“Dorëshkrimet nuk digjen!” – deklaroi dikur Mihail Bulgakov. Autori i “Mjeshtri dhe Margarita” e dinte fare mirë, se për çfarë e kishte fjalën. Ai zgjodhi të shkatërronte disa nga veprat e tij për të provuar dogmën, se krijimet letrare janë të ngulitura thellë në shpirtin e shkrimtarit, sesa thjesht në letër. Nuk ishte i vetmi në kërkimin të së vërtetës. Ja disa shkrimtarë “partnerë në krim”, të cilët edhe pse jetuan në kohë të ndryshme, sërish zgjodhën t’i djegin veprat e tyre “pas leximit”
Nikolai Gogol
Përgjatë gjithë jetës, autori i “Ditari i një të çmenduri” vuajti nga luhatjet e humorit. Kur Gogoli hidhte nënshkrimin, në punime groteske si “Hunda” ose “Palltoja”, do të kërcente në ekstazë në mes të rrugës në ekstazë, veç gëzimi zëvendësohej shpejt me zhgënjimin dhe ankthin. Fillimisht, opusi “Frymë të vdekura” u konceptua si trilogji. Sfida letrare ishte krijimi i një pamje shumëplanëshe të shoqërisë, që “t’i përshtatej gjithë Rusia”. Problemi ishte, se perfeksionisti në Gogol nuk arriti të jetonte standardin e lartë që i kishte vendosur vetes. Pjesa e parë “Frymë të vdekura” e pa dritën e botimit më 1842 dhe mori vlerësime të ndryshme. Kur publicisti Konstantin Aksakov e përqasi Gogolin me Homerin dhe Shekspirin, kritiku letrar Vissarion Belinsky iu kundërpërgjigj, duke thënë se “Gogoli i ngjan Homerit… aq sa qielli i përhimë dhe pishat e Shën Petërburgut i ngjajnë qiellit të kaltër dhe dafinave të Greqisë”. Pasi kritikët letrarë e akuzuan Gogolin për shtrembërim të qëllimshëm të realitetit, atij filloi t’i dukej romani i parëndësishëm. Autokritik i ashpër, Gogol tha se, pjesa e parë e “Frymë të vdekura” ishte si “hajati që i bashkangjitet në nxitim e sipër nga arkitekti provincial pallatit, kur është konceptuar të ndërtohet me një shkallare goxha të madhe”. Mirëpo, duke pretenduar lart, Gogoli ra në kurth. Pjesa e dytë e “Frymë të vdekura” pritej me padurim. Madje, Gogoli e përmendte aq shpesh, sa mes miqve u përhap thashethemi se libri kishte gjasa të mos ishte përfunduar. Në të vërtetë, Gogoli po rropatej për të shkruar pjesën e dytë. Premtimi provokoi një krizë të rëndë krijuese. “E torturova dhe e detyrova veten të shkruaj, kalova përmes vuajtjeve dhe u mbyta nga ndjesia e paaftësisë… dhe megjithatë, nuk mund të bëja asgjë për këtë – gjithçka shkoi huq”, – pranoi Gogol. Në 1845, gjatë një çrregullimi emocional, ai e dogji pjesën e dytë të “Frymë të vdekura”, që iu deshën pesë vjet për ta shkruar. Shkrimtari nuk u ndal me kaq, më vonë “e bëri përsëri”! Në 1852, Gogoli dogji një tjetër pjesë thuajse të përfunduar të “Frymë të vdekura”. Dhjetë ditë më vonë, zhytur në depresion, shkrimtari ndërroi jetë, me sa duket i rrënuar nga uria nën petkun e kreshmës… Me sa duket, Vladimir Nabokov kishte të drejtë, kur e përshkroi Gogolin si “poeti dhe prozatori më i çuditshëm i hasur ndonjëherë në Rusi”.
Aleksandër Pushkini
Sa më i madh talenti, aq më i thellë është dyshimi. Edhe pse gjeni i poezisë ruse, Aleksandër Pushkini nuk ishte një njeri pa vetëbesim. Bocetat e tij shpesh mbusheshin me faqe të grisura. Autori i “Mbretëresha e maceve” dogji pjesën e dytë të romanit të famshëm të papërfunduar “Dubrovski”, bocetin e romanit historik “Vajza e kapitenit” dhe poezinë “Grabitësit”.
“E dogja “Grabitësit” – dhe ata e meritonin!” – i shkroi në një letër poetit dhe kritikut Aleksandër Bestuzhev, në 1823. Poeti la kapitullin e dhjetë të “Eugjen Onjegini”, romani i famshëm në vargje, në strofa të koduara. Pushkin planifikoi t’i kthehej më vonë dorëshkrimit, por kjo nuk ndodhi kurrë. Besohet se Pushkini e asgjësoi kapitullin e dhjetë nga frika e persekutimit politik, pasi sipas gjase merrej me revoltën e dhjetoristëve rusë.
Mihail Bulgakov
“Tashmë soba është bërë redaksia ime e preferuar”, – pranon Bulgakov në një letër drejtuar një prej miqve, me ironi të trishtë. “Më pëlqen, sepse ajo, pa refuzuar asgjë, me të njëjtën dashje përpin faturat e pastrimit kimik, letra të papërfunduara, madje, sa turp, poezi!”.
Autori i “Mjeshtri dhe Margarita” besonte se “Dorëshkrimet nuk digjen!”. Ai shpiku termin thelbësor, për të provuar se dorëshkrimi i veprës së shkrimtarit para së gjithash regjistrohet në kujtesë, sesa në letër. Bulgakov ishte i pamëshirshëm me vetveten dhe dogji versionin e parë të “Mjeshtri dhe Margarita”. Asokohe Bulgakov dëshironte ta quante “Magjistari i zi” ose “Zhongleri me një shputë”, me personazhin Woland si protagonistin kryesor. Studiuesit besojnë se shkrimtari nuk kishte në plan ta digjte romanin, por e bëri në inat e sipër, kur censura sovjetike i ndaloi dramën “Kabali i hipokritëve”.
“Isha i pushtuar nga demoni… […]”, – shkruan Bulgakov. “Fillova të ndotja faqe pas faqe të romanit tim… Për çfarë? Nuk e di. Le ta harrojmë më mirë!”. Një vit më vonë, ai rifilloi punën: një bocet versioni u shfaq nën emrin e “Kancelari i Madh”. Bulgakov ktheu në hi edhe bocetin e parë të pjesës së dytë dhe të tretë të kryeveprës “Garda e bardhë”. Po ashtu, edhe ditarët e shkrimtarit “u dogjën pa mëshirë pas leximit”./Konica.al
Boris Pasternak
Boris Pasternak
Autori i “Doktor Zhivago” asnjëherë nuk deshi të linte trashëgimi pas vdekjes. Ashtu si Frenk Sinatra, ai zgjodhi ta bënte sipas “mënyrës së tij”. Me skrupulozitet fanatik, Pasternak i dogji të gjitha bocetat e para të veprave. Nëse, sipas poetit, teksti vlerësohej i dobët, ai asgjësohej me zell dhe eufori të veçantë. Shkatërrimi priste jo vetëm dorëshkrime të papërfunduara, por edhe punime të përfunduara. Drama e Pastërnakut “Në këtë botë”, që u prit me kritika të ashpra, u vërtit sakaq në sobë. Romani “Tri emrat”, që iu desh një vit për ta shkruar, nuk i shpëtoi fatit të ngjashëm. Me dorëshkrimin u nda pa keqardhje, pasi i kujtonte gruan e parë, Eugjenia.
Ana Ahmatova
Në kohën sovjetike, poetë dhe shkrimtarë të shumtë i asgjësuan veprat e tyre për arsye politike, pasi u druheshin reprezaljeve të shtetit. Për shembull, para se të digjte vargjet e drejtpërdrejta, Anna Ahmatova (autore e poezisë “Rekuiem”, ku përshkruan vitet e tmerrshme të spastrimeve të Stalinit) i mësoi përmendsh, kurse krijimet e fundit ua lexoi me zë të lartë miqve, që t’i mësonin dhe të kalonin gojarisht. Poezitë e Ahmatovës u regjistruan në kujtesën e miqve të ngushtë e të besuar, ndër ta Osip Mandelshtam. Miqësia e tyre, zgjati gati 30 vjet. Ahmatova tha se Mandelshtam ishte një nga “biseduesit më të këndshëm” që kishte takuar ndonjëherë. Nga ana tjetër, Osip admironte bukurinë, karakterin dhe të vërtetën e Anës, duke thënë se linjat e saj poetike “mund të hiqen vetëm me kirurgji”.
Osip Mendelshtam
Një nga poetët më të mëdhenj të shekullit të 20-të, ishte mjaft realist për të pranuar se veprat e tij mund t’i kushtonin kokën. Poeti u detyrua të digjte, t’i fshihte ose t’u jepte kopje të dorëshkrimeve të poezive familjarëve. Për ta mbajtur gjallë poezinë, Mandelshtam duhej ta ndante atë me miqtë e tij më të mirë. Në vitin 1933, Mandelshtam krijoi një epigram të mprehtë për Stalinin: “Ne jetojmë të paaftë ta ndiejmë vendin nën këmbët tona”. Më pas, poeti u arrestua dhe u dërgua në internim.
“Na u desh të restauronim vargjet, sepse pas gjithë atyre tronditjesh (sulmi i policisë, arrestimi, internimi, sëmundja), shumë gjëra u zhdukën. Dorëshkrimet e shpëtuara… përfunduan në tenxhere ose brenda këpucëve”, – kujton gruaja e poetit Nadezhda Mandelstam, në “Shpresë kundër shpresës”. /konica/ KultPlus.com