10 vjet…e deri me burgim të përjetshëm për të gjithë shkatërruesit e mjedisit

    Nga 10 vjet e deri me burgim të përjetshëm mund të vuajnë të gjithë ata që kryejnë krime ndaj mjedisit. Me ndryshimet në Kodin Penal të Maqedonisë së Veriut, që priten të hyjnë në fuqi që nga 7 marsi i vitit 2024 do të penalizohen në këtë formë të gjitha veprimet e kundërligjshme që dëmtojnë mjedisin. Deri më tani ishte e rrallë që dikush të përgjigjet penalisht për vepra kundër mjedisit, pavarësisht se ndotja është një dukuri e përditshme. Por dilemat janë nëse një ligj i tillë do të zbatohet apo do të jetë vetëm në letër?

    Nëse me ligjet e mëparshme ka qenë problem përcaktimi i shkallës së shkatërrimit të mjedisit, propozuesit e këtyre ndryshimeve argumentojnë se me plotësimit ligjore janë thjeshtëzuar procedurat për përcaktimin e vetë krimit.

    Në procesin e ndryshimit të ligjit u përfshinë Inspektorati Shtetëror i Tregut, Ministria e Mjedisit, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, autoritetet gjyqësore, profesorët dhe sektori civil.

    Nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit janë skeptikë lidhur me disa nga dispozitat e miratuara, pasi mund të rezultojnë komplekse për zbatimin efikas të tyre në praktikë. Inspektorët shtetërorë kanë pasur vërejtje konstruktive për përmirësimin e tekstit të amendamenteve për t’i zbatuar në mënyrë më efikase në praktikë, por theksojnë se vërejtjet e tyre nuk janë pranuar për shkak të procedurës së modifikuar për miratimin e ndryshimeve në ligj nga Ministria e Drejtësisë. Nga Ministria e mjedisit janë optimistë.

    “Më në fund do të fillojmë të ndëshkojmë ata që ndotin rëndë mjedisin tonë. Dua të theksoj në këtë moment se kemi bashkëpunim serioz me Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit dhe se unë dhe drejtori i inspektoratit jemi vazhdimisht në komunikim. Për çdo krim që shfaqet, ose informojmë inspektoratin, ose na lajmërojnë ne”, ka deklaruar ministrja Kaja Shukova.

    “Ekocidi” përkufizohet si veprime të paligjshme ose të paqëllimshme të kryera me dijeninë se ekziston një gjasë thelbësore për dëmtim të rëndë, të përhapur ose afatgjatë në mjedis. Në mars të këtij viti, Parlamenti Evropian mbështeti përfshirjen e “Ecocide” në direktivën e rishikuar të BE-së për krimet mjedisore. Nëse kjo direktivë kalon përmes procesit të plotë legjislativ të BE-së, atëherë të gjitha shteteve anëtare do t’u kërkohet të përfshijnë ekocidin në ligjet e tyre kombëtare. Franca është ndër vendet e para në Bashkimin Evropian (BE) që ka vendosur ekocidin në legjislacionin e saj.

    Tani ligji i vendit është duke u testuar me një çështje të ngritur për dëme të mëdha të shkaktuara nga kimikatet kancerogjene. Me mundësinë e dënimit me burgim të përjetshëm për rastet më të rënda të shkatërrimit të mjedisit, Maqedonia e Veriut iu bashkua grupit të disa vendeve që kanë përfshirë “ekocidin” në legjislacionin e tyre. /koha/

    Lajmi Paraprak

    A po rikthehen liderët e vjetër?

    Lajmi i rradhës

    Çfarë dimri i pret qytetarët e RMV në sektorin energjetik?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë