Shkrimi me gabime në dokumente i emrave dhe i mbiemrave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut duhet të marrë fund

    Lirim Shabani

    Pa dashur që të tingëllojmë intrigues, për ne shqiptarët paraqet një veprim të qëllimshëm e diskriminues.

    1. Gabimet drejtshkrimore

    “Libri amzë”, “libri amë” apo “libri i amzës”?

    Një lajm në Alsat-M, në lidhje me drejtshkrimin e “librit të amzës” më nxiti që të reagoj në fejsbuk sepse vërejtja që jepej nga gazetari, në fakt ishte e gabuar. Sipas tij, institucionet publike bëjnë shumë gabime drejtshkrimore – gjë që në fakt është e vërtetë, por gabimit të një institucioni, gazetari i mëshonte me një gabim të tij.

    Nëse i referohemi fjalorëve të shqipes për fjalën amzë jepen këto shpjegime:

    Fjalori i vitit 1984:

    “Regjistri themeltar i shkollës, ku shënohen gjithë nxënësit që e ndjekin atë; regjistër zyrtar me emrat e njerëzve të një kategorie etj. Libri i amzës. Hedh në amzë.

    Fjalori i vitit 2006:

    “Regjistri themeltar i shkollës, ku shënohen gjithë nxënësit që e ndjekin atë: numri i amzës.”

    Fjalori i vitit 2020:

    “Regjistri themeltar i shkollës, ku shënohen gjithë nxënësit që e ndjekin atë: numri i amzës.”

    Shembujt më lart tregojnë qartë se “Libri i amzës” të cilin e përdorim ende në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nuk e kemi më në fjalor. Mirëpo nëse e përdorim, të paktën të përdoret ashtu siç e ka fjalori i vitit 1984, pra as “libri amzë” e as “libri amë”, por “libri i amzës”.

    Zhvillimet e reja kanë bërë që “libri i amzës” të hiqet nga fjalorët e fundit të gjuhës shqipe. Tashmë kemi gjendjen civile në Shqipëri e Kosovë, por jo në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për të cilën jemi të mendimit se gjithashtu duhet të ndjekë këtë model, me qëllim unifikimin.

    2. Transliterimi – shkaktar i shumë problemeve me emrat e mbiemrat e qytetarëve

    Një tjetër çështje edhe më serioze sesa “libri amë” lidhet me regjistrimin e qytetarëve – përkatësia etnike e të cilëve është e ndryshme nga ajo maqedonase  dhe që në dokumentet e identifikimit dhe ato të udhëtimit bëhet nëpërmjet maqedonishtes dhe alfabetit të saj cirilik. Këta shtetas kanë gjuhë të ndryshme dhe përdorin alfabetin latin. Si çdo shtet, edhe Republika e Maqedonisë së Veriut ka dokumente ku të dhënat kryesore të qytetarit shënohen në fushat me disa gjuhë, si p. sh: презиме / mbiemri / surname. Kështu, emri i saktë i një shqiptari, pas transliterimit nga maqedonishtja në anglisht pëson ndryshime. Le të ofrojmë disa shembuj. Lirimi shënohet si Љирим, që më pastaj të kalojë në Ljirim, ndryshe nga ai i vërteti. Në këtë mënyrë krijohet përshtypja që kemi të bëjmë me dy identitete të ndryshme. Ngjashëm ndodh dhe me emra që përmbajnë germat dh, xh, y, ë, etj, Si pasojë, Xhevahiri bëhet Djevahir ose edhe Dzevahir, Dhurata bëhet Durata, e Bardhyli bëhet Bardil.

    3. Ç’thonë rregullat e drejtshkrimit të maqedonishtes?

    Për të qartësuar çështjen e transliterimit të germave të alfabetit shqip në atë maqedonisht shfletuam Drejtshkrimin e Gjuhës Maqedonase (Botimi II) (ПРАВОПИС НА МАКЕДОНСКИОТ ЈАЗИК (ВТОРО ИЗДАНИЕ)). Në kapitullin X – Transkriptimi dhe transliterimi i emrave të huaj (Транскрипција и транслитерација на туѓите имиња) – jepen sqarimet e nevojshme nga të cilat kuptojmë se shpesh institucionet përkatëse ia huqin. Pa dashur që të tingëllojmë intrigues, për ne shqiptarët paraqet një veprim të qëllimshëm e diskriminues. Kjo na kushton me probleme në shkrimin e emrit e të mbiemrit në dokumente pas transliterimit të emrave tanë nga germat cirilike në ato latine. Çfarë do të thotë kjo? Që Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) regjistron shtetasit e RMV-së fillimisht me germa cirilike, pa pasur parasysh përkatësinë e tyre etnike, gjuhën e tyre amtare dhe alfabetin që përdorin. Si rrjedhojë emri im shkruhet si “Љирим” (që bazuar në Drejtshkrimin e Gjuhës Maqedonase transliterohet gabim sepse duhet “Лирим”); pastaj shkruhet në gjuhën amtare, “Lirim”, si dhe “në gjuhën ndërkombëtare” (sipas nëpunësve të MPB-së) bëhet Ljirim. Kjo do të thotë se MPB-ja shtetasit e RMV-së i konsideron vetëm maqedonas.

    4. Standardet ndërkombëtare

    Jozyrtarisht mësojmë që, gjatë përgatitjes së dokumenteve të identifikimit dhe të udhëtimit, MPB-ja përdor dy standardet ndërkombëtare – ICAO dhe ISO.

    ICAO është Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (International Civil Aviation Organization), një agjenci e specializuar e OKB-së që drejtohet nga 193 qeveri kombëtare, si shtete nënshkruese të Konventës së Çikagos të vitit 1994, për të mbështetur diplomacinë dhe bashkëpunimin e tyre në transportin ajror. Neve na intereson Dok 9303 i ICAO – Dokumentet e udhëtimit të lexueshme në aparaturë (makineri) (DULA) (Doc 9303, Machine Readable Travel Documents MRTD). Në pjesën e tretë të dokumentit, Specifikimet e zakonshme për të gjithë DULA-të (Specifications Common to all MRTD), pika 3.1: Gjuhët dhe germat (Languages and Characters) përcakton qartë mundësinë e përdorimit të diakritikëve, pra germave që kanë një shenjë afër, ose ngjitur, sipër, në krah ose poshtë siç janë germat ë e ç të shqipes. Pika 3.4 e disa të tjera me radhë përcaktojnë qartë transliterimin e germave jolatine në ato latine për shtetet të cilat nuk përdorim germa latine. Nëse ky dokument përcakton këtë mënyrë të shkrimit të emrave, atëherë përse Republika e Maqedonisë së Veriut transliteron emrat e qytetarëve të saj të cilët përdorin alfabetin latin si rezultat të gjuhës së tyre të ndryshme nga maqedonishtja?

    ISO është Organizata Ndërkombëtare për Standardizim (International Organization for Standardization), një organizatë e pavarur joqeveritare me një anëtarësi prej 167 institucionesh kombëtare të standardeve. Neve na intereson ISO9:1995 – Informacion dhe dokumentacion – Transliterimi i shkronjave cirilike në shkronja latine – gjuhë sllave dhe josllave (Information and documentation — Transliteration of Cyrillic characters into Latin characters — Slavic and non-Slavic languages). Ky standard ndërkombëtar vendos një sistem për transliterimin në shkronja latine të shkronjave cirilike që përbëjnë alfabetet e gjuhëve sllave dhe josllave, në përputhje me parimet e konvertimit të rreptë për të lejuar shkëmbimin ndërkombëtar të informacionit, veçanërisht me mjete elektronike. Nëse ky dokument përcakton këtë mënyrë të shkrimit të emrave, atëherë pyesim përsëri se përse Republika e Maqedonisë së Veriut transliteron emrat e qytetarëve të saj të cilët përdorin alfabetin latin si rezultat të gjuhës së tyre të ndryshme nga maqedonishtja?

    5. Zgjidhja

    Sa herë që drejtohemi te institucionet përkatëse për një certifikatë, letërnjoftim a pasaportë, qajmë hallin e shkrimit gabim të emrave tanë nëpër dokumente. Nëpunësit nuk ofrojnë zgjidhje dhe, duke rrudhur krahët, na thonë që sistemi është i tillë, nuk lejon ndryshime, që s’mund të bëhet. Por ka një zgjidhje. Ministria e Punëve të Brendshme duhet të mos transliterojë emrat e shtetasve të cilët përdorin alfabet latin si rezultat të gjuhës së tyre të ndryshme nga maqedonishtja. Nëse në dokumentin e bijës sime mund t’i shkruhet emri “Hyjneshë”, atëherë ky emër transliterohet në “Хијнеш” në germa cirilike sipas Drejtshkrimit të gjuhës maqedonase dhe nuk ka nevojë të transliterohet përsëri nga germat cirilike në ato latine. Ministria e Punëve të Brendshme duhet t’ia kalojë Drejtorisë së Librave të Amzës kompetencat për këtë çështje, ashtu siç e kanë edhe shtetet tjera. /Horizont/

    Lajmi Paraprak

    “Zgjedhje të reja lokale, tani” / Borrell paraqiti tri kërkesa për tejkalimin e krizës në veri, Von Cramon e shton edhe një

    Lajmi i rradhës

    Jam mësuese dhe kjo është arsyeja pse djalit tim nuk i jap smartfon

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë