Rama dhe Open Balkan, gjeopolitika e tij e “shalqirit të Konispolit”

    ARTUR ZHEJI

    Rama me sa duket e ha dhe e shijon shumë shalqirin. Aq shumë sa, edhe kur duhet të bëjë nënvizime të rëndësishme gjeopolitike, ai nuk ndahet dot nga shalqiri. Edhe sot, në Prishtinë, ndonëse u përpoq të mos merrej me shalqirin e Konispolit që zbukuron pemëtoret e Beogradit, si ilustrim pse duhet OpenBallkan, ai përsëri nuk ia doli.

    Me studentët në Prishtinë, ai, në zjarrminë e shpjegimeve gjeopolitike, për t’i dhënë kuptimin e thellë ekonomik të domosdoshmërisë së OpenBallkanit, përmendi përsëri shalqirin e Konispolit. Freskinë që ai shalqi duhet të ketë për të mbërritur, në pemëtoret e Beogradit, pa pengesa kufitare dhe doganore ndërballkanike.

    Mirëpo, arroganca e Vuçiçit për ca targa makinash rrëfeu se sedra serbe nuk pranon as edhe një gërvishtje. Ndërkohë që “reciprociteti” e acaron pa masë. Sepse Beogradi ndihet i fyer, vetëm nëse e trajtojnë si të barabartë, edhe për ca targa makinash që shqiptarët nuk paskan të drejtë të kërkojnë në territorin e tyre. Sepse qartazi sipas serbit, shqiptarët, nuk janë në territorin ne tyre, por në tokë serbe.

    Tani është e kuptueshme që në këtë gjendje, kur kërcasin zinxhirët e tankeve, të rikujtosh gjeopolitikën e “shalqirit të Konispolit”, si “levë shtytëse” apo argument shpjegues të Openballkanërisë, bëhet qesharake. Dhe e dhimbshme, në të njëjtën kohë, sepse rrëfehet kësisoj se si, Kryeministri ynë, Kryeministri i Kullave me shumë kate, mbetet në katin përdhes të gjeopolitikës.

    Prandaj, dhe me sa duket, studentja kosovare, në takimin që Kryeministri ynë i kullave të larta që po mbysin Tiranën bëri me të rinjtë në Prishtinë, ajo i foli ëmbël, po krejt pa lidhje, me temat e mprehtë. Studentja gjeniale, me emrin Elvira apo diçka e tillë, e stigmatizoi thelbin e Ramës: “Desha me thanë se, sa herë që del në Tv, je ikonë e modës… Pyetje nuk kam!”…

    Në të vërtetë që pyetjet për Ramën duken se kanë mbaruar në Kosovën martire. Sepse, kur kërcasin zinxhirët e tankeve serbe në Kosovë, nanat sytë i kanë drejt djemve dhe çikave të tyre, që mund të përballen me një konflikt të ri. Të tjerat janë fjalë, të cilat Kryeministri i kullave të larta po i ujdis gjithmonë e më përtueshëm dhe gjithmonë e më “sajueshëm”…/Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Kacekët e erës së ftohtë nga Drini u mbyllën

    Lajmi i rradhës

    Dauti: Le të dihet që kësaj radhe komuna e Zhelinës u takon qytetarëve

    Lajme tjera

    Katër dromca nga Kosova

    Edison Ypi Fill pas bombardimeve. Në hymje të Shtimjes. Mëngjes herët. Ag. Mjegull. Gërmadha shtëpish gjithandej. Te një…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë