Elmedina Shafi Berzat
Komunikologe
Urgjentisht duhet ndryshuar diskursi se si komunikon funksionari, personi publik, nëse duam që të kemi një nivel më të lartë të respektit ndaj diskursit të përgjithshëm.
Nuk mundet një përfaqësues politik, me detyrë dhe përgjegjësi publike, të marrë një video, imazh dhe të akuzojë për keqpërdorim detyre në rrjete sociale.
Një shembull të cilit do t’i referohesha është një video në Kosovë: “Kjo është makina që rri ndezur për t’u bërë fresk X individit!”
Nëse ka keqpërdorim, shkelje ligji dhe nëse ti aq i respekton institucionet publike, shko denoncoje në institucionin përkatës!
Kjo është përgjegjësi qytetare, jo publikimi në rrjete sociale.
Ky lloj komunikimi nga figurat publike i ka dhënë fuqi edhe përdoruesit të rëndomtë të ndiejë se ka të drejtë të filmojë, publikojë dhe komentojë çdokund pa përgjegjësi.
Ka mungesë edhe informacioni, ka hendek gjeneratash dhe perceptim të gabuar të hapësirës mediatike.
Sot fuqia e mediave është e shpërndarë. Sot fuqi ka edhe ai që ka arritur të ndërtojë komunitetin e vet, ca me hapa të ngadalshëm dhe shumica me financime të mëdha për mbledhjen e ndjekësve.
Dhe ai komunitet nuk është si komuniteti fizik, që është ndërtuar ndër vite, nga lagjja në lagje, nga dera në derë!
Nuk është votuesi tipik i të 90-tave, që besonte në ideologji, në qëllime të përbashkëta apo që ishte mosbesues se mos ai që troket në derë nuk është “nga tanët”.
Është komunitet që shpeshherë nuk di ta njohë përgjegjësinë që qëndron prapa aktivitetit të tij digjital. Shpeshherë nuk kanë një zyrë të regjistruar dhe nuk mbajnë përgjegjësi para ligjit. Anëtari i atij komuniteti nuk është lojal ndaj një grupi të vetëm; shpesh identifikohet me grupime të ndryshme që mund të jenë plotësisht kontradiktore, me informacione sipërfaqësore dhe propagandë të kush e di çfarë ideologjie të rrezikshme!
Shpeshherë, ata që qëndrojnë prapa komunitetit digjital janë të panjohur për audiencën, zgjedhin figura të pranueshme nga audienca që nxirren në radhë të parë, dhe një audiencë që nuk është e kategorizuar, por që zyrtarisht në rrjete sociale fillon nga 18 deri në 65 vjeç, merr të njëjtin informacion, pa adaptim adekuat.
Dhe këtu pastaj fillon karvani i mungesës së edukimit mediatik: informacione të paaprovuara, të përpunuara me inteligjencë artificiale, shpifje, ofendime e deri në kërcënime me jetë!
A ka mekanizma raportimi dhe fshirjeje?!
Patjetër se ka, por këta mekanizma janë shumë më të ngadalshëm sesa shpërndarja. Derisa një informacion i rrejshëm shpërndahet me fuqinë e dritës, fshirja ka procedura që ndiqen!
Dhe këtu nuk po flasim për diçka hipotetike.
Meta ka arritur një marrëveshje për të paguar deri në 17.1 miliardë dollarë për të zgjidhur paditë e ngritura nga disa shtete në ShBA, të cilat e akuzonin kompaninë se Facebook dhe Instagram ishin dizajnuar me veçori që nxisnin përdorimin e varësisë te fëmijët dhe adoleshentët dhe se platformat mund t’u shkaktonin dëme të rinjve.
Meta nuk ka pranuar fajësinë si pjesë të marrëveshjes, por ka pranuar një sërë ndryshimesh të detyrueshme në platformat e saj për përdoruesit nën 18 vjeç.
Kjo marrëveshje parashikon edhe kufizime të reja për përdoruesit e mitur:
- maksimumi 2 orë përdorim në ditë në Facebook dhe Instagram, me mundësi që prindërit të miratojnë ndryshime në këto kufizime;
- adoleshentët mund të çaktivizojnë furnizimin algoritmik të rekomanduar dhe të përdorin një furnizim kronologjik që shfaq llogaritë që ndjekin;
- prindërit mund ta vendosin furnizimin joalgoritmik si të paracaktuar;
- pëlqimet dhe numrat e reagimeve fshihen si parazgjedhje;
- ndalimi ekzistues i filtrave kozmetikë të bukurisë për të miturit mbetet në fuqi;
- qasja në aplikacion bllokohet nga ora 00:00 deri në 06:00;
- njoftimet shtytëse heshten nga ora 22:00 deri në 07:00;
- gjatë orarit të shkollës, njoftimet shtytëse bllokohen nga ora 08:00 deri në 15:00;
- pas 15 minutash përdorimi të vazhdueshëm vjen një kujtesë për pushim;
- përmbajtja ndalet dhe shfaqen kujtesa për ndërgjegjësim pas 60 dhe 90 minutash përdorimi total ditor.
Pra, ndërkohë që ne ende debatojmë nëse një figurë publike duhet apo nuk duhet të publikojë një video, imazh apo akuzë në rrjete sociale, në ShBA po shkohet deri aty sa një prej kompanive më të mëdha të teknologjisë detyrohet të ndryshojë mënyrën se si funksionojnë platformat e saj për të miturit dhe të paguajë një shumë historike për të zgjidhur këto procese.
Kjo duhet të na bëjë të mendojmë seriozisht për përgjegjësinë që kemi kur komunikojmë në hapësirën digjitale.
Sepse problemi nuk është vetëm teknologjia.
Problemi është edhe mënyra se si ne, si individë, si figura publike, si media dhe si shoqëri, e përdorim atë.
Kur sot flitet për këto çështje, ato merren si sulme ndaj figurave publike, jo si kritikë konstruktive dhe punë e përbashkët në vetëdijesimin e masës mbi komunikimin!
Andaj, kur sot dikush merr guximin të flasë për një temë të caktuar në publik, ka linçime të papara publike. Sot, po aq shumë informacion sa ka, ka gjithnjë e më shumë intelektualë që zgjedhin të mos shfaqen në publik, mu për këtë arsye!
Lehtësia me të cilën shtrembërohen imazhet, mosmbajtja e përgjegjësisë për imazhin e të intervistuarit, hedhja në turmën e uritur për të shfryrë vrerin ndaj çdokujt që kupton dhe mendon ndryshe.
Shoqëritë vdesin nga njerëzit që mendojnë njësoj, mbijetojnë nga ata që mendojnë ndryshe!
Dhe sot, më shumë se kurdo, mundohemi që ta unifikojmë menduesin. /Nistori/






