Vdes fotografi Jeton Aliji Krupa | E kujtojnë miqtë, politikanët dhe fotografët (Foto)

    Artistët e vërtetë nuk vdesin kurrë! Kështu thonë për talentët të cilët me veprën e tyre arrijnë të ndikojnë dhe kështu për të mbetur të ndritur me punën që lënë pas. I tillë është fotografi, Jeton Aliji-Krupa, i cili vdiq këtë mëngjes në Hamburg të Gjermanisë. Ai ka lindur në Sërmovë të Gostivarit, ndërkaq ka lënë bashkëshorten me dy fëmijët. Jetoi dhe veproi në Hamburg, shkruan Nistori.

    Kulla e Sahatit në Gostivar | Foto: Jeton Aliji Krupa

    Aliji jetoi jo vetëm si fotograf, por edhe si aktivist. Ndihmoi në shumë kauza shoqërore, por edhe ishte human. Nëpërmjet fotografive të shitura, ai ndihmonte shoqata dhe familje të varfëra. Ishte gazmor, kritikonte politikat që nuk ishin në interes të shoqërisë. Kështu e përshkruajnë kolegët e tij, miqtë dhe ata që e njihnin.

    “Akoma nuk mund t’i besoj vetes sa njeri pozitiv ishte. Një njeri plot jetë, një artist plotësisht vizion ta bëje këtë, më duket se jam në ëndërr. Thjeshtë logjika nuk arrin ta kuptojë, shkëmbenim shumë, shumë shpesh telefonata dhe mesazhe. Herën e fundit u dëgjuam para 1 jave, mu duk pak pa qef, por jo deri në at nivel!”, shkruan fotografi i njohur Abdultaip Neziri.

    “Trishtimi mori kuptim tjetër mik i dashur Jeton Aliji! Qofsh i dritës!”, shkruan regjisori nga Gostivari, Sulejman Rushiti.

    “Një lajm shokues që në mëngjes! E humbëm edhe një shokë me vlerë. Jetoni me fotografitë e tij dhe me humanitetin i dha jehonë jo vetëm Gostivarit, por edhe gjithë shqiptarisë. Pusho në paqe Jeton Aliji!”, Burhan Ameti – fotograf.

    “Kjo fotografi qëndron e varur në zyrën time. Është një dhuratë speciale që e kam pranuar nga autori i saj, Jeton Aliji Krupa. Dhe sot mora lajmin e pikëlluar që Jetoni nuk është më me ne. Edhe pse e kam njohur vetëm virtualisht, ikjen e tij e përjetova si humbje të madhe. Ngushëllime familjarëve të Jetonit. Prehu në paqe”, – Besa Arifi, profesoreshë universitare.

    “Rest in peace legend”, – Blendi Hodai, aktivist.

    “Allahu e mëshiroftë kolegun tonë Jetonin! E falmiljes dhimbjet ja lehtësoftë”, – Arian Mavriqi, fotograf.

    “Jeton Aliji Krupa do të na mungosh, na takoftë Zoti në Xhenet! Njeriu që e donte jetën të bukur, ua zbukuronte jetën miqve, sot ka kaluar në jetën tjetër. Ti lutemi Zotit që ta shpërblejë me Xhenet për gjithë ato të mira që na bëri të gjithëve, duke dhuruar nga fjalët e mira e deri te veprat e tija madhështore si rrallë kush. Të dashtë Zoti vëlla, ashtu siç na doje ti të gjithë neve. Ngushllime familjes dhe gjithë miqve!”, – Arben Zeqiri, gazetar.

    “Botës së artit sot ju shua një yll, një fotograf i kalibrit të lart, një njeri me vlera të larta. Jeton djali na ke këput shpirtin me ikjen tande të hershme nga kjo botë! Ndonëse ishim miq të mirë, paska qenë e shkruar të takohemi vetëm një herë!Sa herë që do te vizitojmë sahat kullën e Gostivarit do të kujtojmë ty o mik! Ngushëllime familjarëve, miqve, shokëve e ekolegëve të të ndjerit! Zoti të mëshiroftë!”, – Liridon Shala, fotograf.

    “As Gjermania s’ësht si ka qenë” – përgjigjej Jetoni me shaka kur dikush përmendte vendin ku ai jetoi vitet e fundit… As Gjermania, as Gostivari, as Tetova, as asgjë s’do jetë më njësoj pa ty Jeton…
    Jetoni ishte fotograf shumë i talentuar dhe shumë i zoti….shumë mjete nga shitja e fotografive ose kalendarëve i jepte donacion për familjet në nevojë në vendin tonë. Jetoni, si shumë të tjerë, u aktivizua që të regjistronte diasporën shqiptare në Gjermani, dhe nuk arriti ta shihte fundin. Pusho i qetë mes engjujsh Jeton… Zoti ta bëftë përjetësinë të bardhë e të pasur siç e kishe shpirtin e zemrën.”, Arianit Xhaferi, aktivist.

    “Ahhh be Jeton, ku shkoj gjithë ai pozitivitet. Zoti ta bëft dritë shpirtin!”, – Hasim Memishi Sopi, komedian.

    “Jemi të trishtuar të ndajmë me ju lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Jeton Alijit. Prej disa vitesh ky gostivaras i mirë jetonte në Gjermani…dhe lajmet e rënda prej andej të thyejnë zemrën fort… Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen e tij duke u lutur që Zoti t’ua lehtësojë dhimbjen!” – Arben Taravari, politikan.

    “Lajm i trishtë për shqipet në MK e anembanë. Jetonin e njoha shumë pak këtë pranverë me regjistrimet e popullësisë në diasporë. Më la përshtypje të jashtëzakonshme si njeri i mirë e patriot i palodhur. Gjithmonë i gatshëm të ndihmojë dhe me vizion të qartë si të ecim përpara. Ngushëllime bashkëshortes, dy fëmijëve të Jetonit, familjes e miqve. Zoti i faltë parajsën”, – Ilir Zenku, aktivist në diaspor.

    Alijin e kanë kujtuar edhe shumë familjarë dhe fotografë tjerë si Jusuf Bajrami, Lirim Shabani, Shpëtim Kaliqani, Jetmir Osmani, etj.

    Njëherit edhe redaksia e Nistori-t shpreh ngushëllime deri te familjarët dhe miqtë e tij. Me shpresën që kjo dhimbje t’u lehtësohet sa më shpejtë. Në vijim i keni disa fotografitë më të mira të Jeton Aliji Krupa. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    ASH-AAA: Deputeti i BDI-së, përfituesi më i madh në tenderë

    Lajmi i rradhës

    Mësoni disa nga arsyet pse djersitni më shumë pas të 40-tave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë