Veshja e Lumës së Epërme në Maqedoninë e Veriut mbetet një nga më atraktivet sa i përket koloritit. Sara Kadriu nga shoqata Luma e Epërme thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo veshje e trashëguar me shekuj përmban elemente që nga koha ilire. Tash e disa vjet me radhë, në javën e parë të gushtit, mbahet edhe manifestimi “Takimet e Lumës” me qëllim ruajtjen dhe promovimin e traditave.
Luma e Epërme përbëhej nga 27 fshatra, por pjesa më e madhe e tyre tani janë tërësisht të pabanueshme.
“Këtë thesar që e kemi trashëguar me shekuj nga nënat, gjyshet dhe stërgjyshet nuk duam ta mbajmë të fshehur në arkë, prandaj organizojmë ‘Takimet e Lumës së Epërme’ për t’u njohur me të gjenerata e reja dhe të krenohen të gjithë shqiptarët”, thotë Kadriu, një nga organizatoret e manifestimit.
E veçanta veshjes së Lumës është dhe dollomba (dollama) për gratë, që është një tunikë me ngjyrë të kuqe dhe mëngë të gjata e të qëndisura me fije ari ose argjendi të bardhë. ajo po ashtu është e qëndisur edhe në pjesën përparme dhe jakë.
Për të qëndisur vetëm këmishën për nuse, nevojiten muaj të tërë punë dore. Një gërshetim ngjyrash, materialesh e motivesh e bëjnë veshjen kaq të veçantë.