“Errësirë në mesditë” e Artur Kestlërit

    Nga: George Orwell (The New Statesman, 4 janar 1941)
    Përktheu: Granit Zela

    Zoti Artur Kestlër (Arthur Koestler) duhet të dijë diçka për burgun, sepse ai ka kaluar me dinjitet katër vitet e fundit atje. Në fillim, një kohë të gjatë në një nga kështjellat e Frankos, me zhurmën e hapave të skuadrave të pushkatimit që kumbojnë nëpër mure njëzet a tridhjetë herë në ditë, pastaj pak a shumë një vit internim në Francë; pastaj arratiset në Angli dhe vuan një internim të ri në Pentonville – nga i cili sapo është liruar pa kushte. Është e panevojshme të thuhet se në asnjë rast ai nuk është akuzuar për ndonjë krim të veçantë. Në ditët e sotme, në shumë vende të ndryshme të glo­bit, njeriu burgoset jo për atë që bën, por për atë që është ose, më saktë, për atë që dyshohet se është. Megjithatë, zoti Kestllër mund ta përgëzojë veten që deri më tani ka rënë vetëm në duart e amatorëve. Nëse do ta burgoste Anglia, gjithsesi do të lihej i lirë përsëri dhe nuk do të detyrohej të pranonte me zor helmimin e deleve, kryerjen e sabotimit në hekurudha ose kom­plotin për ta vrarë Mbretin.

    Romani i tij tanishëm, fryt i përvojave të tij, është një rrëfenjë e burgimit, rrëfimit para vdekjes dhe vdekjes së njërit prej bolshevikëve të vjetër, një tablo e përbërë që ka ngjashmëri si me Buharinin ashtu edhe me Trockin. Ngjarjet ndjekin rrje­dhën normale. Rubashovi, një nga të mbijetuarit e fundit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, arrestohet, akuzohet për krime të pabesueshme, mohon gjithçka, torturohet dhe qëllohet me plumb pas qafe.

    Historia përfundon me një vajzë të re në shtëpinë e së cilës Rubashovi dikur ka ndenjur me qira dhe është gjendur me dilemën nëse duhej ta denonconte babanë e saj te Policia Sekrete si një mënyrë për të siguruar një banesë për vete dhe burrin e saj të ardhshëm. Pothuajse i gjithë rrëfimi përqendro­het në luftën intelektuale midis tre burrave, vetë Rubashovit dhe dy oficerëve të policisë sekrete, Invanovit dhe Gletkinit, të cilët po merren me rastin e tij. Ivanovi i përket të njëjtit brez me Rubashovin dhe papritmas arrestohet dhe pushkatohet pa gjyq në mes të procesit. Gletkini, megjithatë, i përket brezit të ri që është rritur që nga Revolucioni, në izolim të plotë si nga bota e jashtme ashtu edhe nga e kaluara. Ai është “njeri i mirë i Partisë”, një shembull pothuajse i përsosur i gramafonit njerë­zor. Ivanovi në fakt nuk beson se Rubashovi ka kryer veprat absurde për të cilat ai akuzohet.

    Për ta nxitur të rrëfejë ai përdor argumentin se ky është shër­bimi i fundit që i kërkohet nga Partia. Njerëzit e thjeshtë, thotë ai, nuk mund ta kuptojnë se “devijimi” është një krim në vetvete, prandaj krimet e llojit që ata mund të kuptojnë – vrasje, prishja e trenit, dhe kështu me radhë – duhet të shpiken. Gletkini përdor të njëjtin argument, por qëndrimi i tij është disi i ndryshëm. Nuk është kurrë e sigurt nëse ai beson se Ruba­shovi është fajtor apo jo ose, më saktë, në mendjen e tij nuk ekziston dallimi midis fajit dhe pafajësisë. E vetmja formë e kritikës që ai mund të imagjinojë është vrasja. Siç e sheh ai, kushdo që është në gjendje të mendojë një mendim mosre­spektues për Stalinin, do të tentonte, natyrisht, ta vriste atë. Prandaj, edhe pse tentativa për atentat ndoshta nuk është bërë, por mund të merret sikur është bërë; ekziston, ashtu si një artikull në dyqan që nuk merret. Forca e Gletkinit qëndron te shkëputja e plotë nga e kaluara, e cila e bën atë jo vetëm të pamëshirshëm, por pa imagjinatë apo njohuri të papërshta­tshme. Nga ana tjetër, ishte dobësia e Bolshevikëve të Vjetër që të kishin në zemër evropianët e mbetur, më shumë e ngjashme me shoqërinë që ata kanë përmbysur sesa me racën e re të përbindëshave që krijuan.

    Kur Rubashov dorëzohet dhe rrëfen, nuk e bën për shkak të torturave – ai ka vuajtur më shumë në duart e nazistëve dhe nuk ka folur – më shumë prej zbrazëtisë së plotë të brendshme.

    “E pyeta veten”, thotë ai në gjyqin e tij, pothuajse me fjalët e Buharinit, “Për çfarë po luftoj?” Për çfarë, në të vërtetë? Çdo e drejtë për të protestuar kundër torturës, burgjeve sekrete, gënje­shtrës së organizuar e kështu me radhë, ai i ka humbur prej kohësh. Ai e kupton se ajo që po ndodh tani është pasojë e veprimeve të tij – madje ndien një lloj admirimi për Gletkinin, si një lloj qenie nënnjerëzore, ndoshta e nevojshme për ta udhëhequr Revolucionin në fazën e tij të tanishme. Gjyqet e Moskës ishin një spektakël i tmerrshëm, por nëse kujtohesh se cila ka qenë historia e Bolshevikëve të Vjetër, ishte e vështirë të të vinte keq për ta si individë. Ata morën shpatën dhe nga shpata u vranë siç, me sa duket, do të ndodhë edhe me Stalinin, nëse nuk do të vdesë para kohe si Lenini.

    Sado i shkëlqyer të jetë ky libër si roman dhe një pjesë e letërsisë brilante, ai është ndoshta më i vlefshëm si një inter­pretim i “rrëfimeve” për Moskën nga dikush me njohuri nga brenda të metodave totalitare. Ajo që ishte e frikshme në këto gjyqe nuk ishte fakti që ato ndodhën – pasi padyshim që gjëra të tilla janë të nevojshme në një shoqëri totalitare – por gati­shmëria e intelektualëve perëndimorë për t’i justifikuar ato. Korrespondentët e gazetave liberale u deklaruan “plotësisht të kënaqur” nga rrëfimet e njerëzve që panë dritën e diellit më pas, në disa raste, pas vitesh të tëra izolimi; një avokat i shquar madje nxori një teori se humbja e së drejtës për ankim ishte një përparësi e madhe për të akuzuarin!

    Rastet e njëkohshme në Spanjë, në të cilat u ngritën saktësisht të njëjtat akuza, por nuk u pranua asgjë, u fshehën ose u gënjye në mënyrë joshëse në shtypin e majtë. Natyrisht, ishte e qartë se të akuzuarit në rastet ruse ishin torturuar ose kërcënuar me tortura, por shpjegimi është ndoshta më i ndërlikuar se kaq. Zoti Këstller mendon, si Suvarini, se “për të mirën e Partisë” ishte ndoshta argumenti përfundimtar; në të vërtetë, libri i tij është më tepër si një pamflet i zgjeruar i tipit Makthi në BRSS.[1] Si pjesë e shkrimit është një përparim i dukshëm krahasuar me veprën e tij të mëparshme. /Revista “Akademia”/Telegrafi/

    ________

    [1] Artikull i gjatë i korrikut 1937 i botuar nga Boris Souvarine në gazetën La Revue de Paris mbi gjyqet kryesore politike që kishin filluar (ose rifilluar duke marrë parasysh atë të vitit 1928) në Moskë vitin e kaluar, dhe mbi rëndësinë e tyre.

    Lajmi Paraprak

    Putini: Rusia e hapur për bisedime për paqe

    Lajmi i rradhës

    Taravari: Shqiptarët po diskriminohen

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë