A po rikthehen liderët e vjetër?

    *Foto arkiv

    Derisa vendi po përballet me sfida dhe pengesa rreth ndryshimeve kushtetuese dhe përplasje tjera politike mes partive politike dhe brenda tyre. Në skenën politike janë rishfaqur përsëri liderët e vjetër politik në kampin maqedonas por edhe atë shqiptar.

    Së fundmi, lideri i LSDM-së dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, ka publikuar në rrjete sociale një postim ku njofton takim koordinues të ekipit strategjik. Sipas tij, qëllimi i takimit dhe i ekipit strategjik është të bëjnë gjithçka, të mundësojnë një konsensus të plotë shtetëror dhe kombëtar për të përmbushë përcaktimin e shumicës dërrmuese të qytetarëve, për t’u bërë një shtet evropian me të drejta të plota deri në vitin 2030. Personazhi qendror i këtij takimi është pa dyshim ish-lideri Zoran Zaev.

    Nga postimi i Kovaçevskit nuk kuptohet nëse Zaev është bërë pjesë e “ekipit strategjik” të LSDM-së, të cilin, me sa dimë, e menaxhon Igor Ivanovski. Dy figurat e tjera kryesore në këtë takim janë sekretari i përgjithshëm Mile Zeçeviq dhe anëtari i kryesisë së LSDM-së, Oliver Spasovski, për të cilin shumë përflitet se është një nga pretendetët për t’u kandiduar për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

    Derisa nga ana tjetër, edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ka qenë aktual përmes statuseve në rrjetin social Facebook dhe me deklarata për media. Ndërsa Gruevski u akuzua që ka ndikuar edhe në ndryshimet e fundit në Kodin Penal.

    Njohësi i çështjeve politike, Petar Arsovski, për gazetën KOHA, ka deklaruar se në Ballkan liderët asnjëherë nuk pensionohen. Siç tha ai, ata gjithmonë qëndrojnë në skenën politike.

    “Liderët e partive politike kanë ndikimin e tyre në njërën apo tjetrën mënyrë dhe kështu gjithmonë qëndrojnë aktual. Tani edhe Zaev edhe Gruevski, po tentojnë të rikthehen më fuqishëm në skenën politike në mënyra të ndryshme. Derisa nëse paraqitet një unitet shtesë te cila do parti politike ajo do të sjellë përfitime për atë parti”, deklaroi Petar Arsovski, analist.

    Sipas informacioneve që qarkullojnë në media flitet se Kovaçevski në kuadër të politikës së demonstrimit të unitetit brenda partiak në LSDM, mban kontakte edhe me Radmila Shekerinskën. Derisa Shekerinska në këtë takim të “ekipit strategjik” nuk ishte e pranishme. Është interesante të shihet se si do të interpretohet ky takim në Bihaçka nga BDI, partneri i koalicionit të LSDM-së.

    Siç dihet, udhëheqësit e BDI-së flasin publikisht për ekzistimin e një lobi të “oligarkëve maqedonas”, të cilët kinse mbajnë takime me liderë aktualë dhe ish-liderë politikë dhe tema e atyre takimeve gjoja ishte ideja e shtyrjes së asaj partie dhe shqiptarëve. në përgjithësi jashtë qeverisë.

    Burime nga BDI-ja bëjnë të ditur se janë duke menduar për takime me Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoskin, liderin e VMRO-DPMNE-së. Spekulimet shkojnë deri aty sa pretendohet se Zaev dhe Mickoski janë në komunikim të vazhdueshëm me njëri-tjetrin.

    Lajmi Paraprak

    Burgjet plot, kriminelët në rrugë

    Lajmi i rradhës

    10 vjet…e deri me burgim të përjetshëm për të gjithë shkatërruesit e mjedisit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë