Ema (I)

    Howard Zinn

    Dramë (Pjesa I)

    TABLOJA E PARË
    Marrë nga Teza11

    Skena e parë

    Hapja: tingujt e pianos luajnë “Mein Ruhe Platz”. Sirena e një fabrike dëgjohet në errësirë. Teksa dritat rriten, katër gra të moshave të ndryshme – Emma, Roza, Xheni, Dora – rrinë ulur mbi makinat qepëse imagjinare, duke imituar lëvizjet e qepjes, këmbët që lëvizin makinën, duke bërë një tingull ritmik, njëra dorë që lëviz materialin, tjetra që lëviz rrotën e makinës, dhe në çdo pak rrotullime, pa e humbur ritmin, fshijnë rrëmbimthi djersën nga balli. Ato punojnë në heshtje, me nxitim, me një rregullsi torturuese dhe i vetmi tingull që dëgjojmë është ritmi i këmbëve mbi dysheme që lëvizin makinën. Më pas njëra prej grave fillon të këndojë “Mein Ruhe Platz.” Ajo këndon dy strofat e para, e më pas shfaqet mbikëqyrësi, Vogeli,  një njeri ekspresiv, jo i lig por i trembur dhe nervoz për përgjegjësitë që ka.

    VOGELI

    Sa herë duhet t’jua përsëris?! Nuk lejohet të këndoni në orar të punës. Ju lutem!

    VOGELI

    Nëse doni të këndoni, filloni punë në opera! (Tund kokën dhe largohet)

    XHENI

    Ju kujtohet zjarri te fabrika e Kaçinskit muajin e shkuar?

    DORA

    Tetëmbëdhjetë vajza vdiqën. Disa prej tyre u dogjën të gjalla. Disa u hodhën nga dritaret. Kush mund ta harrojë atë ngjarje?!

    XHENI

    Epo, sot e shpjegonte gazeta pse ato vajza e patën të pamundur të zbrisnin nga shkallët e pasme.

    DORA

    Hë!

    XHENI

    Dera ishte e mbyllur nga jashtë. Kaçinski e mbyllte sepse disa nga vajzat dilnin fshehurazi në tarracë për të marrë pak ajër.

    DORA

    Maskarai! Dhe e quan veten hebre.

    ROZA

    Pse po qe pronari hebre ndryshon nga të tjerët?

    DORA

    Hebreu duhet të jetë ndryshe.

    ROZA

    Të gjithë janë njësoj, më beso. Kam punuar unë për hebrenjtë, johebrenjtë, madje edhe për italianët.

    XHENI

    Nuk e ndjej veten rehat të punoj këtu në katin e tetë. Këto kohë ka pasur shumë zjarre. E lexuat se çfarë tha kreu i zjarrfikësve të Nju Jorkut?

    DORA

    E kush i lexon gjithë ato budallallëqe?

    XHENI

    Bën mirë t’i lexosh. Thoshte se shkallët e tyre arrijnë deri në katin e gjashtë. Nëse je në të shtatin apo të tetin si ne, më mirë lutju Zotit.

    ROZA

    E dini që edhe dera e pasme në këtë kat është e mbyllur nga jashtë?

    XHENI

    Çfarë po thua?!

    ROZA

    Ka qenë kështu qëkur kam filluar punë këtu.

    DORA

    Epo kjo s’është në rregull.

    ROZA

    Është më mirë të mos mendojmë për këto gjëra.

    XHENI

    Dikush duhet t’i thotë Vogelit të hapë derën.

    DORA

    Po fole të gjeti belaja. Kush do t’i thotë Vogelit? Unë jo njëherë!

    EMA

    Z. Vogel! Ju lutem, shkoni jashtë dhe hapni derën e pasme! Në rast se bie ndonjë zjarr…

    VOGELI

    Shiko punën tënde! (Vogeli shfaqet.) Këtu punon në fabrikën e korseve. Kjo është fabrika e zotit Handlin. Nuk di gjë për dyer unë. Ema, po ma dëgjove këshillën, si më e reja këtu, shiko punën tënde!

    EMA

    (ngrihet nga makina): Unë nuk punoj nëse dera rri e mbyllur.

    VOGELI

    (edhe më i emocionuar): Mirë! Mirë pra! Ik! Nisu për në shtëpi që tani. Kush ta ka nevojën?! (Gjestikulon vrullshëm.) Dora, ti qëndro pak më vonë sonte që të mbyllësh punën e Emës! Do të marrësh pagë shtesë. Duhet ta mbyllim porosinë që sonte. Z. Handlin po pret për të.

    DORA

    (butësisht): nuk mund të qëndroj më vonë.

    VOGELI

    (duke i drejtuar gishtin): Ti, Xheni.

    XHENI

    Duhet të kthehem në orar sonte në shtëpi.

    VOGELI

    (i dëshpëruar): Roza!

    (Roza tund kokën)

    VOGELI

    (duke ulëritur): Si e keni hallin ju?

    ROZA

    Derën. Duhet të hapësh derën.

    VOGELI

    Nuk është puna ime që të hap derën.

    (Ema ngrihet që të ikë)

    DORA

    Ema, më prit edhe mua! (Ngrihet nga makina) Z. Vogel, më fal por kam frikë nga zjarret.

    XHENI

    Edhe unë. (Ngrihet)

    ROZA

    Z. Vogel, po ra zjarr, as ti nuk do të jesh në gjendje të zbresësh nga shkallët.

    VOGELI

    Paskeni ikur të gjitha nga fiqiri.

    (Të gjitha e kanë ndalur punën)

    VOGELI

    Pse më hapni telashe?! Ju lutem, goca, edhe unë duhet të ushqej familjen. Ju lutem, uluni te makinat, porosia duhet të niset sonte!

    EMA

    Hape derën!

    TË GJITHA

    Hape derën!

    VOGELI

    (duke bërtitur): Në rregull! Boll tani! Mjaft! (Largohet. Dëgjohet tingulli i një shuli që hapet dhe Vogeli që vazhdon të bërtasë.) U kënaqët tani?! Kur të më heqin mua nga puna do kënaqeni ju! Hajt pra, kthejuni punës!

    (Gratë i rikthehen ritmit të makinës, duke punuar në heshtje, dëgjohet vetëm zhurma e këpucëve të tyre mbi pedalin e makinës. Më vonë, pas heshtjes…)

    DORA

    Një shoqja ime e pa zjarrin në fabrikën e Kaçinskit… Vajzat në katin e dhjetë kishin dalë në dritare, me flakët rreth e rrotull tyre. Dukeshin kaq të vogla aty lart. Dhe kur filluan t’u digjen rrobat, u hodhën. Dy-tre njëherësh, duke u kapur nga dora…

    Skena e dytë

    Në errësirë, dëgjohet një tingull melodioz hebre. Dritat hapen në kuzhinën e Goldmanit. Ema dhe motra e saj, Helena, po kërcejnë. Helena po e drejton Emën teksa të dyja qeshin. Mamaja po u përgatit për të ngrënë, babai lëkund kokën nën ritmin e muzikës. Hyn z. Levin, një kushëri i largët që është i kamur, i veshur me rroba biznesi.

    BABAI

    Përshëndetje Z. Levin! Ema…

    (Ajo kthehet.)

    BABAI

    Boll kërceve! Përshëndete Z. Levin! Edhe ti Helena!

    (Fytyrat e Emës dhe të Helenës shprehin mospëlqimin e tyre për Levinin, teksa shikojnë njëra-tjetrën si për të thënë: “Erdhi prapë ky.”)

    LEVINI

    (duke përqafuar vajzat, paksa më fort seç duhet): Ah, vajzat tuaja të bukura! Përshëndetje të gjithëve!

    BABAI

    Uluni, uluni! Vajza, shkoni ndihmoni mamanë tuaj!

    (vajzat largohen në cepin ku ndodhet mamaja e tyre, për ta ndihmuar atë e për t’u argëtuar duke pëshpëritur “Ka ardhur Z. Levin!”, e duke luajtur me njëra-tjetrën.)

    BABAI

    (duke thirrur): Taube! Taube, ku është supa?

    (Ema e imiton duke i pëshpëritur Helenës: “Taube, ku është supa?”)

    BABAI

    Çfarë po llomotisni aty ju të dyja? Hajde uluni si gjithë njerëzit.

    (Vajzat sjellin supën dhe ulen në cepin e largët të tavolinës.)

    LEVINI

    Zonja Goldman, si po ju duket Roçesteri?

    BABAI

    (përgjigjet për të): Është një mijë herë më mirë se Nju Jorku.

    EMA

    (e vazhdon pëshpëritjen me Helenën në anën tjetër të tavolinës): Mamaja jonë nuk përgjigjet dot vetë.

    HELENA

    Babai ia njeh më mirë mendjen. (E kanë pasur këtë diskutim edhe më parë.)

    BABAI

    Këtu në Roçester, të sheh syri lule, fusha me bar…

    EMA

    Një lule, një fushë me bar… (Helena qesh.)

    BABAI

    Nuk është aq e mbipopulluar këtu sa në Nju Jork…

    EMA

    Vetëm shtatë vetë në një dhomë…

    BABAI

    (rreptësisht): Mos pëshpëritni ju aty, vajza! Tregohuni të sjellshme!

    LEVINI

    A ishte e vështirë të gjenit punë këtu?

    BABAI

    Oh, jo! Aspak.

    (Vajzat e shtrembërojnë fytyrën si për të thënë: “Jo, jo, hiç e vështirë!”)

    BABAI

    (u kthehet i nervozuar): Ç’keni ju të dyja që bëni rrëmujë?! Nuk dini të rrini ulur si njerëz në tavolinë? (I drejtohet Levinit) E di Jakob, burri i Emës? Ka një punë të mirë. Në një fabrikë të madhe. Bëjnë krevate.

    EMA

    (duke e ngritur zërin këtë herë): Gjashtë dollarë në javë. Dymbëdhjetë orë në ditë. Nuk është kthyer ende në shtëpi.

    BABAI

    (duke e injoruar): Edhe Ema ka punë të mirë. Në zonën e fasonerive. Ema, tregoji zotit Levin për punën tënde!

    EMA

    E çfarë ka për të treguar? I gjithë vendi qelbet erë.

    (Helena qesh.)

    EMA

    Dy dollarë e pesëdhjetë qindarka në javë. Nuk na lejohet të këndojmë. Nuk na lejohet të flasim. Mbikëqyrësi u fut duart vajzave, prandaj më duhet t’ia rras me shpullë surratit. (Ajo bën gjestin e goditjes; Helena qesh.) Epo (duke ngritur supet), nuk më lejohet të flas…

    BABAI

    Ka një gojë kjo… Shkon nëpër këto takimet, e dëgjon këta socialistët, komunistët, anarkistët, e dreqi e di se ç’tjetër. Nuk e merr me mend se ç’kemi hequr të gjithë ne kur ishim në Rusi.

    EMA

    Edhe atje në fabrikë punoja, baba. Nuk ka ndonjë ndryshim, vetëm se këtu duhet të punojmë më shpejt.

    BABAI

    (i inatosur): Këtu nuk i vrasin hebrenjtë!

    EMA

    Nuk kanë pse. Hebrenjtë e vrasin vetë veten nëpër makina.

    BABAI

    Këtu kemi një vend ku të jetojmë. Bjeri drurit! (I bie tavolinës)

    EMA

    Po, drurit. Digjet shpejt ai. Javën që shkoi, këtu në fund të rrugës, një familje e tërë u bë shkrumb e hi. Kujton se kjo i ndodh edhe Rokfelerëve në pallatet e tyre prej guri?

    LEVINI

    Të paktën këtu ka zjarrfikës. Kush kishe dëgjuar për zjarrfikës nga anët tona?

    EMA

    Kështu është Amerika, këtu ka më shumë zjarrfikës dhe më shumë zjarre.

    BABAI

    (i nxehur): Jemi me fat që jemi në Roçester. Ku ka më mirë, në Nju Jork?! Të ngjeshur si sardelet nëpër baraka?! Fëmijët që vdesin nga difteria e nga lija?!

    EMA

    Të paktën në Nju Jork njerëzit protestojnë…

    BABAI

    Epo mirë! Shko në Nju Jork ku janë mbledhur të gjithë ata halabakët. Dembelët që sorollaten kot e ulërijnë: “Amerika është palo vend.” Ata nuk dinë ta vlerësojnë këtë vend.

    (I bie tavolinës me grusht. Në dhomë bie heshtja.)

    MAMAJA

    (duke u vetëpërmbajtur): Ema, shko na hidh supën.

    (Ema fillon të shërbejë.)

    LEVINI

    (përpiqet të ndryshojë temën): Ju kam blerë gazetën e hebrenjve.

    BABAI

    Të faleminderit shumë! Ç’lajme të reja kemi?

    LEVINI

    Të kujtohen ata tipat që hodhën bombën në Çikago para një viti dhe vranë gjithë ata policë?

    EMA

    (me zë të lartë, e vendosur): Askush nuk u vërtetua si fajtori që hodhi bombën. Prandaj arrestuan tetë organizatorë anarkistë: një printues, njëri që qepte jastëkë, një marangoz…

    BABAI

    E sheh – kaq merr vesh kjo. E mirë, pusho tani që flet zoti Levin.

    LEVINI

    Po ju them vetëm atë që shkruan gazeta. Dje i varën katër prej tyre.

    (Ema fillon të qajë. Helena i hedh dorën mbi supe.)

    BABAI

    Ç’ke ti që qan?

    LEVINI

    Ata ishin anarkistë. I gjeti ajo që i priste.

    EMA

    (duke bërtitur): Mbylle gojën!

    BABAI

    (ngrihet në këmbë kërcënueshëm): Ku e ke respektin?!

    LEVINI

    (pa dashur të shkaktojë zallamahi, por duke dashur të thotë diçka, mbledh supet): Ç’ka këtu për të qarë?! Ata ishin vrasës.

    EMA

    Mbylle gojën! (E merr tasin e supës dhe ia hedh në fytyrë Levinit.)

    (Babai i afrohet duke hequr rripin. Mamaja futet në mes.)

    MAMAJA

    Është e tronditur! Është e tronditur!

    EMA

    Po guxove të më prekësh do hash edhe vetë!

    BABAI

    (i tërbuar): Çfarë the moj?!

    EMA

    Më dëgjove!

    BABAI

    (ngre rripin): Ia ndreq unë kësaj.

    MAMAJA

    Helena, merre që këndej përpara se ta vrasë babai!

    (Helena e tërheq Emën. Mamaja i jep Levinit një peshqir që të fshijë fytyrën.)

    BABAI

    Ajo vajzë është e çmendur, ka shkalluar!

    MAMAJA

    Shhhh! Shhhh!

    (Dritat ulen në kuzhinë, ringrihen përsëri te Ema dhe Helena të ulura mbi një krevat tek te cepi, një dritë e zbehtë, muzikë që mezi dëgjohet në sfond, “Mein Ruhe Platz.”)

    EMA

    Helena, fli me mua!

    HELENA

    A nuk do flejë Jakobi me ty?

    EMA

    Ne nuk flemë bashkë që prej natës së parë. Nuk duhej të isha martuar kurrë me të.

    HELENA

    Atëherë pse e bëre?

    EMA

    Isha e vetmuar.

    HELENA

    Kjo nuk është një arsye e mirë.

    EMA

    Dhe budallaqe.

    HELENA

    Kjo po që është arsye e mirë.

    EMA

    Por mjaft me kaq! Duhet të jetoj jetën time. E kam ndarë mendjen. Do shkoj në Nju Jork.

    HELENA

    Do ta lësh Jakobin, familjen, punën?

    EMA

    Gjithçka.

    HELENA

    Sikur të kisha edhe unë guximin tënd.

    EMA

    Ti e do burrin tënd. Pse do ta lije?

    HELENA

    Nëse do të isha më e guximshme, nuk do ta doja edhe aq.

    (Ato qeshin të dyja, pastaj bie qetësi, më pas Helena fillon përsëri të qeshë.)

    EMA

    Ç’ka për të qeshur?

    HELENA

    Supa! E pe fytyrën e babait?

    EMA

    A e pe fytyrën e zotit Levin?

    (Qeshin përsëri të dyja. Pastaj bien në qetësi.)

    EMA

    Që ta dish, Helena, unë të kam shumë xhan.

    HELENA

    (duke mbajtur të qarët): Kujdesu për veten në Nju Jork. E dëgjove se ç’tha babai. Aty mblidhen gjithë halabakët.

    (Ato përqafohen duke qeshur, duke qarë, teksa ulen dritat, muzika dëgjohet e ulët në sfond.)

    Skena e tretë

    Kafeja e Saksit. Manhatani i poshtëm. Dikush luan në piano. Gjendje harbimi. Të rinj që hanë, pinë birrë. Dy tavolina. Ditë e nxehtë gushti. Zoti Saks po luan lojën italiane ‘morra’ me pianistin me numra, duke ngritur gishtat në ajër, duke bërtitur…

    SAKSI

    Quattro! Due! Otto! Uno! . . .

    (Ema hyn e shoqëruar nga Vitoja. Duket ndryshe, se po e shijon lirinë e saj, e çlirët, edhe pse është e panjohur për të tjerët. Vitoja është trupvogël, imcak. Po pi duhan.)

    EMA

    Këtu qenka shumë mirë.

    VITOJA

    Këtu mblidhemi pas pune. Sa plane janë hartuar këtu! Sa revolucione janë fituar këtu!

    (Fedia është ulur në tavolinë me Ana Minkinën – ajo po pi duhan.)

    FEDIA

    Sa birrë është pirë këtu!

    (Ema dhe Vitoja qeshin)

    FEDIA

    Ulu Vito! Kush është shoqja jote?

    (Ema dhe Vitoja ulen.)

    VITOJA

    (me zë të lartë): Z. Saks, dy birra! Kjo është Ema Goldmani. Sapo ka mbërritur nga Roçesteri.

    FEDIA

    E para kësaj?

    EMA

    Nga Kovno, në Rusi.

    FEDIA

    Ah… Kovno!

    ANA

    Ai s’e ka idenë se ku ndodhet. Po të kishe thënë “Shmetrogorsk,” Fedia do kish thënë: “Ah, Shmetrogorsk!”

    FEDIA

    Pra ti je nga Roçesteri. Kam dëgjuar se quhet qyteti i luleve (flowers).

    EMA

    Jo, qyteti i miellit (flour), si ai që bëhet buka.

    FEDIA

    Mirëserdhe në Nju Jork, qytetin e kanaleve të ujërave të zeza.

    VITOJA

    Fedias nuk i shqitet nga mendja që unë punoj në kanalizime.

    ANA

    Vito, ti punon në kanalizime, por në të vërtetë je filozof.

    VITOJA

    Pse çfarë dallimi ka? Por kështu është. Gjithkush këtu është në fakt diçka tjetër. Ana punon në një fabrikë korsesh, por çfarë është ajo në të vërtetë? Një organizatore e punëtoreve të korseve. Fedia është i papunë. Por çfarë është ai në të vërtetë? Një artist.

    FEDIA

    Në të vërtetë jam i papunë.

    EMA

    Si është të punosh në kanalizime?

    VITOJA

    Pikësëpari, është punë e përkohshme. Derisa të ketë një kapsllëk të përgjithshëm në Nju Jork.

    (Ana tund kokën – ajo e njeh Viton.)

    VITOJA

    Sipas teorisë marksiste të krizave kapitaliste, të pasurit do t’i zërë kapsllëku gjithnjë e më shumë dhe të varfrit do kenë gjithnjë e më pak për të ngrënë, prandaj kanalizimet do boshatisen. Nga ky moment, unë dhe punëtorët e tjerë të kanalizimeve, proletarët e vërtetë, do të ngrihemi (ai ngrihet në këmbë në mënyrë dramatike) … nga poshtë mut…

    SAKSI

    Boll ore, se njerëzit po hanë…

    VITOJA

    S’kam më se ç’të them. Kur ajo ditë të vijë, atëherë ke për të parë zoti Saks.

    SAKSI

    Kur të fillosh të paguash për birrën që pi, atëherë kemi për të parë.

    VITOJA

    Mos e ki merak. Marr rrogën të premten.

    SAKSI

    Familja ime do të hajë (ngre gishtat e dorës) e hënë, e martë, e mërkurë, e enjte…

    VITOJA

    Po unë nuk dua të ha?

    SAKSI

    Jo, ti je revolucionar. Ti jeton me ajër të ngrohtë.

    (Të gjithë qeshin. Saksi vazhdon lojën e tij të “morras” me pianistin.)

    FEDIA

    Qeshni, qeshni! Kur të vijë revolucioni, këtë mejhanen do ta kolektivizojmë, e pastaj do kemi…

    ANA

    Birrë falas!

    (Të gjithë thërrasin në kor: “Birrë falas! Birrë falas!” Saksi tund kokën.)

    EMA

    (i drejtohet Vitos duke qeshur): Pra kështu e planifikojnë anarkistët revolucionin në Nju Jork.

    VITOJA

    Punojmë shumë gjithë ditën, prandaj në mbasdite…

    ANA

    Po, gjatë ditës, në vendin e punës, denoncojmë kapitalistët. E pastaj në mbasdite, te Kafeja e Saksit, denoncojmë njëri-tjetrin. Këtu ka marksistë, bakuninistë, kropotkinistë, deleonistë…

    EMA

    Po ti?

    ANA

    Ah, herën e parë që lexova Marksin! Manifestin! Kaq i qartë, kaq i lavdishëm! (Ngrihet mbi karrige.) Punëtorë të të gjitha vendeve, bashkohuni! Sistemi kapitalist ka krijuar pasuri marramendëse, por e ka arritur këtë përmes mjerimit të njerëzimit. Ai është një sistem i sëmurë. Si e zgjidh ai problemin e papunësisë? Duke shkuar në luftë ose duke u përgatitur për luftë. Ai duhet t’i hapë rrugën një shoqërie të re, ku njerëzit e ndajnë punën dhe e ndajnë pasurinë dhe jetojnë ashtu siç u ka hije qenieve njerëzore. (Të gjithë duartrokasin; Ana përkulet.) Por më pas, lexova Bakuninin.

    (Vitoja bën një gjest neverie.)

    ANA

    Në fillim e urreva për sulmet që i bënte Marksit. Por më nxiti kureshtjen. Diktatura e proletariatit, thoshte ai, është njësoj si diktatura e borgjezisë. Nuk do të shpërbëhet vetë. Do të kthehet në tirani. Nuk mund të ketë një shtet punëtorësh. Shteti është i keq në vetvete. Duhet t’i shporrim qeveritë, zotët dhe padronët.

    (Ema dhe Fedia duartrokasin.)

    VITOJA

    Bakunini është një ëndërrimtar, një romantik. Marksi i ka rrënjët në histori, në realitet.

    FEDIA

    Tre herë gëzuar për Bakuninin!

    VITOJA

    Katër herë gëzuar për Marksin!

    FEDIA

    (duke mbajtur gishtat lart si në lojën “morra”): Bakuninin!

    VITOJA

    Marksin!

    ANA

    (duke qeshur): Kropotkinin!

    VITOJA

    Engelsin!

    SAKSI

    (duke u treguar të gjithëve gishtin): Revolucionin!

    (Një burrë hyn në kafene. Me flokë të zinj, syza, me tiparet në fytyrë të theksuara dhe nofull të fortë. Hedh sytë vërdallë, qartazi e ndjen veten si në shtëpinë e tij.)

    VITOJA

    Përshëndetje Sasha!

    (Fedia dhe Ana gjithashtu: “Ç’kemi Sasha.” Sasha tund kokën, ulet në një tavolinë përbri.)

    VITOJA

    (drejtuar Emës): Ai quhet Aleksandër Berkman. Asnjëherë nuk flet deri pasi ka ngrënë.

    SASHA

    (i flet Saksit): Zoti Saks. Një biftek të madh. Dhe një birrë të madhe.

    FEDIA

    Sasha, kush vdiq që t’i la ty paratë?

    SASHA

    Sot mora rrogën.

    VITOJA

    (Emës): Punon në një fabrikë cigaresh. Aia merr dot me mend moshën?

    EMA

    Tridhjetë e pesë?

    VITOJA

    Njëzet e një.

    EMA

    Nuk qenka më i madh se unë.

    VITOJA

    Sasha është më i madh se të gjithë. (I drejtohet atij.) O Sasha, përshëndete shoqen tonë të re nga Roçesteri, Ema Goldmanin!

    SASHA

    (ngre sytë, tund kokën, vazhdon të hajë): Johan Mosti do mbajë një leksion te Akademia e Muzikës nesër mbrëma. (Zgjat dorën te gazeta e mbështjellë tub.) Kam fletushkat këtu.

    EMA

    Johan Mosti, dora vetë?!

    SASHA

    (duke e vështruar mirë për të parën herë): Nuk e ke dëgjuar asnjëherë të flasë?

    EMA

    Jo, por ia lexoj artikujt në Freiheit.

    SASHA

    (tund kokën, vazhdon të hajë, ngre sytë): Kush do shpërndajë fletushka në anën perëndimore?

    VITOJA

    (i drejtohet Emës): Sasha nuk harxhon asnjë minutë kohë. (i drejtohet Sashës) Në rregull, do ta mbuloj unë anën perëndimore në pushimin e drekës.

    (Sasha i lë në dorë disa fletushka)

    ANA

    Unë do mbuloj Sheshin e Bashkimit, menjëherë pas pune.

    FEDIA

    Do të të ndihmoj edhe unë. Takohemi atje në orën gjashtë.

    SASHA

    Unë kam një takim në fabrikë në pushimin e drekës. Do shpërndaj fletushka në Rrugën Brum një orë para se të shkoj në punë.

    ANA

    Sasha! Do të të duhet të ngrihesh në orën pesë…

    SASHA

    E pastaj?

    ANA

    E pastaj, asgjë. Pas revolucionit do të të ngremë një përmendore në Rrugën Brum. (Ajo merr një pozë.) Sasha duke shpërndarë fletushka para se të lindë dielli.

    EMA

    Unë kam një dhomë shumë afër me Rrugën Brum. Do të të jap një dorë.

    SASHA

    Në pesë të mëngjesit?

    EMA

    Nëse do jesh ti atje, do jem edhe unë.

    VITOJA

    Të shpërndash fletushka me Sashën është eksperiencë më vete. (Ai merr disa fletushka, ngrihet në këmbë, hyn në rol duke imituar Sashën në cepin e rrugës, bën sikur i drejtohet një kalimtari.) “Miku im i mirë, a jeni në dijeni se Johan Mosti do të flasë sonte? Ja ku e keni informacionin.” (Ia lë fletushkën në dorë Fedias, pastaj e ndryshon zërin si kalimtari.) “Kush? Çfarë? Nuk kam kohë.” (Pastaj kthehet te zëri i indinjuar i Sashës) “Nuk paskeni kohë! Dhjetë orë në ditë ia jepni kapitalistëve, dhe nuk keni një orë për lëvizjen që do ju nxjerrë nga skllavëria?! Turp të keni!” (Ia fut fletushkën Fedias në fyt.)

    (Fedia mbytet. Të gjithë qeshin. Sasha tund kokën, mezi i del një buzëqeshje: mund ta mbajë shakanë.)

    VITOJA

    Ndërsa Fedia që shpërndan fletushka, është muhabet tjetër. (Merr një pozë sqimatare.) “E dashur zonjë, kam diçka për ju. Mos kini frikë. Është një biletë falas për në koncert. Një koncert fjalësh. Një simfoni idesh. Dirigjenti? Johan Mosti. Është kënaqësia ime, zonjë.” (Ia jep fletushkat Emës, kërcen plot hijeshi rrotull saj, duke kënduar një melodi.)

    SASHA

    Lë të bëhemi seriozë.

    VITOJA

    Unë jam serioz, jam serioz. (I shtyn një tjetër fletushkë Fedias në gojë.)

    SASHA

    Mendoj se nuk është me mend që Fedia dhe Ana të shkojnë tek i njëjti vend dhe unë me shoqen tonë Goldmanin të shkojmë te i njëjti vend. Është humbje energjish. Mund të mbulojmë një territor më të gjerë.

    EMA

    Jo, nuk është humbje energjish. Nëse afrohet ndonjë polic, e ka më të vështirë që të arrestojë dy vetë njëkohësisht.

    ANA

    Ka të drejtë.

    EMA

    Pastaj, duket më mirë me dy vetë. Tregon se jemi një organizatë.

    ANA

    Ka të drejtë.

    SASHA

    (i bezdisur): Nuk ka të drejtë. Sapo ia behu nga Roçesteri dhe po na mëson neve si të shpërndajmë fletushka në Nju Jork.

    EMA

    (me qetësi): Ç’shfaqje e ulët e provincializmit!

    SASHA

    (në mënyrë agresive): Çfarë qe ajo fjala?

    EMA

    E ulët.

    SASHA

    E kisha për atë fjalën tjetër.

    EMA

    Provincializëm?

    SASHA

    Nuk e njoh atë fjalë.

    (Bie një heshtje e parehatshme.)

    EMA

    (me qetësi): Dhe e quan veten anarkist?!

    SASHA

    (i inatosur): Po!

    EMA

    Dhe internacionalist?

    SASHA

    Sigurisht!

    EMA

    Provincializmi është e kundërta e internacionalizmit.

    SASHA

    Pra qenka një fyerje!

    ANA

    Ka të drejtë, Sasha.

    SASHA

    “Ka të drejtë, ka të drejtë!” Boll më!

    VITOJA

    Sasha, erdhi dita që ta humbësh një debat.

    EMA

    Shihemi në oren pesë, Sasha. Në rrugën Brum. Te stacioni i tramvajit.

    (Ajo i zgjat dorën. Sasha e sheh me kureshtje, shtrin dorën me ngadalë. I shtrëngojnë dorën njëri-tjetrit, shihen në sy, e para shenjë buzëqeshjeje në sytë e Sashës.)

    Skena e katërt

    Një këngë revolucionare e inçizuar. Salla Dojçverein, projektori i dritës mbi Johan Mostin, në qendër të skenës, me pallto dhe kravatë, flokët e prerë shkurt, mjekër të zezë në gri, i gjatë, një shtrembërim në pjesën e majtë të fytyrës nga një aksident kur qe fëmijë. Ai ka forcë dhe dinjitet. Ai ka qenë dikur anëtar i Rajhstagut gjerman. Ai është burgosur. Ai është një veteran i lëvizjes revolucionare. Një orator dramatik, por i aftë që të ngadalësojë fjalimin dhe të pëshpëritë për të përçuar efektin. Këtu po mban një leksion mbi anarkizmin, e njëkohësisht po ia përçon edhe policëve. Ka nga një polic në çdo cep të skenës me shkop në dorë, në gjysmë-errësirë. Ky është një fjalim i gjatë dhe mund të funksionojë vetëm nëse Mosti e mbërthen audiencën.

    MOSTI

    Shokë! Miq! Dhe ju anëtarë të policisë së Nju Jorkut. (Të qeshura. Mosti vështron ngultas drejt turmës, duke mbajtur dorën si strehë mbi sy. Ai drejton gishtin.) Ah, ja ku është edhe inspektori Salivan në rreshtin e katërt, duke mbajtur shënime. (Të qeshura, duartrokitje.) Ju lutem, inspektor, ma shkruani emrin si duhet – quhem Johan Most. (Mosti shtrin duart me pëllëmbët e hapura. Nuk dallohet më buzëqeshja në fytyrën e tij. Tonaliteti i zërit i ndryshon.) Miqtë e mi, ja ku jemi mbledhur këtu, në një takim paqësor. Në publik ka gra e fëmijë. (Dallohet tashmë indinjata në zërin e tij.) E prapëseprapë janë rreshtuar policë në të katër cepat, duke mbajtur shkopinj nëpër duar, me pistoleta në brez. Kështu kuptohet në Amerikë liria e fjalës?

    (Murmuritje në publik)

    MOSTI

    Anëtarë të forcës policore, pse ndodheni këtu? Ndoshta keni dëgjuar se ky është një takim anarkistësh? (Të qeshura) Po, ne jemi anarkistë! (Duartrokitje) Ndoshta keni dëgjuar se ne besojmë te mungesa e rregullit. (Përplas pëllëmbët, si një mësues shkolle) E keni gabim! Ne besojmë te rregulli. Jo te një rregull artificial, që imponohet nga shkopi dhe arma, nga gjykatat dhe burgjet, por nga rregulli natyror i qenieve njerëzore që punojnë dhe jetojnë së bashku në barazi, në harmoni. Kush thotë se besojmë në kaos dhe në mungesën e rregullit? Kapitalistët dhe nxitësit e luftës, ata që nxisin kaosin ekonomik, arkitektët e çrregullimit botëror! (Zëri i zbutet) Më lejoni t’ju shpjegoj, inspektor Salivan, dhe juve anëtarë të forcave policore, ç’na shtyu të bëheshim anarkistë. (Ai ndalon dhe e drejton trupin.) Në fillim, i hodhëm sytë nga jetët tona dhe zbuluam se po jetonim me rregulla që nuk i kishim shkruar vetë, në mënyra që nuk i dëshironim, të tëhuajësuar nga dëshirat më të furishme njerëzore. Më pas, hapëm sytë dhe vështruam përreth qytetit. Në pesë të mëngjesit vumë re punëtorët sesi hapnin dritaret për të marrë një gulç ajri të pastër përpara se të hynin nëpër fabrika. Në dimër, pamë trupat e pleqve e të plakave të ngrira nga i ftohti sepse nuk mund të blinin lëndë djegëse që të ngroheshin. Në verë, pamë foshnjat nëpër apartamentet me qira sesi vdisnin nga kolera. (Ka rënë një heshtje e përgjithshme. Zëri i tij ngrihet. Ritmi i tij shtohet.) Dhe pamë edhe diçka tjetër. Pamë që shtatëqind ndërtesat në këtë qytet kanë pronar vetëm një familje, Astorët, pasuria e të cilëve është njëqind milionë dollarë. Ne pamë që Xhei Guldi kishte pesëqind hektarë truall në Hudson dhe një kështjellë në Shëtitoren e Pestë, teksa Rokfeleri kishte marrë nën kontroll naftën e të gjithë vendit. Po, ne pamë sesi të pasurit jetonin me pasurinë e krijuar nga breza të tërë punëtorësh. Ne pamë sesi u mbajt një festë në Ualford Astoria për nder të një qeni. Po, të një qeni! I cili ishte i stolisur me gurë të çmuar, teksa nënat në Rrugën e Qershive nuk kishin qumësht për fëmijët e tyre. (Zëri i tij është i ngulfatur nga zemërimi. Ai pret të rimarrë veten dhe flet më me ngadalë.) Ne pamë edhe sesi të njëjtët njerëz që zotërojnë industritë e Amerikës zgjedhin presidentët dhe kongresmenët. Ata emërojnë gjykatësit, caktojnë priftërinjtë, zotërojnë gazetat, financojnë universitetet.

    (Policët fillojnë të përplasin shkopinjtë në duart e tyre në të njëjtën kohë. Zëri i Mostit ngrihet sipër zhurmës që ata bëjnë.)

    MOSTI

    Çdo vit tridhjetë e pesë mijë punëtorë vdesin në minierat dhe mullinjtë e tyre. Çdo brez bijsh punëtorësh masakrohet nëpër luftërat e tyre. Dhe na akuzojnë neve për dhunë! (Ai ndalon, flet në mënyrë shumë të vendosur.) Le ta bëjmë shumë të qartë qëndrimin tonë. Dhunë kundër njerëzve të pafajshëm? Kurrë! Luftë kundër shtypësve? Gjithmonë! (Duartrokitje) Po, mbani shënime, inspektor Salivan. Ne presim të dëgjojmë prej jush. (Të qeshura) Por edhe ne po mbajmë shënime. Dhe një ditë, një ditë, edhe ju do dëgjoni prej nesh!

    (Mosti përkulet, largohet i ndjekur nga duartrokitje të zjarrta, hapat që dëgjohen, më pas këndohet “Internacionalja” në gjermanisht. Policët ende po përplasin shkopinjtë nëpër pëllëmbët e duarve.) (Ema dhe Ana shfaqen, teksa ato zhurma dëgjohen ende. Ato kanë qenë të pranishme në publik.)

    ANA

    Çfarë takimi!

    EMA

    Pra ai qenka Johan Mosti. Tani e di pse sa hyn e del nga burgu.

    SASHA

    (u bashkohet): Ç’kemi Ana… ç’kemi Ema?

    (Fedia u bashkohet gjithashtu. Ai ka veshur një këmishë të qepur për merak. Sasha tund kokën.)

    SASHA

    Pa shiko çfarë këmishe! Dallohet gjithmonë artisti.

    FEDIA

    Sasha u bezdiska nga këmisha ime.

    EMA

    Unë mendoj se është shumë e bukur.

    SASHA

    Të gjithë kemi shijet tona. Po a duhet të shpenzojmë para për të tilla gjëra kur lëvizja ka nevojë për çdo qindarkë që kemi?

    EMA

    A nuk kemi nevojë për gjëra të bukura që të kujtohemi se si mund të bëhet jeta një ditë?

    SASHA

    A duhet një anarkist të shijojë luksin kur njerëzit jetojnë në varfëri?

    ANA

    Kur hebrenjtë flasin me njëri-tjetrin, ata vetëm shtrojnë pyetje. Askush nuk përgjigjet.

    EMA

    A mos duhet të heqim dorë nga muzika dhe nga aroma e jargavanëve që të mund të jemi revolucionarë?

    ANA

    (duke i bërë shenjë Fedias): E sheh?

    SASHA

    Kush tha se duhet të heqësh dorë nga muzika apo nga lulet? Por nga këmisha të tilla, po.

    FEDIA

    Po nga arti?

    SASHA

    Ky është fakt objektiv: artisti jeton mbi kurrizin e të varfrit. Mos e merr personale, Fedia.

    FEDIA

    Si të mos e marr? A nuk jam edhe unë njeri?

    EMA

    Sasha, ka diçka që nuk shkon me mënyrën si ti mendon. Nuk mund të ta sqaroj tamam…

    SASHA

    Nëse do kishe të drejtë do ishe në gjendje të ma sqaroje.

    EMA

    (me qetësi): Je i padurueshëm.

    SASHA

    (me humor): Nuk e di se ç’do të thuash, por më duket se u ofendova përsëri.

    ANA

    Unë, Sasha, mendoj se do të thotë se ti do të na shohësh të gjithëve të vuajmë deri sa të vijë revolucioni.

    SASHA

    Ju nuk më kuptoni.

    ANA

    Unë të kuptoj, dhe po nisem për në shtëpi tani – për të vuajtur! A do vish Ema?

    EMA

    Do vij pak më vonë. Më duhet të ndryshoj datat te këto posterat. Mosti do flasë përsëri pas dy javësh.

    ANA

    (u drejtohet burrave): Ajo do rrijë me mua derisa të gjejë punë. (Niset të ikë, e shtyn me sup Fedian deri sa ai fillon të kuptojë.)

    FEDIA

    (duke u hequr sikur po gogësin): Jam lodhur. Po e bëj rrugën për në shtëpi me ty Ana. (Ata nisen.)

    SASHA

    (teksa sheh Fedian që po largohet, duke tundur kokën): Qenka i lodhur! Ai fle gjithë mëngjesin. (Heziton, zëri i tij zbutet teksa kthehet me fytyrë nga Ema.) Ç’do thoje për një shëtitje të vogël?

    EMA

    Nuk kam mbaruar ende me këto posterat.

    SASHA

    Dhe le të mos debatojmë. Fundja, jemi shokë.

    EMA

    A nuk duhet të debatojnë shokët?

    SASHA

    Tani dashka të debatojë lidhur me debatin! (Qëndrojnë në heshtje teksa ajo vazhdon të punojë me posterat.) Shkojmë për një arançatë.

    EMA

    (duke bërë gallatë): A nuk është arançata luks?

    SASHA

    (pas një pauze): Një arançatë?

    EMA

    Po sikur të dua t’i shtoj pak shurup çokollate?

    SASHA

    (e kap lojën): Nuk jam aq dogmatik saç mund të mendosh. Pak shurup çokollate.

    EMA

    (i ndryshon toni i zërit): Si u bërë kështu si je, Sasha?

    SASHA

    Do të thuash i padurueshëm?

    EMA

    Po. Jo. Dua të them, idetë e tua. Idetë tona. Më kanë treguar se ti organizon punëtorët e cigareve.

    SASHA

    Në Rusi, kur isha trembëdhjetë vjeç, më përjashtuan nga shkolla sepse shkrova një ese.

    EMA

    Për një ese?!

    SASHA

    Titulli u konsiderua disi i tepruar. “Nuk ka Zot.”

    (Ata qeshin)

    EMA

    Kur ishte trembëdhjetë vjeç punoja në një fabrikë në Shën Pjetërburg. Nuk i njihja fjalët kapitalizëm, antisemitizëm, shtet. Por gjithçka ishte e qartë. Kush ka nevojë për fjalë kur e ndjen përditë mbi kockat e veta?

    SASHA

    A nuk mendoje se Amerika do të ishte ndryshe?

    EMA

    Në fabrikën në Roçester nuk ndjeja asnjë ndryshim. Po, Amerika kishte një kushtetutë. Por brenda fabrikës nuk kishte pikën e rëndësisë.

    SASHA

    Nuk kishte pikën e rëndësisë as për ata që u ekzekutuan në Hejmarket.

    EMA

    Shumë prej nesh i hapën sytë pas asaj që ndodhi në Hejmarket.

    SASHA

    Asnjëherë nuk do t’i harroj fjalët e Spajsit para jurisë: “Këto janë idetë e mia. Ato përbëjnë pjesë të vetes time. Nuk mund ta ndaj veten prej tyre, e madje as nuk do ta bëja diçka të tillë sikur të mundja… Po ju them se nëse vdekja është ndëshkimi për ata që thonë të vërtetën, atëherë thërrisni xhelatin.”

    (Të dy preken teksa i dëgjojnë të përmenden ato fjalë sërish.)

    SASHA

    Shpresoj të kem të tillë kurajë kur të vijë koha.

    EMA

    (duke iu afruar, duke i kapur dorën): Sasha! Je shumë i ri për të folur për vdekjen.

    SASHA

    Një ditë zgjedhja do jetë para nesh, të përkulim kryet ose të rrezikojmë gjithçka. Të japim jetët tona, po qe nevoja.

    EMA

    Unë jam gati që ta jap jetën për idetë e mia. Por do të doja që ta jepja gjatë një periudhe pesëdhjetë vjeçare, jo në një moment të vetëm heroik. Lëvizja ka nevojë që ne të jetojmë për të, jo të vdesim për të.

    SASHA

    Ndoshta vetëm nipërit tanë do të mund të përmbushin jetët e tyre.

    EMA

    Unë nuk e besoj këtë. Ne duhet të jetojmë jetën tonë. Dhe në mënyrën më të bukur, të dëshmojmë se si një jetë mund të jetohet. (Në vrullin e saj, ia ka kapur të dyja duart dhe i është afruar. Papritmas e vënë re afërsinë e tyre dhe largohen.)

    SASHA

    (duke hezituar): Çfarë ke për të bërë nesër?

    EMA

    Duhet të shkoj te depot në qendër. Kam lënë makinën time të qepjes atje.

    SASHA

    E ke sjellë që nga Roçesteri?

    EMA

    Po. Jam lodhur së punuari në fabrikën e korseve. Dua të punoj për veten time, mbase të ngre një dyqan kooperative. Si Vera te Ç’të bëjmë?

    SASHA

    Oh, paske lexuar Çernishevskin?

    EMA

    Pse të bën përshtypje?

    SASHA

    Epo, meqë je kaq e re.

    EMA

    Edhe ti je i ri.

    SASHA

    Por unë jam burrë.

    EMA

    (duke iu ngritur nervat): Dhe unë jam grua.

    SASHA

    Ti je shumë e ndjeshme.

    EMA

    Dhe ti je shumë i pandjeshëm.

    SASHA

    (duke psherëtirë): A mendon se unë dhe ti do bëhemi ndonjëherë miq të mirë?

    EMA

    (butësisht): Pse, nuk jemi? (Një sekondë heshtjeje) Sasha, le të shkojmë për arançatën ndonjë herë tjetër. Ana po më pret dhe ajo ka nevojë të flejë.

    SASHA

    Në rregull! Nesër do vij me ty në qendër. E njoh mirë qytetin. Më pas, nëse e ke me qejf, mund të marrim rrugën për nga Ura e Bruklinit dhe ta kalojmë në këmbë. Ajri mbi lumë është i mrekullueshëm.

    EMA

    (mosbesuese): Nuk ta kërkova që të vije me mua. A nuk duhet të shkosh në punë?

    SASHA

    (paksa i zënë në faj): Sot në mëngjes, kur shkova në punë, bëra një gabim taktik. U shpërndava disa nga fletushkat punëtorëve. Mbikëqyrësi më tha: “Kjo është dita jote e fundit në punë.” Prandaj mund të vij me ty nesër.

    (Ema nis të flasë, por ai ngre dorën.)

    SASHA

    E di se ku jeton Ana Minkini. Në cilën orë?

    (Ema nuk përgjigjet.)

    SASHA

    Në ç’orë?

    EMA

    Në dhjetë.

    SASHA

    Mirë. Para se të takohem me ty do kërkoj për punë.

    EMA

    E pashë se sa ha… Të duhet puna.

    SASHA

    Ema… Mendoj se je… e padurueshme. (Ai kthehet për t’u larguar, pastaj kthehet pas.)

    (Të dy qeshin. Ai kthehet përsëri dhe largohet.)

    Skena e pestë

    Apartamenti i Ana Minkinit. Dëgjohet muzikë flauti. Ema dhe Sasha ecin në majë të gishtave. Është errësirë dhe qetësi. Ajo ka veshur një kapele marinari.

    EMA

    Hyr brenda! Mund të bisedojmë për pak.

    SASHA

    A nuk do të zgjojmë Anën?!

    EMA

    Asgjë nuk e zgjon Anën nga gjumi. (Për ta vërtetuar, ajo kërcet këmbët mbi dysheme, më pas mban vesh. Nuk ka reagim) E sheh? (Ata përqafohen me ngadalë në errësirë.)

    ANA

    (nga dhoma tjetër, e përgjumur): Për hir të Zotit, pak qetësi!

    (Ema dhe Sasha shkëputen, dëgjojnë. Ema ngre supet. Bie heshtja përsëri. Ata përqafohen me ngadalë edhe një herë dhe puthen, muzika e butë në sfond teksa mbyllet skena.)

    Skena e gjashtë

    Apartamenti i Anës. Muzikë gazmore në piano, harbuese, një skenë që i përshtatet katër të rinjve tërheqës, plot jetë, të përkushtuar. Ema dhe Sasha rrinë ulur, po pinë çaj nëpër gota. Sasha po e shijon, i fryn për t’u ftohur, e gjerb. Hyjnë Ana dhe Fedia.

    SASHA

    Shikoni, ka veshur prapë atë këmishën!

    EMA

    (i drejtohet butë Sashës): Kush do t’i thotë Anës, unë apo ti?

    SASHA

    Ia them unë.

    ANA

    Çfarë të më thoni?

    EMA

    Kjo vajzë i dëgjon të gjitha.

    ANA

    Po, të gjitha. (Qesh, përkulet dhe puth Emën.)

    EMA

    E dashur Ana, Tobi Golden do ta lërë apartamentin e saj në Rrugën Forsith. Qiraja është pesë dollarë në muaj. Sasha dhe unë do ta marrim.

    ANA

    (duke i ngacmuar): Domethënë më mirë të jetosh me Sashën sesa me mua. Je mike e vërtetë!

    EMA

    Ana, ti e di që kjo hapësirë është sa për ty. Me mua këtu të mungon tërësisht privatësia.

    ANA

    E ke fjalën qëkur filloi të na vizitojë Sasha. (Kërcen vërdallë në mënyrë provokative, duke rënkuar e psherëtirë.) Ka pasur oj dhe ah, dhe ooh dhe mmmm. Po (përqafon Emën), të duhet një vend tjetër. E njoh vendin e Tobi Goldenit. Është dy herë sa ky apartament, apo jo?

    SASHA

    Po, dy herë sa këtu.

    ANA

    Bukur, pra paska vend edhe për mua.

    SASHA

    Shiko pak, Ana…

    ANA

    A besoni te kolektiviteti apo jo?

    SASHA

    Sigurisht, por…

    ANA

    (mban fjalim, imiton Sashën): Individualizmi borgjez na korrupton të gjithëve! Të gjithë duhet të përftojmë një kulturë të re menjëherë, shokë! Ndani me këdo! Shkatërroni burgun e monogamisë!

    EMA

    Sigurisht, ajo ka të drejtë, Sasha.

    SASHA

    (i vrenjtur): Sigurisht që ka të drejtë.

    FEDIA

    (është sorollatur nëpër dhomë, duke rregulluar pikturat në mur, tani ndalon):  Unë e njoh apartamentin e Tobu Goldenit. Ka tre dhoma të mëdha.

    ANA

    Po, e sheh?

    FEDIA

    Po, është mjaftueshëm i madh edhe për mua.

    ANA

    Edhe për ty?

    FEDIA

    (hidhet mbi krevat duke imituar Anën): Duhet të ndjekim kulturën e re që tani, shokë. Duaje fqinjin, thotë Bibla. Punëtorë të të gjithë botës, bashkohuni, thotë Marksi. Jetoni në shoqërizim të lirë, thotë Kropotkini. Hapni vend për Fedian, thotë Fedia!

    ANA

    Fedia, unë e ti nuk jemi si Ema me Sashën. Jemi thjesht shokë.

    FEDIA

    Po, dhe do jetojmë së bashku si shokë. Çfarë kemi thënë gjithmonë? (Dhe fillon sërish oratorinë.) Mes burrave e grave duhet të ekzistojë një mori e pafund marrëdhëniesh – pasion, shoqërizim…

    ANA

    Armiqësi! Vrasje! (Ajo e sulmon me shaka.)

    EMA

    (e ngazëllyer): Të katërt ne bashkë! Është boll e madhe. Ka një dhomë gjumi dhe mund të vendosim një krevat në dhomën e ndenjjes dhe një krevat portativ në kuzhinë.

    SASHA

    (ka qëndruar i zymtë në qoshe. Tani sikur ngjallet): Pse të ngelemi vetëm katër?! Pse të mos vëmë një krevat edhe në banjë?! Kështu mund të na bashkohet edhe shoku im Jusel Mileri. Mund ta vendosim krevatin vertikalisht dhe Juseli mund të flejë në këmbë. (Toni i tij është i hidhur.)

    EMA

    (qortueshëm): Sasha!

    SASHA

    Mos fol më. (Vjen dhe i përqafon të gjithë.) Keni të drejtë. Keni të gjithë të drejtë. Kur e kam gabim, e pranoj. Ne jemi të gjithë shokë. Përse të mos jetojmë bashkë, si kolektiv? Kjo është mënyra e së ardhmes. Dhe të ardhmen duhet ta nisim që tani. (Por nuk duket shumë i lumtur.)

    ANA

    (duke kërcyer): Po! Po!

    FEDIA

    (duke nxjerrë një shishe vere të mbështjellë me gazetë): Le të pimë në shëndetin e kolektivit tonë të vogël.

    SASHA

    (duke tundur kokën): Sa herë që e shoh këtë ka një shishe vere me vete.

    FEDIA

    (duke i hequr zhurmshëm tapën shishes përpara fytyrës së Sashës): Ema, na laj disa gota! Unë po hedh verën.

    (Ema mbledh supet dhe shkon t’i marrë.)

    SASHA

    Të gjithë do t’i ndajmë shpenzimet për qira dhe ushqim.

    EMA

    Secili do japë kontributin sipas mundësive. Ana dhe unë punojmë në fabrikën e korseve. Ti punon në fabrikën e cigareve.

    SASHA

    Dhe Fedia mund të shesë këmishën e tij. Mund të jetojmë me ato para për një muaj.

    ANA

    Mos qesh. Kur Fedia shet një pikturë, fiton më shumë seç fitoj unë në një javë.

    SASHA

    Fedia, kur ishte hera e fundit që shite një pikturë?

    FEDIA

    Çfarë dite është sot?

    SASHA

    E mërkurë.

    FEDIA

    (duke numëruar me gishta): Para ndonjë viti…

    SASHA

    Epo të paktën do të ngopemi.

    FEDIA

    Asnjë nga ne s’do hajë aq mirë sa ti, Sasha. Ti ha e pi sa të tre ne të marrë së bashku.

    EMA

    Secilit sipas nevojës. Sasha ka nevojë të hajë si kalë. Fedia ka nevojë të flejë deri vonë në mëngjes. Unë kam nevojë të lexoj pa më shqetësuar njeri. Dhe Ana (kthen kokën nga ajo në mënyrë djallëzore)… Ana ka nevojë të shpenzojë rreth një orë në tualet çdo mëngjes.

    ANA

    Një grup i përkryer!  S’do t’i ndërhyjmë kurrë njëri-tjetrit. Fedia do jetë duke fjetur. Sasha duke ngrënë. Ema duke lexuar. Dhe unë do jem në tualet. (Ajo u rrëmben duart për t’i lëvizur nga vendet ku janë ulur.) Dhe çdo orë do ndryshojmë vendet.

    FEDIA

    Le të pimë në shëndetin e nevojave tona!

    (Ema u hedh verë nëpër gota. Sasha e rrëkëllen me shumë gëzim.)

    SASHA

    Mund të organizojmë banorët në godinën e Tobit.

    EMA

    Eh, sa shumë gjëra mund të bëjmë ne të katërt!

    (Fedia u mbush përsëri gotat. Përsëri Sasha e rrëkëllen me një frymë dhe Fedia ia mbush sërish. Ana nis të këndojë një melodi në hebraisht —“Mein Greeneh Kuzine.”Ajo i merr dorën Emës dhe fillojnë të kërcejnë. Më pas Ema kap dorën e Fedias dhe të tre kërcejnë.)

    EMA

    Eja Sasha!

    SASHA

    Secili sipas nevojës. Unë po e mbush edhe një herë me verë. (E mbush përsëri teksa të tjerët vijnë rrotull tij. Më pas nis të kërcejë edhe vetë.) T’ju them të drejtën, jam pak i dehur! (Po qesh i lumtur, papritmas bërtet.) Fedia, këmishën!

    (Fedia e zhvesh këmishën në mënyrë demonstrative dhe ia hedh Sashës. Sasha e vë mbi kokë duke kërcyer. Të katërt kërcejnë furishëm teksa shtohet rritmi i muzikës së “Mein Greeneh Kuzine.”)

    Skena e shtatë

    Fedia po pikturon në tavolinën e kuzhinës. Ngre kryet papritmas. Ema sapo ka hyrë, e shqetësuar. Ajo lë në tokë çantën e punës.

    EMA

    Është shumë vapë këtu brenda, Fedia. Si punon këtu?! Është më keq se në fabrikë.

    FEDIA

    Pse u ktheve kaq herët? Ka ndodhur diçka?

    EMA

    Kargmani zbuloi se kush e organizon sindikatën. Pushoi nga puna tre prej nesh sot në mëngjes. Shkaktoi një zallamahi të madhe. Kishte vajza të tjera që donin ta linin punën, por u thamë që të prisnin. Pas punës sot do bëjmë një mbledhje, dhe po pati mjaftueshëm pjesëmarrje nga vajzat… Do shohim… O Zot, sa nxehtë këtu! (Ajo e heq këmishën që mban veshur.)

    FEDIA

    Ema, çfarë po bën?!

    EMA

    (e zbavitur): Fedia, i dashur, më ke parë edhe më parë.

    FEDIA

    Po, edhe me të tjerë përreth. Por kështu…

    EMA

    Do ta vesh prapë këmishën nëse të shkakton parehati.

    FEDIA

    Pse duhet të më shkaktojë mua parehati? Fundja, unë jam artist. Në Shtëpinë e Zaptuar ne pikturonim pamje nudo gjithë kohës. Kishim modele. Tashmë nuk ma mban më xhepi diçka të tillë. Pikturoj nudo nga memoria. (Ai qesh.) Dhe nuk e kam mirë memorien.

    EMA

    Nëse do që unë të pozoj për ty, Fedia, më thuaj.

    FEDIA

    E ke me gjithë mend, Ema?

    EMA

    Përse jo?! Ne jemi shokë. (Ajo përkulet dhe e puth në faqe.)

    (Ai ngrihet dhe ecën lart e poshtë nervoz.)

    EMA

    Ç’pate?

    FEDIA

    Do të doja që ti të pozoje për mua, Ema. Por nuk e di…

    EMA

    Çfarë ke?

    FEDIA

    (ndalon së ecuri, shkon pranë saj): Kam qenë në siklet. (Tund kokën) Sasha është shoku im, e megjithatë… Të kam dashur për kaq gjatë, Ema. Po, e pranoj. Nuk kam ç’bëj… (Ai ia merr dorën.)

    EMA

    (i ledhaton flokët): I dashur Fedia. Mos u shqetëso. Ne të dy e duam Sashën. Por Sasha dhe unë nuk jemi pronarë të njëri-tjetrit. Përse të mos kesh ndjenja për mua?! Përse të mos kem edhe unë ndjenja për ty?!

    FEDIA

    (duke i kapur të dyja duart e saj): Ema… a mendon se…?

    EMA

    Përse jetojmë? Përse përpiqemi dhe organizohemi? Për çfarë e bëjmë të gjithë këtë? Ndonjëherë, në mesin e gjithë rrëmujës, harroj dhe më duhet t’ia rikujtoj vetes, e atëherë kujtoj herën e parë kur e kuptova se jeta mund të jetë kaq… e mahnitshme. Ishte në kohën kur isha në Rusi. Duhet të kem qenë tetë ose nëntë vjeç. Një djalë fshatar punonte te ferma jonë dhe një ditë më mori me vete në livadh. Dielli përvëlonte. U ulëm mbi barin e gjatë dhe ai filloi t’i binte fyellit. Pastaj më ngriti në duar,  më hodhi në ajër e pastaj më priti. Gjithçka kundërmonte me erën e barit. Shpirti atë moment m’u shkri. Ai më priti në duart e tij prapë e prapë.

    (Fedia i puth flokët.)

    EMA

    Vite më pas, isha me tezen time në Konigsberg. Ajo më çoi në opera. Il Trovatore. Zëra kaq të artë! Muzikë qiellore! Kurrë më parë në jetën time nuk kisha qenë në teatër – rrija e ulur në ballkon si në jerm. Kur mbaroi, dëgjova oshtimën e duartrokitjeve. Të gjithë po largoheshin dhe tezja ime po më thërriste, por unë isha ngulur aty në karrigen time, me lotët që më rridhnin mbi faqe… Kur morëm anijen për në Amerikë, nga jeta ime e shkuar harrova thuajse gjithçka, por në anije mendoja për djalin fshatar në fermë dhe për Teatrin e Operas në Konigsberg. Isha e re. Dija shumë pak, por në atë moment e dija se si e doja jetën që të ishte…

    (Ajo hedh duart rreth Fedias, edhe ai e përqafon për një kohë të gjatë. Ai ngrin, tund kokën dyshues.)

    EMA

    Çfarë ke?

    FEDIA

    Unë jam shoku i Sashës.

    EMA

    Aq më mirë.

    FEDIA

    Më duket se po e tradhtoj.

    EMA

    Nuk i ke marrë asgjë atij. Unë dhe ai jemi njësoj siç ishim.

    FEDIA

    A do ta mendojë edhe ai njësoj?

    EMA

    Ti e njeh Sashën. Në fillim do të nxehet.

    FEDIA

    Eh, do të nxehet që ç’ke me të!

    EMA

    Mund të thyejë edhe ndonjë karrige.

    FEDIA

    Ndoshta dy a tre.

    EMA

    Pastaj do thotë…

    FEDIA

    (duke folur si Sasha): E kisha gabim – kur e kam gabim unë e pranoj. Duhet të jetojmë si njerëz të lirë – duhet të jetojmë si në shoqërinë e së ardhmes.

    EMA

    Pikërisht, kështu ka për të thënë.

    FEDIA

    Unë e dua Sashën…

    (Muzika ulet teksa mbyllet skena.)

    Skena e tetë

    Fabrika e Kargmanit. Rreshti i piketave ku ndodhet edhe Ema me Anën, me pankarta, duke ecur e duke bërë thirrje. Një prej protestueseve e ka kokën të fashuar. Një polic qëndron aty pranë, duke mbajtur një shkop në dorë.

    GREVISTËT

    Grevë! Grevë! Mos hyni! Mos punoni për Kargmanin, mos hyni! Grevë! Grevë! Mos punoni për Kargmanin, mos hyni!

    (Një protestuese i afrohet piketave, i ekzaltuar…)

    PROTESTUESI

    Grevëthyese! Po sjellin grevëthyese!

    (Një grup i vogël vajzash, grash, të shoqëruara nga një burrë i veshur mirë, afrohen. Protestuesi që sapo foli merr në dorë një gur. Ema ia vendos një dorë mbi sup.)

    EMA

    Jo Jankele. Prit!

    (Protestuesit mblidhen para hyrjes së fabrikës. Grevëthyeset ndalen.)

    EMA

    Shikojini! Sapo kanë zbritur nga anija. Shikojini fytyrat e tyre. Janë të urritura, ashtu si ne!

    (Jankelja bën një hap pas. Ai që i drejton grevëthyeset vërshon përpara duke e shtyrë dhe hedhur Emën. Shoqet e saj tërhiqen. Ndërhyn polici, ngre shkopin kërcënueshëm, ato tërhiqen pas te piketat e tyre. Ema ecën para-mbrapa ndërmjet grevëthyeseve, duke u folur.)

    EMA

    Schwester! Bruder! Herr zu! Më dëgjoni! Nuk ju kanë thënë se këtu jemi në grevë, dhe ju po na merrni punët.

    (Burri që i drejton grevëthyeset i afrohet kërcënueshëm dhe e mbërthen nga krahu.)

    BURRI

    Shporru që këtu përpara se të të thyej kokën!

    (Ema ia heq dorën me inat. Grevistët e tjerë i kanë ardhur pranë.)

    EMA

    Afrohuni shoqe! (Edhe ajo vazhdon të afrohet, duke folur me grevëthyeset, më pas ndalon teksa dikush i vendos përpara një arkë. Ajo i hipën sipër, në fillim me mëdyshje, më pas e ngre kokën dhe i drejtohet grevëthyeseve drejtpërdrejt, duke u bërë thirrje.) E di se keni nevojë për punë. Familjet tuaja janë të uritura. Azoi wie unsere. Njësoj si tonat! Shtëpitë tuaja janë të ftohta. Azoi wie unsere. Njësoj si tonat! Kargmani ju ka premtuar paga të mira. Por do ju them diçka, motra e vëllezër. Ne e njohim mirë Kargmanin. Ai është një mashtrues! Er iz ah ligner! Por këtë ju e dini tashmë, pasi ai nuk ju tha se këtu po bëhet grevë! Ai ju përçmon juve, njësoj siç përçmon edhe ne. Er iz dein Sonne! Ai është armiku juaj! Është edhe i joni. Ai do ju paguaj me rroga të majmë, po, derisa të mbyllet greva. Po ç’do të ndodhë më pas? Më pas do jua shkurtojë pagat, njësoj siç bëri me tonat. Dhe ju do të hyni në grevë, njësoj siç po bëjmë ne. Dhe do të vijë policia që t’ju thyej kaptinat me shkopinj, njësoj siç po na i thyejnë edhe neve. E atëherë Kargmani do të gjejë të tjerë që t’ju zëvendësojnë juve.

    (Polici i afrohet, ngre shkopin. Ema ngre shkopin e saj të piketës, ai bën disa hapa pas.)

    EMA

    Motra, vëllezër! (Ajo po merr zemër. Ky është fjalimi i saj i parë.)

    (Burri i veshur mirë u bën thirrje grevëthyeseve: “Hajdeni, hyjmë brenda!” Ai bën të ecë përpara. Grevëthyeset duken të pavendosura.)

    EMA

    (duke folur me vendosmëri tashmë)Schwester! Bruder!

    (Forca dhe ngulmimi në zërin e saj i bën të kthehen nga ajo)

    EMA

    Nëse tentoni të hyni brenda do ketë përleshje. Ne nuk duhet të luftojmë njëra-tjetrën. Së bashku mund t’i bëjmë jetët tona më të mira. Dëgjoni! Ne nuk jemi vetëm! Në mbarë vendin, punëtore si ne po bashkohen. Në këtë moment, në Pensilvani, tre mijë punëtorë po i thërrasin njëzëri “Mjaft më!” njeriut më të pasur të Amerikës, Endrju Karnixhit. Mjaft më punës 12-orëshe në ditë në furrnaltat e çelikut! Mjaft më nxehtësisë si ajo e ferrit! Mjaft më punës për katërmbëdhjetë qindarka në orë! Mjaft më! Tre mijë punëtorë të bashkuar, që refuzojnë të thyejnë grevat e njëri-tjetrit… Le të qëndrojmë të bashkuar edhe ne! Bashkohuni, motra e vëllezër! (Thuajse me pëshpërimë) Mos punoni për Kargmanin!

    (Ato duken të ngrira në vend nga fjalët e saj. Burri i veshur mirë po u thërret: “Hyni brenda! Hyni brenda!” Por ato nuk luajnë vendit. Pastaj njëra prej tyre, një grua me shallin e lidhur në kokë, i afrohet Emës. Ajo po qan. I shtrin duart. Ema ia merr. Protestuesit vazhdojnë të këndojnë.)

    Skena e nëntë

    Muzikë, nga Karmeni e Bizetit. Sasha rri ulur në karriken e kuzhinës, duke shkruar vrullshëm. Ema hyn nga jashtë, e skuqur në fytyrë, në duar mban manushaqe, po këndon nën zë një muzikë nga opera. I hedh dorën gëzueshëm Sashës, e puth në faqe.

    EMA

    Eh, çfarë rreshti piketash sot te fabrika e Kargmanit!

    SASHA

    (pa i ngritur sytë, duke vazhduar të shkruajë): Më tregoi Ana. Mbajte fjalimin tënd të parë. Ajo më tha që ishte i mirë… (Ngre sytë.) Ke qenë jashtë gjithë mbasditen.

    EMA

    Po. (Vazhdon të këndojë.)

    (Sasha nuk përgjigjet, vazhdon të punojë.)

    EMA

    Sasha, i dashur, pse je ende zgjuar në këtë orë të vonë?

    SASHA

    (pa i ngritur sytë): Po punoj për një fletushkë për grevën në Pitsburg. I ke marrë vesh lajmet e fundit?

    EMA

    Jo.

    SASHA

    Karnexhi ka vendosur përgjegjës Frikun. Ti e njeh. Henri Klei Frik. Një dashnor i artit. Një gangster. Dhe Friku ka thirrur Pinkertonët. Ti i njeh. Agjencia më e madhe në Amerikë për thyerjen e grevave. Dy mijë burra, me armët më të fundit.

    EMA

    Ushtri private…

    SASHA

    Dhe Friku do t’i përdorë për të thyer grevën. Grevistët do kenë nevojë për para, armë, ndihmë nga anembanë vendit, ose përndryshe morën fund. Duhet ta mbaroj sonte këtë fletushkë. (Ai ngre sytë dhe vështron Emën.) Ku ke qenë gjithë mbasditen?

    EMA

    Johani më ftoi të shkoja me të në Teatrin Metropolitan të Operas. Pamë Karmenin.

    SASHA

    Johani? (Po i ngrihen nervat.) Cili Johan?

    EMA

    Johan Mosti.

    SASHA

    Pra tani na qenka Johani! Opera! Kështu i përdor paratë e lëvizjes Johani. (Mendohet.) Opera duhet të ketë përfunduar para shumë orësh.

    EMA

    Më pas shkuam në një restorant.

    SASHA

    Në restorant! Do kesh pirë edhe verë gjithë mbrëmjen.

    EMA

    (e nxehur): Po, pimë edhe verë!

    SASHA

    S’do mend! Mosti e dashuron verën e shtrenjtë. Ky na qenka udhëheqësi ynë i madh revolucionar.

    EMA

    Mosti është një njeri i mrekullueshëm. Ti më ke thënë vetë kështu. Ai hoqi dorë nga karrigia e tij në Rajhstag. U bë anarkist. Kaloi vite të tëra i burgosur. Vuri jetën e tij në rrezik!

    SASHA

    (prerë): Lëvizja nuk u jep privilegje shtesë veteranëve të luftës. Edhe figurat më heroike mund të korruptohen. E dëshmon historia këtë.

    EMA

    Edhe unë qenkam e korruptuar, meqenëse shkova në opera dhe piva verë?

    SASHA

    Po! Edhe ti! Ti je më keq se Mosti, ti që do të dukesh, që i afrohesh çdo udhëheqësi të lëvizjes…

    EMA

    Mbylle gojën!

    SASHA

    Po flas të vërtetën dhe ti e di. Ç’po mban aty në dorë?

    EMA

    (në mënyrë sfiduese): Janë manushaqe. Po, e di që lulet janë shpenzim i kotë kur njerëzit po vdesin urie. Epo, ato janë të bukura dhe mua më pëlqejnë. (Ajo i vendos ato në vazo.)

    SASHA

    Më vjen për të vjellë që i shoh teksa grevistëve në Pitsburg u nevojitet bukë për t’u ushqyer.

    EMA

    (e inatosur dhe e lënduar): E çfarë po bën ti për familjet në Pitsburg? Po shkruan një fletushkë!

    SASHA

    Po, na duhet të shkruajmë fletushka.

    EMA

    Epo duhet bërë më shumë se kaq!

    SASHA

    (duke bërtitur): Dhe unë jam i gatshëm të bëj më shumë se kaq.

    EMA

    Edhe unë! Edhe Mosti!

    SASHA

    Do ta shohim.

    EMA

    Ç’do të thuash?

    SASHA

    Do ta shohim.

    EMA

    (me të butë): Nuk e kupton, Sasha? Ne nuk mund të jetojmë si ata më të shtypurit. Na duhet pak bukuri në jetët tona, edhe në mesin e përpjekjes.

    SASHA

    Ti kujton se Mosti do t’ia dijë për bukurinë? Çfarë mendon se kishte në mendje Mosti kur të dha manushaqet?

    EMA

    Ti je xheloz, Sasha. Mendoja se e kishe tejkaluar diçka të tillë. Mendoja se besoje vërtet te liria ime.

    SASHA

    Liri, po! Dekadencë, jo! Me Fedian është ndryshe. Fedia është i afërt me të dy ne. Por Mosti, nuk është i mirë për ty, Ema.

    EMA

    (e xhindosur): Kush e vendos këtë gjë, ti apo unë?

    SASHA

    (disi i tërhequr): Sigurisht, e vendos ti. (Papritmas i inatosur që ajo pati të drejtë, ai godet grushtin mbi tavolinë.)

    ANA

    (hyn në skenë nga dhoma e saj me këmishën e natës): A do ndaleni ju të dy? Keni gjysmë ore që s’më lini të fle. Më duhet të jem në rreshtin e piketave nesër që në mëngjes herët. Edhe ti duhet të jesh, Ema.

    (Një zë tjetër nga apartamenti ngjitur: “Pushoni ju atje!” Disa goditje të murit, ankesa për mungesën e gjumit. Dikush thërret “Pushoni ore!”)

    EMA

    Po, për hir të Zotit, le të shkojmë të flemë.

    ANA

    (duke iu kthyer asaj): Ti s’do t’ia dish. Asnjë prej jush s’do t’ia dijë më – ti me Sashën dhe Fedian – ju do shpërnguleni në Uorçester, në Masaçusets, dhe s’doni t’ia dini për askënd.

    EMA

    (duke e korrigjuar): Në Uster.

    ANA

    (duke e refuzuar korrigjimin): Në Uorçester. Dhe pa mua.

    EMA

    Ti the se nuk doje të kishe të bëjë me idenë tonë.

    ANA

    Mos e pyet se ç’ide brilante! Një kioskë që shet akullore nga revolucionarët. Ç’lloj revolucioni dëshironi sot, zotëri? Me vanilje? Çokollatë? Jo, me luleshtrydhe! Jo një revolucion të kuq të vërtetë! Jo në një kioskë mikroborgjeze akulloresh?

    EMA

    Vetëm për pak kohë, Ana. Na nevojiten paratë që të nisim revistën tonë të re.

    ANA

    Ju të tre po më braktisni mua duke më lënë vetëm këtu. (Ka ngashërim në zë.)

    SASHA

    Ti vendose të rrije, Ana.

    ANA

    Unë nuk dua të shkoj në Uorçester. (Ajo ia plas të qarës. Ema e ngushëllon.)

    EMA

    (e lodhur): Përse po zihemi? Shkojmë të flemë!

    (Zërat nga apartamenti ngjitur, duke bërtitur: “Shkoni të flini ju të pacipë!”)

    SASHA

    (u përgjigjet): Shkoni thyeni qafën!

    ANA

    Ti doje t’i organizoje, tani po i shan.

    SASHA

    Eha, mbylle gojën e shko të flesh!

    ANA

    (drejtuar Emës): Si e duron këtë burrë?

    (Ajo niset për të ikur. Mbërrin Fedia)

    FEDIA

    Ç’është e gjithë kjo zhurmë?!

    EMA

    Shko të flesh!

    FEDIA

    Do shkoj të fle kur të dua! (I rikthehet sjelljes së tij të zbutur.) A e dëgjuat për Pitsburgun?

    (Ana rikthehet për të dëgjuar.)

    EMA

    Më tregoi Sasha. Kanë thirrur Pinkertonët.

    FEDIA

    Epo, ia nisën. Sot ka pasur një betejë.

    SASHA

    Sot?!

    FEDIA

    Friku solli njëqind Pinkertonë nëpërmjet lumit mbi një lundër. Një ushtri të tërë. Me automatikë, pushkë. Hapën zjarr mbi burra, gra, fëmijë. Ngelën shtatë të vrarë.

    (Ema vendos duart në kokë si për të mos dëgjuar lajmet.)

    SASHA

    (vështron Emën me ankth dhe tërbim): Teksa ti ishe në opera! (Ai bën thërrime vazon me manushaqe me një të lëvizur të dorës.)

    EMA

    (duke bërtitur, duke qarë): Teksa ti po shkruaje një dreq fletushke! Mos m’u drejto mua në atë mënyrë, maskara!

    FEDIA

    Mjaft më, ju të dy! Çfarë do të bëjmë?

    SASHA

    (duke folur me vete, duke ecur lart e poshtë, me grushte të mbyllur): Ç’më ka gjetur vallë? Duhet të kem lajthitur! Të shkoj me ju në Masaçusets për të hapur një kioskë akulloresh që të mund të publikojmë disa broçkulla intelektualiste! Duhet të më ketë ikur mendja. Duhet të isha në Pitsburg në këtë moment me grevistët.

    EMA

    E çfarë do bësh në Pitsburg?

    SASHA

    Ti e the vetë se nevojiten më shumë se fletushka…

    EMA

    Po, e thashë, por…

    SASHA

    Por! Por! Diçka duhet bërë në Pitsburg. (Ai po flet i qetë, mendueshëm. Të tjerët e shohin teksa ecën nëpër dhomë, duke ndërtuar mendimin e tij njëkohësisht me vendosmërinë.) Ne duhet t’i tregojmë botës se Karnexhët, Rokfelerët, Frikët nuk janë të pamposhtur. Ne i shohim fotografitë e tyre nëpër gazeta. Arrogancën në fytyrën e tyre. Përçmimin në sytë e tyre për këdo që nuk ia ka dalë në lojën e tyre të bëhet i pasur. Po, fotografitë. Friku tek shkon në kishë. Friku në Shtëpinë e Bardhë me presidentin, ndërsa punëtorët e tij shemben përtokë nga stërmundimi në fabrikat e tij. Friku teksa pi uiski në klubin e tij teksa detektivët e tij shtinë mbi gra dhe fëmijë. Friku. Po, diçka duhet bërë në Pitsburg.

    FEDIA

    Për çfarë e ke fjalën?

    SASHA

    Friku duhet të vdesë.

    EMA

    Ulë zërin! A mos u çmende?!

    SASHA

    Çfarë mendimi ka shoku yt, Mosti? “Vjen një moment në histori kur plumbi flet më fort sesa një mijë manifeste.”

    EMA

    Po. Po. (Ajo po mendon e dëshpëruar, e pasigurt se çfarë të bëjë dhe flet thuajse me veten e saj.) Ne i kemi thënë njëri-tjetrit se kur të vijë momenti i duhur…

    FEDIA

    (i emocionuar): Se do jemi gati! Po, e kemi thënë këtë. Të gjithë ne. (Dallohet ankthi në zërin e tij tani që gjithçka bëhet me e qenësishme.)

    SASHA

    Unë do nisem për Pitsburg…

    EMA

    Do nisemi të gjithë. Ky është momenti i duhur. Për shekuj me radhë e kanë masakruar klasën punëtore. Kurrë nuk janë ndëshkuar. E tani përsëri. Por këtë herë, gjërat do shkojnë ndryshe. Do t’u tregojmë të gjithëve – edhe ata mund të vdesin!

    ANA

    (duke u dridhur): Mund ta bëjmë të katërt.

    FEDIA

    Duhet ta planifikojmë me shumë kujdes. (Edhe ai është nervoz.)

    EMA

    Por ka për të marrë dhenë. Ky është momenti i duhur. Ne mund ta bëjmë.

    SASHA

    (me qetësi): Ai që do të vrasë Frikun do heqë dorë nga jeta e vet.

    EMA

    (duke bërtitur): Ne thamë se jemi gati. A të kujtohet sesi të katërt thamë se jemi gati? Se si do rrimë të bashkuar kur të vijë momenti?

    SASHA

    Do ta bëj unë, vetëm. (Një moment heshtjeje, habie.)

    EMA

    Ti s’je në vete, Sasha!

    SASHA

    Jo, ne nuk do t’u japim atyre katër jetë në këmbim për një. Jo!

    EMA

    Nuk ke për ta kryer i vetëm!

    FEDIA

    Çfarë po flet kështu?! Duhen para për të shkuar në Pitsburg. Pastaj, si do kryhet? Me bombë? Me pistoletë? Duhen para.

    SASHA

    Ke të drejtë. Dhe ne nuk kemi para për tren as për një person.

    EMA

    Nëse mund të mbledhim para për një biletë, mund të mbledhim edhe për katër. Do t’i gjej unë paratë.

    SASHA

    (duke tundur kokën me ngadalë, i vendosur): Nuk është çështja te paratë.

    EMA

    (thuajse duke ulëritur, por përpiqet që ta ulë zërin): Epo, ku është çështja atëherë? Ti do t’i bësh të gjitha vetëm? Do të thuash, e marrtë dreqi përkushtimin tonë, dashurinë tonë? Kjo është?

    SASHA

    Ti nuk po e kupton. Nëse Friku vritet, dikush duhet të shpjegojë. Dikush duhet ta dijë se pse u krye vrasja, dhe të shpjegojë. Përndryshe, kanë për të thënë, siç bëjnë gjithmonë, se ishte një i çmendur.

    FEDIA

    Këtë do ta thonë gjithsesi.

    SASHA

    Jo, Ema mund ta shpjegojë aktin. Ajo është e aftë për këtë. E ka këtë dhunti. Mund ta bëjë. Të gjithë ju duhet të rrini mbrapa dhe ta bëni të qartë në mbarë vendin, në mbarë botën.

    FEDIA

    (pothuajse me lot në sy): Por unë nuk duhem për këtë punë. Unë nuk jam i zoti me të folurën. Unë mund të të ndihmoj, Sasha. Së bashku…

    SASHA

    (duke bërtitur): Jo! (Kjo fjalë del si një shpërthim.) Fedia, nuk kemi pse të sakrifikojmë edhe ty.

    EMA

    Uleni zërin!(Ajo është e dëshpëruar.)

    SASHA

    Ju e dini se kam të drejtë. Ju e dini se kjo është e nevojshme. Vjen një moment kur dikush duhet të veprojë, duhet të drejtojë gishtin, duhet të thotë: “Mjaft më!” Ju e dini këtë…

    EMA

    (thuajse duke pëshpëritur): Po, Sasha…

    SASHA

    (shumë i qetë): Në rregull pra… paratë. Një biletë treni. Një mjet për të vrarë…

    EMA

    (qetësohet, i fsheh turbullirat e brendshme): Do të të duhet një kostum i ri…

    ANA

    (thuajse me lotë në sy): Po…

    SASHA

    (tërësisht i qetë): Le të ulemi e ta pleqërojmë.

    (Me një gjest të papritur ai përqafon Fedian, Anën, Emën. Edhe ata e shtrëngojnë në krahë. Pastaj, thuajse me lëvizje të ngadalësuara, ata ulen në tavolinë teksa bien dritat dhe mbyllet skena.)

    Skena e dhjetë

    Në errësirë, një tingull ritmik daulleje. Më pas një dritë e frikshme bie mbi skenë, në gjysmë errësirë. Friku dhe një burrë tjetër rrinë ulur, duke folur, nga njëra anë e skenës, teksa Sasha mund të vihet re në anën tjetër, nën hije, duke veshur kostumin e tij të ri.

    BURRI

    A është kjo mënyra amerikane, të protestoni nëpër rrugë kur punët nuk shkojnë mirë?

    FRIKU

    Ne nuk protestojmë kur punët nuk shkojnë mirë. Ne përdorim kanalet përkatëse.

    BURRI

    Ne shkojmë te zëdhënësi i qeverisë.

    FRIKU

    Ne shkojmë te Prokurori i Përgjithshëm.

    BURRI

    Ne shkojmë te Ministri i Financave.

    FRIKU

    Dhe ata na përgjigjen gjithmonë me bujari.

    BURRI

    Kjo është demokraci…

    (Sasha ngrihet në këmbë, i veshur tashmë, drejtohet për nga zyra e Frikut.)

    SEKRETARJA

    A keni lënë takim? Z. Frik nuk mund t’ju presë në këtë moment. Duhet të flisni me zonjën Onill.

    ZONJA ONILL

    Më falni por Z. Frik nuk mund t’ju takojë. (Zëri i saj ngrihet.) Ku po shkoni?

    SASHA

    (duke ecur në drejtim të Frikut, e thërret): Frik!

    (Friku ngrihet nga karrigia. Sasha shtie drejt tij, nuk godet në shënjestër. Rrëmujë. Sashës i turren dy burra që kanë hyrë me vrik brenda në zyrë. Ai shkëputet prej tyre, e mbërthen Frikun me një thikë në dorë, e godet, e rrëzojnë përtokë, i hidhen sipër. Dallohet një dorë që shtrëngon një çekiç teksa ngrihet dhe bie. Sasha që rënkon. Më pas heshtje, errësirë.)

    SASHA

    (zëri i tij është i mbytur, në delir nga dhimbjet, thuajse si pëshpërimë): Syzet! Ku i kam syzet?!

    (Vijon)

    E përktheu Redi Muçi

    Lajmi Paraprak

    Ish-këshilltari i Kremlinit flet për fiksimin e Putinit me Ukrainën

    Lajmi i rradhës

    Ministri i Ukrainës Kuleba: Nëse ne do të ishim një anëtar i NATO-s, kjo luftë nuk do të ndodhte

    Lajme tjera

    I PAMPOSHTUR

    Poezi nga: William Ernest HenleyPërktheu: Alfred Kola Nga nata që më ka mbuluarPol më pol si gropë nxirosurÇ’është…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë