Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë “Përmes Fjalëve” – Forum 26 është pranuar zyrtarisht si anëtar i rrjetit ndërkombëtar të autorëve, International Authors Forum (IAF), një nga organizatat më të rëndësishme në botë që përfaqëson dhe mbron të drejtat e autorëve, përcjell Nistori.
Vendimi është miratuar nga Bordi Drejtues i IAF-së dhe i është komunikuar Forum 26 përmes Sekretarit të Përgjithshëm, Kevin Fitzgerald, pas shqyrtimit të aplikimit dhe takimit prezantues të zhvilluar më 16 qershor 2026. Në këtë takim morën pjesë Drejtori Ekzekutiv i Forum 26, Granit Zela, dhe përfaqësuesja e Sekretariatit të IAF-së, Serena Barone.
Sipas njoftimit, anëtarësimi përbën një hap të rëndësishëm në procesin e ndërkombëtarizimit të Forum 26 dhe në forcimin e përfaqësimit të autorëve shqiptarë në një platformë globale të përkushtuar ndaj mbrojtjes së të drejtave të autorit, lirisë së shprehjes dhe bashkëpunimit letrar ndërkombëtar.
Emri dhe profili i Forum 26 tashmë janë përfshirë në listën e organizatave anëtare të IAF-së, ndërsa anëtarësimi i plotë pritet të ratifikohet në Asamblenë e Përgjithshme të organizatës. Gjatë komunikimeve me IAF janë identifikuar gjithashtu fusha konkrete bashkëpunimi për periudhën e ardhshme.
Ky zhvillim konsiderohet një arritje e rëndësishme për Forum 26 dhe për letërsinë shqipe në përgjithësi, duke hapur mundësi të reja për bashkëpunim, përfaqësim dhe promovim ndërkombëtar të autorëve shqiptarë. /Nistori/






