220 DENARË PËR 65 KILOMETRA RRUGË | Pikë pagesat e shtrenjta rrugore

    Maqedonia e Veriut në periudhën e ardhshme nuk pritet të shtrenjtojë pikë pagesat rrugore. Por as t’i lirojë ato duke marrë parasysh krizën ekonomike dhe koston e lartë të tyre karshi shteteve të tjera të rajonit. Sivjet ndërmarrja shtetërore e rrugëve pritet të arkëtojë mbi 40 milionë euro nga pikë pagesat rrugore, që do të duhej të investohen në modernizimin e akseve rrugore në vend. Ministri i Transportit, Bllagoja Boçvarski thotë se kostoja e autostradës Kërçovë-Ohër është 600 milionë euro, rruga ekspres Gradsko-Prilep ka një kosto prej mbi 50 milionë euro, ndërsa nuk është e vogël edhe kostoja e rrugës Shtip-Koçan, që duhet të lëshohet në përdorim deri në fund të këtij viti.

    JO SHTRENJTIM

    Nëse dëshirojmë të kemi rrugë moderne dhe të sigurta dhe të realizojmë më shumë akse rrugore, ku vitin e ardhshëm planifikohen më shumë se 120 kilometra rrugë, për këtë duhen investime. Në vitin 2023 duhet të fillojnë të rehabilitohen rrugët rrugore Tetovë-Gostivar, Prilep-Manastir, Podmolje-Strugë-Qafë Thanë, Gostivar-Kërçovë dhe të përfundojë ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër. “Nuk duhet të vendoset në dyshim likuiditeti i ndërmarrjes publike dhe në këtë moment çmimet e pikë pagesave rrugore mbeten të njëjta. Nuk kemi realizuar analiza të tilla se në cilin drejtim duhet të shkojnë çmimet, diku ato rriten, dhe diku ato mbeten të njëjta, mirëpo është e rëndësishme të vazhdohet me ndërtimin e infrastrukturës rrugore”, thekson ministri Boçvarski.

    Nga Ministria e Transportit thonë se analizat fillestare tregojnë se çmimet e materialeve të ndërtimit në infrastrukturë vetëm këtë vit krahasuar me vitin 2021 janë rritur ndërmjet 30 dhe 55 për qind dhe janë në luhatje të vazhdueshme, gjë që ndikon drejtpërdrejt në buxhetin e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore dhe realizimin e projekteve kapitale. Por edhe në kushte të tilla me rritje të çmimeve të materialeve ndërtimore, Qeveria përmes Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, Ndërmarrja e rrugëve mbetet e mendimit se tarifat nuk do të rriten, thonë nga Ministria Transportit. Disa muaj më parë, filloi pagesa në autostradën e re nga Shkup deri në Shtip me pikë pagesat Kadrifakovo dhe Priod për veturat e pasagjerëve. Pasagjerët që shfrytëzojnë këtë rrugë të re modern përmes sistemit elektronik të pagesës do të paguajnë 160 denarë në një drejtim, apo rruga prej Shkupi deri në Shtip dhe anasjelltas do të kushtojë 320 denarë, së bashku me pagesën në dalje të Shkupit. Në autostradën e re, përskaj dy korsive me pagesë elektronike, në dy korsitë e tjera mund të paguhet edhe me para të gatshme në dorë.

    220 DENARË PËR 65 KM RRUGË

    Për udhëtimin prej Shkupi deri në Gostivar dhe anasjelltas duhet të paguhet 220 denarë për afër 65 kilometra rrugë, ku jo me vite, por me dekada është harruar meremetimi dhe modernizimi i autostradës në letër prej Tetove deri në Gostivar me një asfalt të gërryer dhe që nuk ka korsinë e tretë si standard botëror për autostradat. Se qytetarët në vend paguajnë shtrenjtë për shfrytëzimin e autostradave flet edhe fakti se prej Gostivari deri në Gjevgjeli paguhet 1000 denarë për pikë pagesa rrugore, ku përskaj rrugës së vjetruar prej Gostivari deri në Tetovë, edhe në drejtimin prej Shkupi deri në Gjevgjeli ekzistojnë më shumë pjesë që kërkojnë rehabilitimin apo shtrim të asfaltit të ri. Për koston e shtrenjtë të udhëtimit nëpër autostradat në vend flet edhe fakti se prej Presheve deri në Beograd me gjatësi prej 380 kilometra paguhet 13 euro apo afër 1000 denarë që është e njëjtë me autostradën shumë më të shkurtër prej Gostivari deri në Gjevgjeli, me gjatësi prej afër 237 kilometra.

    MË SHTRENJTË SE AUSTRIA

    Për çmimet e larta të taksave të rrugës në Maqedoninë e Veriut flasin edhe të dhënat se në Austri vinjeta vjetore për veturë kushton 93.8 euro apo as 100 euro. Të ngjashme janë çmimet edhe në Slloveni ku në vitin 2021 për veturat për tërë vitin, çmimi i vinjetës ishte 110 euro. Në Zvicër për veturat deri më 3.5 ton, paguhet vinjeta që vlen 14 muaj me çmim prej 36 franga apo 40 euro në vitin 2021. Edhe në Rumuni vinjetat kushtojnë afër 100 euro në vit, ndërsa në Sllovaki kushtojnë 50 euro. Në ndërkohë, çmimi i pagesave të rrugëve përcaktohet sipas Ligjit, kur për një kilometër është 2.57 denarë që duhet të investohen në ndërtimin e rrugëve të reja dhe rehabilitimin e rrugëve ekzistuese.

    Në vitin e kaluar Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore ka realizuar të ardhura vjetore prej 46.4 milionë euro vetëm nga pagesat rrugore. Kjo është për 2.8 milionë euro me shumë në raport me vitin 2019 para pandemisë, dhe për 12.1 milionë euro më shumë në raport me vitin 2020 kur vendkalimet kufitare ishin të mbyllura deri në gjysmën e dytë të muajit majit. Gati një pesta apo 25 për qind e totalit të mjeteve në vitin e kaluar janë realizuar përmes pagesës elektronike të Korridorit 10 ku në muajt e verës kalojnë turistë të shumtë në drejtim të Greqisë. Sivjet priten të ardhura mbi 40 milionë euro, duke pasur parasysh edhe vendosjen në funksion të dy pikë pagesave të reja Preod dhe Kadrifakovë në autostradën Shkup-Shtip, si dhe sistemin elektronik pagese për rrugët ekzistuese me pagesë në Korridorin 8. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Problemet me infrastrukturën | Të pakënaqur edhe investitorët e huaj

    Lajmi i rradhës

    1 milionë dollarë për Mesin në këmbim të mantelit të zi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë