Problemet me infrastrukturën | Të pakënaqur edhe investitorët e huaj

    Rezultati që ka dal nga sondazhi i fundit anonim i Shoqatës së Kompanive të Huaja me Prodhim të Avancuar Teknologjik ka treguar se investitorët e huaj në Maqedoninë e Veriut këtë vit kanë më shumë pakënaqësi sesa kishin vitin e kaluar. Sondazhi në të cilin morën pjesë një numër i madh i kompanive në vend tregon gjithashtu se ato ende mundohen nga problemet e infrastrukturës, por edhe kanë frikë nga rreziqet në punë të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, si dhe çmimet e larta të energjisë elektrike, lëndëve të para dhe materialeve riprodhuese. Pozitive për vendin është që 3 kompanitë (ODV Elektrik, Kromberg, Shubert dhe Genterm), kanë marrë përsipër transferimin e aktiviteteve nga Ukraina. Si rrezik më serioz për punën e kompanive në vitin 2023 shihet inflacioni dhe çmimet e energjisë elektrike.


    Që ekziston nevoja për masa të reja financiare për të zbutur pasojat nga kriza energjetike dhe ekonomike, besojnë 19% e kompanive, ndërsa 53% e tyre besojnë se inflacioni po rritet. “Ekziston një përkeqësim i situatës lidhur me pakënaqësitë në krahasim me vitin e kaluar kur ishte 10%. 65% thanë se ata ende duhet të zgjidhin problemet lidhur me infrastrukturën, të tilla si ujërat e zeza, rrugët dhe kyçja e ujit. Kërkesa shtesë lidhur me infrastrukturën kishin 55% e kompanive të cilët do të donin edhe shërbime infrastrukturore shtesë”, potencoi drejtuesi i kësaj shoqate pranë Dhomës së Tregut Viktor Mizo.


    Anketa anonime e cila u realizua nga 20 nëntori deri më 10 dhjetor 2022 përfshiu kompani nga i gjithë rajoni, përveç atij verilindor. Kompanitë kryesisht ishin kompani gjermane por kishte edhe investitorë tjerë nga BE-ja dhe vendet e tjera të botës. Rezultatet tregojnë se 25% e kompanive që morën pjesë në anketë nuk janë të kënaqura nga infrastruktura në vendin ku e kanë biznesin, 30% janë të kënaqur, dhe 45% janë shprehur neutral. Sa i përket kostos së energjisë elektrike nga 300 në 500% rritje ka në 40% të kompanive të anketuara, nga 100 në 300% kostot janë rritur në 30% të kompanive, dhe 100% janë rritur kostot e 30% të kompanive të anketuara. Sipas analizave 79% e kompanive janë të pakënaqura ose pjesërisht të kënaqura me gjendjen e fuqisë punëtore. Ata e kanë problem të gjejnë punëtorë të kualifikuar pasi 63% e stafit dalin jashtë vendit, dhe 10% e tyre janë në kompani tjera në vend. Investitorët në industrinë e automobilave dhe teknologjive tjera të avancuara duan të bien në kontakt me 100 studentët më të mirë të Maqedonisë që studiojnë në Universitetet më të mira teknike të listës së Shangait. Në tetor ata e kërkuan listën nga shteti por akoma nuk e kanë marrë.

    “Duam të ju ofrojmë një punë të përshtatshme që të qëndrojnë në vend, por akoma nuk na është dorëzuar lista nga shteti”, tha Viktor Mizo, drejtor i përgjithshëm i Kostal.

    Analizat tregojnë se problem për gjetjen e punëtorëve kanë 84% e kompanive. Më vështirë për t’u gjetur janë teknikët dhe stafi i inxhinierëve, ndërsa më lehtë është stafi administrativ. Pavarësisht deklaratave të kompanive se në vitin 2022 do të rrisin pagat nga 10 deri në 20%, ende ka probleme në gjetjen e fuqisë punëtore. Arsye për rritjen e pagave janë inflacioni dhe rritja e kostos së jetesës, konkurrenca dhe ulja e ofertës së punës në tregun e punës, si dhe rritja e efikasitetit dhe motivimit të punëtorëve. Në anketë thuhet edhe se 94% e kompanive të anketuara janë përfituese të ndihmës shtetërore, dhe 55% e tyre gjatë 3 viteve të fundit kanë bërë investime me një paketë të re, faktikisht kanë lidhur kontratë të re për ndihmë shtetërore, 12% e tyre në 3 vitet e fundit kanë pasur investim të ri, por nuk kanë kërkuar paketë të re për ndihmë nga shteti. Pesë çështje kryesore që duhet të fokusohet shteti gjatë vitit 2023 janë: përmirësimi i infrastrukturës, përmbushja në kohë e detyrimeve kontraktuese ligjore, harmonizim i rregullave për kostot e justifikuara të investimit për ndihmën e shtetit dhe rregullat e kontabilitetit sipas standardeve ndërkombëtare.

    Sipas anketës ajo që shteti duhet të fokusohet është edhe ulja e kostos operative të TIRZ, harmonizimin e normave me ato të BE-së rreth importit doganor, lehtësimi i rregullave dhe procedurave për qëndrim dhe punë të shtetasve të huaj. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Rritet ndikimi kinez edhe në Maqedoninë e Veriut

    Lajmi i rradhës

    220 DENARË PËR 65 KILOMETRA RRUGË | Pikë pagesat e shtrenjta rrugore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë