Qindra qytetarë, prej të cilëve shumica femra, sot kanë protestuar në Tetovë, kundër dhunuesve ndaj grave dhe fëmijëve.
Me parulla “Stop dhunës ndaj grave”, “Largoni pedofilat nga institucionet arsimore”, “Bëhu burrë, respekto nënën, motrën dhe vajzën”, protestuesit u solidarizuan me rastin e rëndë të para disa ditëve në Prishtinë, raporton Nistori.
Organizatorët e këtij marshi, kërkuan që zëri i tyre të ngritet lartë dhe të dëgjohet nga ata që marrin vendime kur i dënojnë dhunuesit.
Marshi protestues filloi nga sheshi “Iliria” dhe përfundoi para Gjykatës Themelore të Tetovës.
Ndryshe, ditë më parë një grup qytetarësh u mblodhën edhe në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, në shenjë proteste kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, pas rastit të rëndë në Prishtinë, ku një 11-vjeçare u përdhunua nga pesë persona. /Nistori/