i Shoqatës, Naser Xhemaili, duke theksuar se në rajonin e Shtipit janë prekur 70 deri në 80 për qind e tufave. Sipas tij, ndodh që kafshët e ngordhura të qëndrojnë për javë të tëra në oborret e pronarëve, pasi nuk ka kush t’i largojë. Megjithatë, disa blegtorë, thotë Xhemaili, po përpiqen ta zgjidhin vetë problemin dhe po i vaksinojnë privatisht delet e tyre, pa e ditur cilësinë e vaksinave që përdorin.

    Ai shtoi se Shoqata deri më tani ka zhvilluar disa takime me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Dhomën e Veterinarisë dhe Fakultetin e Bujqësisë, por pa arritur në përfundime konkrete.

    “Këtë mëngjes ministri na telefonoi dhe na informoi se po negociojnë për sigurimin e një vaksine përmes Ambasadës së Turqisë. Po presim që ajo të sillet sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që t’i vaksinojmë kopetë. Aktualisht, në Maqedoni ka rreth 250.000 deri në 300.000 dele, ndërsa deri më tani nga lia kanë ngordhur nga 7.000 deri në 10.000, ndoshta edhe më shumë. Institucionet, me sa duket, nuk po e marrin seriozisht këtë situatë”, tha Xhemaili kryetari i Shoqatës së Mbarështuesve të Deleve.

    Shoqata kërkon gjithashtu krijimin e një fondi të posaçëm për kompensimin e blegtorëve të cilëve u kanë ngordhur bagëtitë, si dhe pagesën e subvencioneve për këtë vit, në mënyrë që, siç thonë, familjet blegtorale të mund të rimëkëmben.

    Nëse arsyeja përse shteti nuk po e zbaton vaksinimin është ndalimi i mundshëm i eksporteve drejt Bashkimit Evropian, atëherë, sipas blegtorëve, autoritetet duhet të angazhohen për hapjen e tregjeve të reja, duke marrë si shembull Serbinë.

    “Le të bëjë përpjekje shteti dhe të hapë tregje të reja për ne. Serbia hapi një treg për eksport në Algjeri në maj. Nëse Bashkimi Evropian nuk na lejon dhe nëse ky është çmimi për t’i shpëtuar delet tona dhe për ta shpëtuar blegtorinë në Maqedoni, atëherë le të bëjnë përpjekje dhe të na gjejnë tregje të reja. Argumenti i vetëm për moszbatimin e vaksinimit është ndoshta se Bashkimi Evropian do të na ndalojë eksportin. Megjithatë, as për këtë nuk ka të dhëna zyrtare, sepse në realitet as mishi i kafshëve të prekura nga sëmundja nuk është i dëmshëm për njerëzit, as mishi pas vaksinimit”, tha Milena Veliçković, blegtore nga Kumanova dhe anëtare e Bordit Drejtues të Shoqatës.

    Sipas saj, çështja e vaksinimit është duke u negociuar prej më shumë se një muaji.

    Lajmi Paraprak

    A është veriu i Kosovës gati për reduktimin e KFOR-it?

    Lajmi i rradhës

    Ekspertja për “Pulse” në Koçan: punimet ndërtimore ishin kryer në mënyrë të paligjshme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë