Nga çdo ton mbeturina komunale të mbledhura në Maqedoninë e Veriut, rreth 998 kilogramë përfundojnë në deponi. Në vitin 2025, 99.8 për qind e mbeturinave të mbledhura u depozituan në këtë mënyrë, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, shkruan Faktor, përcjell Nistori.
Riciklimi dhe kompostimi mbeten në nivele shumë të ulëta. Sipas Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, mbeturinat nuk selektohen siç duhet dhe mungojnë kapacitetet për përpunimin e tyre. Si pasojë, humbasin materiale që mund të ripërdoren ose riciklohen.
Sllovenia tregon se mbeturinat mund të trajtohen krejtësisht ndryshe. Atje është zhvilluar sistemi i mbledhjes së ndarë të letrës, plastikës, qelqit dhe mbeturinave organike, të cilat më pas riciklohen ose kompostohen. Një pjesë e madhe e qytetarëve kanë në dispozicion shërbimin e mbledhjes së mbeturinave të selektuara drejtpërdrejt nga shtëpitë e tyre.
Në vitin 2023, më pak se 10 për qind e mbeturinave komunale të gjeneruara në Slloveni përfunduan në deponi, sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit.
Në Maqedoninë e Veriut, një pjesë e popullsisë nuk ka qasje as në shërbimin e organizuar të mbledhjes së mbeturinave. Sipas një analize të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OBZhE), në vitin 2022 ky shërbim mbulonte 83 për qind të popullsisë. Kjo do të thotë se afërsisht një në gjashtë banorë nuk kishte qasje në mbledhjen e organizuar të mbeturinave.
Ky problem është veçanërisht i theksuar në zonat rurale. Në vendbanimet ku mungojnë shërbimet komunale, mbeturinat shpesh hidhen përgjatë rrugëve ose digjen në ambiente të hapura, sipas OBZhE-së. Mungesa e mbledhjes së organizuar kontribuon gjithashtu në krijimin e deponive të paligjshme.
Komunat raportojnë në mënyrë të pamjaftueshme edhe për mënyrën se si i trajtojnë mbeturinat. Sipas Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, bazuar në shqyrtimin e të dhënave deri në vitin 2023, mesatarisht vetëm tri nga dhjetë komuna kanë dorëzuar raporte vjetore për menaxhimin e mbeturinave komunale.






