Teksti si kujtesë e pashmangshme

    BEHAR GJOKA

    Fati i poetit, sipas teorive letrare dhe praktikës së shkrimit, gjithherët mëvaret nga fati i fjalës, e cila gdhendet në germa. Fjala, sidomos ajo e poetit, që sublimohet si zë i kohës, zakonisht e tejkalon kohën fizike. Madje, në një kuptim ma domethënës, gjallimi i fjalës poetike, më së shumti rijetësohet dhe përndritet në kohën e amshimit. Në kuptim real të ekzistimi, teksti poetik, është kujtesë e pashmangshme, rimarrje, rigjetje, rivlerësim, me shumë gjasa është ritakim, hipotetik me vetë poetin, pamëdyshje me pjesën ma të bukur, pra, me frymimin shpirtëror, që e përçon poezishkrimi. Ali Podrimja erdhi në jetë në motin e largët dhe të vështirë, 1942, kur bota digjej në kthetrat e Luftës së Dytë botërore. Iku, pa zë dhe bubullima, në një heshtim tronditës, nën vellonë e misterit, në vitin 2012, me 21 korrik, bash në ditën qe leu Martin Camaj, mjeshtri dalëzotës i gegnishtes dhe lavruesi i poezisë, prozës, dramatikës, studiues i gjuhës dhe letërsisë. Ardhja në jetë e Podrimjes në prushin e luftës dhe ikja enigmatike, metaforikisht të fanitet si një yrnek, humor përjetësie, një shaka e mjeshtrit të poezisë, e sikur befas do të shfaqet, në vargjet e shkruara. Më në fund, me artistët, me poetët, jetëshkrimi ka vlerën e vet e gjithsesi ka kuptim të përkujtojmë lindjen dhe ndarjen nga jeta, por pasaporta, copa e shpirtit dhe mendjes, ma tepër gjellin dinamike në tekstet e shkruara, të cilat lexohen herëkurdo. Biseda e pambarimtë me librat, me vargjet dhe poezitë, sërish është e gjallë, si dikur, ndonëse pasi mbyll librin, vetëdija e ikjes së njeriut dhe poetit, të mbushë me dëshpërim, e pika e lotit rrëshqet vetvetiu…

    POET I METAFORËS RITMIKE

    Qysh në vargjet e para, të shkruara në vitet 1960, kur qe gjimnazist, shqiptohet poetika e metaforës, krahas shenjave të tjera, si zë i kohës së mjegullt për Dardaninë, për Gjakovën e tij: Qaj rrafshi im i dashur, qaj!/Diellin tënd verbuar e kanë tytat./E vatrat shkimbur deri më një…, e cila ndërkaq mbetet forma shprehëse dhe më domethënëse e shkrimit poetik, e shpërfaqjes së kumteve dhe poetikës, ku bashkë me angazhimin qytetar dhe atdhetar, prekim shpirtin human, me gjasë “bardin” e kohëve moderne, të fatit të gjakut të vetë, të kombit të shqipeve. Për të ardhur te vargjet emblematike: Me shekuj kam shitur gjakun/E jam rritur me gjakun e shitur/Me shekuj kam hëngër veten/E ditur s’kam të qesh me veten e tepruar… Miq,/Kosova është gjaku im që nuk falet, që gdhendin poetin e atdhetarisë, gjer në sakrificë, cilësi që përsëri shpërfaqet nëpërmjet magjisë, forcës dhe shëmbëllimeve që përcjell metafora, si makrobotë e shqiptimit poetik, në poezinë e larushisë së Podrimjes. Në vargjet: “Erdhe në jetë/Nuk ka më nevojë për kuje, lutje/Kryesorja të jetosh/Këtë gur ta hedhësh më larg se Unë”/ (Me jetue, Tim bir, Lumit), ku sendërgjohet pikëllima lirike, shkëputur nga vëllimi “Lum lumi”, botuar në vitin 1982, që për shumicën e lexuesve, studiuesve, shënjohet si kryevepra e poetit, si kanga e dhimbës së parrëfyeshme. Ritmika metaforike formëson një verb më nxitës, të shumëngjyrtë në vargjet: në udhëtimin tim/një macë e zezë më ndjek// e shpirti më thotë/në gjysmë rruge ke për të mbetur//e kënga më thotë/kurrë s’do t’më këndosh me zë//e drita më thotë/i verbëri i verbër ka mbetur//e ëndrra më thotë/më kërko në zhgjëndërr//po eja e thuaje atë fjalë/kur s’di kë dashuron apo urren//eja e besoji fytyrës në pasqyrë/një mace e zezë më ndjek//në udhëtimin tim/orën e fatit ajo dikton, si një paranojë, me gjasë si parathënie e fatit, të ardhjes në ethet e barotit, e mandej fluturimin në amshim, në rrathët enigmatikë, që nuk dihet së në cilin shteg të shpie…

    POEZIA SI GJERDAN LIGJËRIMI

    Trashëgimia shkrimore e Podrimjes përfshin artikuj, për letërsinë dhe më gjerë, intervista dhe prononcime të ndryshme, që zbulojnë përmasën e intelektualit. Po ashtu, prej këtij autori, ka tekste në prozë si vëllimi me tregime “Loja në diell” (1967); “Fundi i mitit” (2007), me eseistikë, duke shpaluar kështu gjerësinë e letrares. Megjithatë, emri, vlera, shënjimi estetik, rëndësia që ka vepra letrare e autorit në letrat shqipe, lidhet pazgjidhshmërisht me poezinë, ku do të mjaftonte përmendja e librave me poezi: “Thirrje 1961”, “Dhimbë e bukur” 1967, “Sampo” 1969, “Torzo” 1971, “Folja” 1973, “Credo” 1976, “Sampo 2” 1980, “Drejtpeshimi” 1981, “Lum Lumi” 1982, “Fundi i Gëzuar 1988”, “Zari” 1990, “Në bisht të sorrës” 1994, “Buzëqeshje në kafaz 1995”, “Pikë e zezë në blu”, 2005. Pra, kemi një mori përmbledhjesh me poezi, të vargut të lirë, të strehuar në magjenë e metaforikës ritmike, ku portretizohet universi poetik, si dhe shtegtimi i poetit, qysh me fillesat e deri në kulmime të pazakonta. Fjala dhe vargu portretizon poetin e atdhetarisë, të qytetarisë, të erotikës së përndezur, të pikëllimës së dhimbës, mjeshtrin e metaforës dhe të simbolit, si një zë unik i letërsisë shqipe bashkëkohore. Poetika e endur në kaq libra me poezi, është pjesë e vlertë e poezisë shqipe bashkëkohore, krahas mjeshtrave të tjerë si: A. Shkreli, F. Arapi, F. Gunga, Rr. Dedaj, M. Camaj, I. Kadare, D. Agolli, F. Rreshpja e tjerë. Numri i librave me poezi, e sidomos niveli estetik, ku arriti poezia e autorit e po kaq përkthimet e shumta që njohu poezia e Podrimjes, krahas qenësisë së poetikës spontane, të hapur dhe të drejtpërdrejtë si mesazh, përfaqëson njërën nga përvojat me më shumë ndikim, në harkun e bashkëkohësisë, sepse shpesh shëtitej në hapësirat etnike të shqiptarisë dhe dërgonte fjalën poetike, e po kaq mblidhte poetët, e ndihmonte për botimin e librave të tyre me poezi, si një pelegrin i fjalës shqipe, që edhe ikjen në amshim e gdhendi në vargje: Po qe se nuk të shkruaj/miku im i dashur dhe/Po qe se nuk ma dëgjon zërin/Merr një karafil/E ma kërko varrin/Diku në botë/Se vajta pas Lumit…

    Megjithatë, kujtesa njerëzore, e veçmas kujtesa e pashmangshme e teksteve, e derdhur në larminë e metaforave të Podrimjes, e kur gjezdisësh në arealin e poezive të poetit, sikur llafitesh me vetë atë, si një akt që buron nga drita që përçon fjala, ose edhe më qartë, siç e pati formuluar R. Barthes: …germa është kënaqësia e tij; madje ai është i fiksuar pas saj, siç janë kështu të gjithë ata që e duan gjuhën…(“Kënaqësia e tekstit”, 2021:34), si një akt komunikimi me poetikën autoriale, gjithherët, aq më tepër në motin e shpallur si vit i poetit Ali Podrimja…/Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Ekspertët japin alarmin: Niveli i deteve do të rritet me 30 centimetra, shkak Groenlanda

    Lajmi i rradhës

    Shuarja “dixhitale” e një epoke

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë