Edison Ypi
Të jetë për mua, unë i bie shkurt. Nxjerr një VKM (Vari Këmborën Mushkës) për të zgjedhur Mbret të Panairit të librit Mitat Frashërin, dhe u kry. Por Mitati ka vdekur. E helmoi Sigurimi.
Naim Frashëri, Fan Noli, Zef Serembja, Migjeni, që edhe ata e meritojnë të shpallen Mretër, edhe ata kanë vdekur.
Mbret i Panairit mund të qe fare mirë Lasgushi. Mirpo Lasgushi, që me panaire, kongrese, sympoziume, promuovime, s’u muar kurrë, zor se do pranonte. Për më tepër, Shtërgu i Fundit fluturoi “Dyke ikur nëpër natë, sipër malesh me dëborë”, dhe s’ka qen kufiri që e gjen pranë cilit Liqer a krua ka ndalur e po këndon.
Mbretëreshë e këtij Panairi Libri do e meritonte Lea Ypi. Halli se fenomenalja Lea Ypi s’ja ka ngenë. Po merret me kryeveprën e ardhshme që do çudisi botën, me librin për Gjyshen dhe Moralin. Këtë herë nuk është strukur në dollap të shkruaj libër pa u bezdisur. Po zbaton strategji tjetër. Ka vajtur te ca fafarefisër në fund të Botës, në Australi. Atje shkruan e shkruan për Shqipërinë duke parë nga dritarja kangurët me kalamajtë e tyre në xhep. Më mirë që s’ësht Lea në Panair. Ypi për Ypi, do isha në konflikt interesi dhe s’do mund t’i bëja komplimentat e duhura.
Mrekullia vetë do ishte, dhe plotësisht titullin Mbret i Panairit do ta meritonte Sal Berisha me një libër me kujtime. Mes shum dejeve, ka dhe dell letrar Sala. Titulli dihet: “Nga Viçidoli te shqupi”. Aq fort do pëlqehej libri autobiografik i Salës, sa, me ta marrë vesh, Blinken do linte gjith bisedimet, Biden do braktiste krejt fjalimet, dhe atë dreq Non Grata që tingëllon si emër llotarie tip “fito pa gërvisht”, do ja hiqnin urgjentisht. Mirpo Sala që të 10, librave të bardhë dhe kujtimeve të zeza tanipërtani s’ua ka ngenë. Është deri në fyt me Vulën, Siglën, Foltoren, Bravën, shqupin, SPAK-un, Klubin, Dhëndrrin.
Para ca ditësh Fevziu bëri një reportazh për Shtegun e Ngjyrave në Shishtavec. Aq fantastik ai reportazh, sa ta kishte bërë National Geographic dhe ta kishte dhënë BBC, treqint milionë njerëz anembanë botës do e shihnin. Edhe video reportazh edhe libër Panairi, dy kryevepra kaq afër e afër sikur s’kanë lezet. Para se qefliu i udhëtimeve në vendet e kanibalëve ta rrëmbejë kurorën e Panairit, le të ndreqi muzikat e reportazheve që i ka për ibret. S’janë mangët Përmeti, Labëria, Shkodra, Korça, për kabara, të qara, kanconeta, serenata, që ti dënosh duke u vënë muzikë amerikane apo franceze në sfond. Që ndoshta janë të mira për atje ku janë, por jo për Shkodër e Dibër, Pukë e Mallakastër.
Ilir Ikonomi me gjithatë libër për Nolin e meriton plotësisht titullin e lartë Mbret i Panairit. Do gëzohesha shumë. Se e kam edhe mik dreqin. Me plot të drejtë u fol këto ditë për Ikonomin Murg e Prift njësoj si Noli. Ta marrim shtruar. Ta shpallim Ilir Ikonomin Mbret kur të nxjerri volumin e dytë me titull Maratonomak.
S’ësht kollaj ta gjesh kush meriton të shpallet Mbret në këtë llumnajë që e quajnë Letërsi, dhe këtë lukuni që e quajnë Panair.
Ama një Mbret apo një Diell diku e ka ky panair. S’ka qiell pa Diell. Do bënte ftohtë. Do mërdhifnim. S’do na shkonte mendja për Letërsi e panaire.
Mbreti pra, diku ndodhet, Mbret dikush është. Vështirë t’i vihet gishti.
E çë se s’ja kemi lexuar ende librin. As prapa Hënës as në fund të detit s’kemi qënë. Por i njohim milimetër për milimetër. Ka shenja të tërthorta për të dalluar një Kryevepër.,
Ky Panair e ka një Mbret.
Jo mbret dosido “Hidh në ferrë një rraqe të vjetër, të dalin njëqint mbretër”. Mbret me Kurorë, që shkruan dhe nuk ndjehet. Që nuk sorollatet posht e përpjetë, sa në kafene e mëhallë, sa në Fejsbuk e Instagram.
Një fakt kronike që u përputh me një iskër letrare shkruar kohë më parë, u bë sebep.
Koincidenca paratha atë që ndodhi. Jo dokrra. Çvendosje demografike ndërkontinentale. Ishte Profeci si ato që paralajmërojnë evente të ardhme të rëndësishme, Ditën e Kijametit, Fundin e Qytetërimit, riardhjen e Mesjetës.
Nuk ndodh çdo ditë.
Ndodh një herë në një mijë vjet.
Çartallosja në të tilla proporcione quhen Profeci. Dhe Murgu që i mban si thes mbi kurriz duke ikur në muzg, është Noatradamus, magjistar, Profet.
Mjafton e tepron për Mbret.
Origjina – Mbretëria e Kolonjës.
Besimi – Kaurr.
Profesioni – Murg.
Zeja – Shkrim e këndim.
Shenja të veçanta – Perfeksionist.
Koha – Ab Aeternum.
Emri Ben.
Mbiemri Blush.