FUQIA E SHIJES

    Poezi nga: Zbigniew Herbert
    Përktheu: Agron Shala (bazuar në përkthimin në anglisht nga John dhe Bogdana Carpenter)

    Për profesoreshën Izydora Dambska

    Aspak nuk nevojitej një karakter i fuqishëm
    për refuzimin dhe qëndresën tonë
    kishim vetëm një grimcë të guximit të domosdoshëm
    por në thelb ishte çështje e shijes
    po e shijes
    ku janë fijet e shpirtit dhe kërci i ndërgjegjes

    Kush e di nëse do të tundoheshim edhe më me joshje
    po të dërgoheshin gratë me lëkurë trëndafili të hollë si nafora
    ose krijesat fantastike nga pikturat e Hieronim Boshit
    por çfarë lloj ferri ishte ai në atë kohë
    gropë e lagësht rrugica e vrasësve
    një barakë e quajtur pallat drejtësie
    një Mefistofel i gatuar në shtëpi me xhaketë Lenini
    që dërgonte nipat e mbesat e Aurorës në fushë
    djem me fytyra patatesh
    vajza shumë të shëmtuara me duar të kuqe

    Me të vërtetë retorika e tyre ishte prej thesi të lirë
    (Mark Tul Cicero rrotullohej në varr)
    zinxhirë tautologjish disa koncepte si topuz
    dialektika e kasapëve pa dallime në arsyetim
    një sintaksë e zhveshur nga bukuria e lidhores

    Pra estetika mund të jetë e dobishme në jetë
    nuk duhet shpërfillur studimi i bukurisë

    Para se të shpallim pajtimin tonë duhet të shqyrtojmë me kujdes
    formën e arkitekturës ritmin e daulleve dhe fyejve
    ngjyrat zyrtare ritualin e neveritshëm të funeraleve

    sytë dhe veshët tanë refuzuan bindjen
    princat e shqisave tona zgjodhën me krenari mërgimin

    Aspak nuk nevojitej një karakter i fuqishëm
    kishim vetëm një grimcë të guximit të domosdoshëm
    por në thelb ishte çështje e shijes
    po e shijes
    që na urdhëron të dalim të bëjmë grimasë përqeshëse
    edhe nëse për këtë gjë kapitali i çmuar i trupit – koka
    duhet të bjerë. /Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    RMV-ja mori shumë para nga BE-ja, por realizoi pak reforma

    Lajmi i rradhës

    Rubio fiton terren brenda rrethit të Trumpit për garën presidenciale 2028

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë